Profesori në MV ngacmon seksualisht studenten, rrëfen ajo: Më shkruante vonë, kërkonte takim

“Përjetova ngacmim seksual nga profesori im por nuk e paraqita sepse do më fajësonin mua”.

Studentet të cilat janë pre e ngacmimeve seksuale nuk i paraqesin të njëjtat shpesh për shkak të presionit shoqëror dhe fajësimit që i bëhet viktimës në vend se të merren me kryerësin. I ngjashëm është edhe rasti i të intervistuarës së Mollëkuqja, e cila na kërkoi të mbetet anonime, ajo a ka studiuar në një universitet në Maqedoninë e Veriut.

Ajo tregon se është ngacmuar seksualisht përmes internetit nga ana e një profesori, me të cilin kishte kontaktuar paraprakisht për t’ia dërguar materialet e provimit.

“Ai më tha se nuk i përcjell e-mailet andaj deshi të kontaktojmë në numrin personal. Prej atij momenti, ai ka keqpërdorur këtë duke më kontaktuar në orë të vona me mesazhe që nuk kishin të bëjnë me materialin e provimit. Me mesazhe të tipit si ku gjendem, të takohemi për kafe, të marr unë me veturë për në provim dhe të ngjashme”, i tha ajo gazetarit të Mollëkuqja.

Fakti që ky profesor e kishte në dorë të vendosë nëse do ta kalonte ose do te rrëzonte prej provimit, frika nga paragjykimet prej masës dhe fajësimit të saj në fund të ditës, e ndalonin atë që ta denoncojë rastin.

“Isha e pashpresë dhe në të njëjtën kohë me frikë për shkak se mendoja nëse i them që e kuptoj qëllimin e tij do më bënte problem në privimin të cilin ende nuk e kisha dhënë” shtoi ajo.

Ajo sqaroi se nuk ia ka kthyer më mesazhet profesorit në fjalë dhe komunikimi mes tyre ka mbaruar, por kjo i ka shkaktuar asaj stres dhe presion të madh psikologjik.

“Rastin nuk e kam raportuar për shkak se kam dëgjuar shumë raste të tilla ku çdoherë është akuzuar dhe fajësuar viktima, vajzat në këtë rast dhe nuk janë marrë masa ndaj kryerësve, profesorëve në këtë rast” tha e intervistuara e Mollëkuqja, e cila kishte vendosur të ngelet anonime.

Pavarësisht se ajo vetë nuk e paraqiti rastin, ajo ka një mesazh për të gjithë vajzat që gjenden në këtë pozitë.

“Të kenë guximin që unë nuk e kisha dhe t’i kthehen profesorëve dua ua bërë të qartë se e kuptojnë qëllimin që ata kanë, me fakte ta paraqesin në instancat kompetente. Sepse kështu duke heshtur, rastet e tilla duke mos u paraqitur ata përhapen ende me shumë dhe krijojmë një kulturë pandëshkueshmërie”, përfundoi ajo.

Kur jemi te denoncimi i ngacmimeve seksuale, hulumtimet tregojnë se viktimat nuk i paraqesin këto raste sepse kanë frikë nga rrethi. Me ndryshimet ligjore në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut në shkurt të këtij viti, ngacmimi tani më paraqet vepër penale.

Se ngacmimet seksuale janë prezentë në universitetet e vendit e tregojnë dy raste. I pari është anketimi i vitit 2022 i studentëve në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi dhe rasti i dytë është anketimi i vitit 2019 studentëve nga dy universitetet në Tetovë. Në të dy rastet u theksua se në universitete ka ngacmime seksuale nga ana e profesorëve ndaj studenteve.

Të tjera