Nuk është aspak e lehtë të jesh grua dhe të udhëheqësh një biznes tëndin, në një shoqëri ku biznesi është “punë burrash”. Qanije Selimi tani gati katërmbëdhjetë vite është në fushën e biznesit, por ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë për të arritur deri në këtë pikë. Sipas saj, të qenit një grua, në botën e biznesit të dominuar nga burrat, është një sfidë e dyfishtë, shkruan Mollëkuqja.mk.
“Kur unë kam filluar në biznes, në vitin 2008, ka qenë një sfidë e dyfishtë. Ishte periudha që sapo u martova dhe u ballafaqova me një tufë të madhe paragjykimesh, sepse shoqëria priste diçka tjetër nga unë dhe se unë nuk do mund të ia dilja”, i tha gazetarit të “Mollëkuqja” gruaja e cila vite më herët sfidoi paragjykimet kundrejt saj dhe ndoqi ëndrrën e saj për t’u bërë afariste.
Qanije Selimi është themeluese dhe drejtuese e Qendrës për Fëmijë dhe Edukim “REA”në Tetovë që nga viti 2013. Në të njëjtën kohë është anëtare e Këshillit Drejtues të OEMVP, themeluese e Grupacionit të Grave Afariste të OEMVP dhe aktiviste e organizatave të grave. Momentalisht është e përzgjedhur si sekretare e Këshillit Komunal Socio-Ekonomik në Tetovë, ku në të njëjtën kohë është nënkryetare e Asociacionit të Çerdheve Private në RMV.
Edhe pse tani Selimi ka kaluar sfidat më të mëdha me të cilat është ballafaquar deri në këtë pikë ku është sot, ajo tha se fillimi ka qenë pjesa më e vështirë për të.
“Unë e sfidova veten dhe i kam qëndruar gati edhe pjesës së punës, sepse unë ja kisha vendosur një qëllim vetes time. Vendosa që me punën dhe veprat e mia të thyej akullin dhe ta vërtetoj atë që jo vetëm unë por çdo grua mund të ja dalë dhe të realizojë ëndrrat e saj”
Qanije Selimi
Ajo shtoi se edukimi në frymën e barazisë gjinore dhe në krijimin e një biznesi të suksesshëm ose profilin e një biznesmeni/biznesmeneje të suksesshme, luan rolin kryesor.
“Unë tashmë nëntë vite kam punë me formimin e fëmijëve që në moshë shumë të hershme, dhe e shoh se çfarë mund të japësh tek një fëmijë dhe si mund të formohet një fëmijë që në këtë moshë. Nëse fëmijët në moshë të hershme e krijojnë vetëbesimin, atëherë shumë më të lehtë e kanë në të ardhmen që të ballafaqohen me botën e jashtme dhe sfidat. Nëse një fëmijë formohet gabimisht që në fëmijëri, atëherë pasojat që vijnë do t’i vuaj një shoqëri e tërë. Për këtë arsye duhet të zhvillojmë dhe edukojmë gjenerata të reja, më të mira që nesër ata të na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Selimi.
Vijat ndarëse midis burrave dhe grave në biznes ende ekzistojnë sipas Selimit, për këtë ajo bazohet në eksperiencat e saj personale sepse edhe burri i saj është i të njëjtës fushë.
Jam me fat që edhe bashkëshorti im është i fushës së biznesit dhe kjo më ka ndihmuar për t’i parë më mirë këto gjëra. Neve na ka ndodhur, ne jemi dy kompani të ndryshme me bashkëshortin tim, dhe në momentin që unë jam paraqitur si biznesmene grua nuk është marrë parasysh kërkesa, kurse në momentin që është paraqitur bashkshorti im si biznesmen, kërkesa është marrë menjëherë parasysh. Në shoqërinë tonë ekziston besueshmëri më e madhe tek burrat se tek gratë, për sa i përket biznesit, por e njëjta gjë duhet të ndryshojë dhe mos të ngeli e tillë.
Qanije Selimi
Ajo shtoi se shumë biznese mbahen dhe udhëhiqen nga gratë, por të njëjtat janë të regjistruara në emër të burrave në regjistrin qendror. Më pas, kur bëhet ndarja dhe statistikat sa biznese janë nën drejtim të burrave dhe sa të grave, përqindja e grave del shumë më e ulët se sa faktikisht është.
Ndryshe, biznesi të cilin e drejton Selimi mori çmimin si biznesi më i suksesshëm i udhëhequr nga një grua për vitin 2020 nga OEMVP. Ajo tha se kulmin nuk e ka arritur akoma, ku ka edhe shumë punë për të bërë, por ky çmim sipas saj ka qenë absolutisht një motiv shumë i madh që të vazhdojë të punojë edhe më forte që të arrijë aty ku ajo dëshiron.
Për në fund, “Mollëkuqja” ju sjell vetëm një prej qindra historive ku gratë kanë sfiduar rolet gjinore dhe në fund kanë fituar betejën me patriarkatin dhe mentalitetin i cili shpesh herë është në favor të burrave. Andaj, inkurajojmë vajzat dhe gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre pa marrë parasysh sfidave me të cilat do të duhet të përballen gjatë rrugës.