pink-purple-and-cream-scrapbook-personal--generic-greetings-valentine's-day-postcard-(1440--550-px).png

Woolf: Që gruaja të shkruajë letërsi, duhet të ketë para dhe një dhomë më vete

FEMINISTING

May 14th, 2023

Ata të cilët e njohin krijimtarinë e Virgina Woolfit, kanë lexuar shpesh fjalinë “në qoftë se ka ndër mend të shkruajë letërsi, gruaja duhet pikësëpari të ketë para, si dhe një dhomë më vete”. Nga kjo fjali e Woolfit, kuptojmë se sa e nevojshme është për gruan privatësia, liria e të qenurit vetëm, kur ajo ka nevojë. Virginia Woolf është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë. Me librat e saj, sidomos me esenë “Një dhomë më vete”, Woolf solli ndryshim në rolin e gruas në shoqëri. Ajo e potencon “një dhomë më vete” dhe jo “një shtëpi më vete” sepse, pa marrë parasysh sa i duhet privatësia e saj, ajo nuk ka nevojë për vetmi. Poashtu fjalia “gruaja duhet pikësëpari të ketë para”, na tregon bindjen e Woolfit në lidhje me pavarësinë financiare të gruas. Për të arritur lirinë fizike fillimisht asaj i duhet liria financiare. Sado i qartë dhe shumë i saktë të jetë ky fakt, shkrimtarja nuk lë pa treguar se realiteti i kohës, i të paturit liri financiare, në sy të burrave, shihej dhe si liri për ta shfrytëzuar gruan për dëshira vetjake. Ky realitet i dhimbshëm për gruan dhe sot është i pashmangshëm. Andaj kur lexojmë krijimtarinë e autores e cila jetoi dhe veproi gjatë shekullit të njëzetë, shohim se sa aktuale janë këto situata. Woolfi bën thirrje: “hiqjani mbrojtjen, ekspozojini ato ndaj të njëjtave punë dhe veprimtari”,duke e parë të nevojshme se gruaja duhet të dëshmojë aftësitë e saj, të punojë dhe të vlerësohet për atë që është, sepse nëqoftëse ajo nuk ka arritur ta tregojë veten, nuk ka arritur për shkak se nuk i është dhënë mundësia për ta treguar.

Po të kishim një këndvështrim nga një lexues burrë për veprën e autores, mesiguri se mes lexuesve të dy gjinive do të kishim dy interpretime të ndryshme të librit. Por se, e keni menduar ndonjëherë se në shumicën e librave që kemi lexuar nga autorë burra, gruaja portretizohet si një krijesë shumë e zgjuar, e lirë dhe e aftë për të menduar, e cila arrin të shpreh mendimin e saj pa e kryqëzuar. Gjithsesi, realiteti i përditshëm na thotë diçka tjetër?! Woolf nuk lë anash pa u ndalur në analizën e kësaj situate, duke nxitur revoltë për këtë padrejtësi dhe duke kritikuar ashpër faktin se gruaja jetonte për t’i shërbyer burrit. Për këtë çështje ajo shprehet se si, në letërsi, janë thënë disa nga fjalët më frymëzuese dhe mendimet më të zgjuara nga buzët e një gruaje, kur në realitet ajo “qe pronë e të shoqit”. Gruaja ka qenë dhe është heroina kryesore, dhe atëherë kur nuk donin ta pranonin lehtësisht, ata e pranuan pavetëdije nëpërmjet letërsisë që krijuan. Pyetja retorike që bën shkrimtarja se “Përse, me ç’del prej këtij katalogi librash, gratë janë shumë më interesante për burrat sesa burrat për gratë?” dhe se si “Ky më dukej një fakt shumë i çuditshëm, ndaj fillova të përfytyroja jetën e atyre burrave që e kalojnë kohën duke shkruar libra për gratë.” përforcon dhe më shumë mendimin e Tolstoit te Anna Karenina ku ai thotë se: “Gratë janë boshti rreth të cilit vërtitet gjithçka.” Pavarësisht statusit shoqërorë në të cilën e vendosën gruan, nuk ia hoqën dot domosdoshmërinë që kishin burrat për mendimin e saj, ashtu siç shprehet dhe Woolfi: “Gjatë gjithë këtyre shekujve, gratë kanë qenë pasqyra që kishte fuqinë magjike dhe të këndshme të pasqyronte figurën e burrit dy herë më të madh nga ç’ishte në të vërtetë”. 

Duke lexuar “Një dhomë më vete” kuptojmë se është një libër që flet për gruan si shkrimtare dhe si krijuese, duke pasqyruar kështu jetën e të gjitha grave: një jetë e mbushur me sakrifica të mëdha për të mbijetuar, një jetë ku grave ju cënohej e drejta për të folur, për t’u shkolluar, për të menduar, për të mbrojtjur veten, ose duke shkuar deri në skajshmëri ku asaj iu mohua e drejta për të jetuar. Por, përsëri kemi ato gra të cilat si lulet në pranverë, çelën dhe lulëzuan, duke hapur rrugë të reja për brezat që do vinin pas. Pikërisht këto gra mund t’i gjejmë në letërsi, si figura shumë të njohura dhe mjaft të dashura për lexuesin. Woolf përmend thuajse të gjitha shkrimtaret angleze, të cilat kishin jetuar dhe krijuar shumë vite para saj, pa të cilat Virginia Woolf nuk do të ishte ajo që qe, ashtu siç nuk do të ishim dhe ne tani ku jemi, pa sakrificat e atyre që ishin para nesh. 

“Një  dhomë më vetë” është një libër shumë i fuqishëm, i shkruar me shumë elegancë, me një fjalor të përzgjedhur dhe të mrekullueshëm, që arrin dhe kalon pritshmëritë e çdo lexuesi. Një ese që ia hap mendjen lexuesit duke ia zgjeruar horizontin dhe kuptimin e gjërave me një sy më ndryshe. Një ese që duhet lexuar nga çdo grua, për ta kuptuar vetveten dhe tjetrën. Një ese e shkruar nga një shkrimtare që përforcoi frymën feministe duke hapur rrugë pafund për gruan në shoqëri.

Do ta përfundoja këtë shkrim me një shprehje shumë të fuqishme nxjerrë nga eseja në fjalë, që shuan çdo përpjekje të kujtdo që ka qëllim të shtyp, të ul dhe të nënçmojë gruan: “Kyçi me dry bibliotekat e tua, po deshe, por nuk ka portë, nuk ka kyç apo shul që të mbyllë lirinë e mendjes sime.”

KY SHKRIM ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.    
Besarta Ramadani

Besarta Ramadani

Besarta Ramadani është Magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë studimeve ka qenë pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme me disa studime letrare. Ka të botuara poezi në një përmbledhje poetike. Ajo është bashkëautore e disa punimeve të botuara në revista shkencore. Për dy vite ka punuar si lektore. Aktualisht punon për një qëllim të vetëm, që libri të jetë pjesë e pandashme për njerëzit rreth saj dhe jo vetëm.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia