RMV-ja ndryshoi kryeministrin, por jo edhe zakonet – gratë ngelen të papërfaqësuara

Dje u zgjodh Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, por gratë nuk u zgjodhën për ministre as edhe në këtë Qeveri. Kjo e fundit vazhdoi me hapat e Qeverisë së kaluar ku kishte vetëm katër gra ministre nga gjithsej njëzet, ky numër nuk shënoi ngritje as këtë herë. Edhe pse në këtë përbërje të re qeveritare janë tre parti shqiptare, në emrat e ministrave nuk figuron asnjë grua, shkruan Mollëkuqja.mk.

Fjalët e partive politike për sa i përket barazisë gjinore në politikë dhe vendimmarrje vazhdojnë të ngelin vetëm deklarative, sepse në realitet veprimet janë si lëvizjet e breshkës, dhe argumenti më i madh për këtë është përzgjedhja e sapoformuar e Qeverisë së re.

Qeveria e re përbëhet nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Në mesin e njëzet ministrave, vetëm katër janë gra edhe atë të gjitha nga LSDM, gruaja shqiptare është lënë jashtë kësaj pozite edhe në këtë qeveri.

Grave në këtë Qeveri u janë besuar këto ministri:

  • Ministria e Mbrojtjes- Sllavjanka Petrovska;
  • Ministria e Punës dhe Politikës Sociale- Jovana Trençevski;
  • Ministria e Kulturës- Bisera Stojçevska;

Ndërkaq Sllavica Grkovska është ministre pa resor, gjegjësisht zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit.

SI E SHEH SHOQËRIA CIVILE KËTË PËRFAQËSIM DHE KU QËNDRON PROBLEMI?

Nisma “Gender Equality Now” thonë se përfaqësimi i grave në politikë e sidomos në pozita vendimmarrëse akoma mbetet sferë në të cilin duhet të luftojmë shumë fortë, pasi siç thonë ata nëse kjo qeveri synon shoqëri të barabartë për të gjithë, duhet të bëjë prioritet barazinë gjinore.

Qeveria e re nuk ka asnjë grua në rolin e zëvendës kryeministres, dhe grave nga grupet etnike tjera, pos maqedonase, nuk u janë besuar poste në këtë qeveri. Përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave në politikë besojmë se ndodh për shumë arsye, ndërsa një prej arsyeve kryesore është mos mbështetja e grave as në partitë e tyre amë. Këtë gjë e kemi hasur edhe në zgjedhjet lokale ku numri i kandidateve gra për të udhëhequr në nivel lokal ishte jashtëzakonisht i vogël. Kjo ndodhë si pasojë e asaj se si perceptohen rolet gjinore në shoqërinë tonë patriarkale, ku vazhdojmë t’u japë burrave një rol dominues si në familje edhe në jetën publike. Kjo kulturë i ka lënë gratë pa mbështetjen dhe besimin e nevojshëm që duhet për të marrë një rol më të madh në shoqëri.

Nisma “Gender Equality Now”

Analisti politik, Selim Ibraimi, shprehet se përfaqësimi i tillë është një imazh shumë i keq, pasi vazhdon mënyra e njëjtë e përfaqësimit gjinor, ku nuk ka ligje që e parandalojnë këtë.

Ka ligje të shkruara por vështirë se respektohen në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan.

Selim Ibraimi, analist politik

“Barazia gjinore në përfaqësimin politik në një shoqëri me demokraci të brishtë si kjo e jona, nuk mund t’i lihet vullnetit të mirë të partive politike”, kështu vlerëson profesori universitar dhe analisti politik Sefer Tahiri. Sipas tij nevojiten vazhdimisht reforma zgjedhore, me të cilat garantohet rritja e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e pushtetit.

Në këtë drejtim duhet të mendohet edhe për reforma në Kodin zgjedhor, me të cilat do të rritet përfaqësimi i grave në pozitat ministrore dhe të kryetarëve të komunave. Organizatat joqeveritare vazhdimisht duhet të adresojnë kërkesa drejtuar partive politike që të përmirësojnë përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar. Kjo duhet të bëhet duke i rikujtuar, së bashku me mediat dhe opinion-bërësit, se cilat janë përcaktimet e tyre deklarative programore për barazi gjinore dhe synimet gjoja për arritjen e vlerave evropiane, ndërkohë që politikën dhe vendimmarrjen e bëjnë me mentalitet të vjetër ballkanik.”

Sefer Tahiri, profesor universitar

ÇFARË THONË PARTITË POLITIKE PËR KËTË PËRFAQËSIM TË GRAVE?

Deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska thotë se përqindja e grave të përfaqësuara si ministre në këtë qeveri është e ulët. Ndërkaq ende më e ulët është nëse llogaritet bashkë me numrin e zëvendëskryeministrave.

Kjo Qeveri rezulton me të njëjtin numër të grave si në përbërjen e mëparshme, dhe BDI-ja nuk ka asnjë grua të propozuar. Kjo po ndodh sepse mungon kapaciteti demokratik në parti, përkushtimi për përfaqësim më të madh është deklarativ, pavarësisht se vlera evropiane është angazhimi dhe motivimi për më shumë gra ministra dhe gra në poste drejtuese. Për më tepër, Kodi Zgjedhor nuk ka dhe nuk garanton kuota për këto pozicione, për këtë situata është kështu prej shumë vitesh.

Zhaklina Peshevska, deputete nga VMRO-DPMNE

Nga partia më e madhe qeverisëse LSDM-ja sot nuk u përgjigjën në pyetjet e Mollëkuqes, pasi siç thanë janë të zënë andaj do të japin qëndrimin e tyre nesër.

Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), deputetja Ilire Dauti shprehet se partitë shqiptare në pushtet haptazi dhe me zë promovojnë mentalitet gjinor të frikshëm.

Të mos ketë asnjë grua apo vajzë shqiptare në postet ministrore, në dy Qeveri radhazi kjo më nuk është vetëm mospërfaqësim, por mohim i ekzistencës së gruas shqiptare këtu në Maqedoninë e Veriut. Më e keqja është që kjo tashmë bëhet edhe me miratimin e vet grave deputete të BDI-së, sepse votat e tyre mbrëmë por edhe kur u votua Qeveria e kaluar, i dhanë miratim injorimit të gruas duke votuar Qeveri pa asgjë grua shqiptare ministre. Krejt këtë duket që partia e Ali Ahmetit e ka bërë me plan. Pasi u kujdesën për të shkatërruar imazhin e gruas në politikë tani janë koncentruar në mohimin ekzistencës së saj.

Ilire Dauti, deputete nga ASH

Edhe pse asnjë grua nuk u propozua nga BDI, deputetja e tyre, Vjollca Ademi thotë se partia ku bën pjesë ajo vazhdimisht punon në përmirësimin e pozitën e grave dhe gratë duhet të mjaftohen me të drejtat që i kanë sot.

Brenda, në shtëpinë e BDI-së veprojmë që t’i kemi kuadrot më të mira në vendet e dëshiruara. BDI gjithmonë punon në përmirësimin e pozitës së gruas ku për këto vjet kemi pasur gra në poste ministrore, zëvendësministre, deputete. Është partia e vetme që kandidoi grua për kryetare të komunës. Duke falënderuar këtë angazhim, gruaja sot punon në të gjitha fushat, ekonomi, shëndetësi të cilat mundësojnë jetë më të mirë për të gjitha gratë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Vjollca Ademi, deputete nga BDI

SHQIPËRIA DHE KOSOVA KANË PËRFAQËSIM MË TË LARTË TË GRUAS SI MINISTRE

Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kanë qeveri gjegjësisht të reja ku për sa i përket përfaqësimit të gruas në postet ministrore kanë punuar në praktikë në këtë drejtim e jo vetëm me fjalë. Në Qeverinë e Shqipërisë, gratë drejtojnë dymbëdhjetë ministri nga gjithsej gjashtëmbëdhjetë. Ndërkaq në Qeverinë e Kosovës, nga gjithsej shtatëmbëdhjetë ministra, vetëm gjashtë janë gra.

GRATË, JO TË PËRFAQËSUARA SA DUHET EDHE NË POZITAT TJERA SHTETËRORE

Gratë janë ende të nën-përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetë fakti që ekziston një kuotë prej 40% e përfaqësimit të grave në listat e partive politike, respektivisht çdo e treta në listë duhet të jetë grua e bën diskriminimin të jetë ligjor.

Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituuar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 43 gra deputete nga gjithësej 120 deputetë. Që nga pavarësia, asnjëherë funksioni i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit nuk i ka takuar një gruaje.

Në Maqedoninë e Veriut, lëvizja e parë feministe u formua në vitin 1942, kurse katër vite më vonë, në vitin 1946 gratë në Maqedoni fituan të drejtën e votës si dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike.

Ndryshe, pjesëmarrja e grave në politikë është e njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.

Të tjera