April 19th, 2023
Vitet e fundit, që me ardhjen e Donald Trumpit në pushtet në ShBA, prezenca mediale e figurave të zëshme të ideologjive të djathta ka marrë një hov të madh. Ndër mend mund të na vijnë personazhe si Jordan Peterson, Ben Shapiro, vetë Donald Trump, e së fundmi, një personazh si Andrew Tate. Gjer para disa muajve mund të thuhet madje që ishte pothuajse e pamundur që mos të shihje një reel ose tiktok të këtij të fundit me çdo hapje të rrjeteve sociale, e rrjedhimisht prej prezencës së tij “të pashmangshme” edhe shpërndarja dhe përhapja e ideve të tij, himnizimi i figurës së tij, ishte edhe kjo e pashmangshme. Mirëpo, ku janë përhapur këto ide? Statistika të shumta tregojnë që 25% e përdoruesve të aplikacionit TikTok janë nga mosha 10-19 vjeç, ndërsa rreth 10% të përdoruesve të Instagramit janë mes moshës 13-17 vjeç. Këto janë rrjetet sociale ku figura e Andrew Tate-it është më pranishme, dhe këto rrjete sociale arrijnë numra rekord për nga përdorimi: në Instagram, rreth 17.6 milion orë të reelsave shihen përditë, ndërsa në TikTok njerëzit botërisht shpenzojnë rreth 200 milion orë përditë. Këto janë shifra marramendëse e njëkohësisht, e tregojnë qartë cenueshmërinë e të rinjve, posaçërisht edhe moshave të mitura, për të rënë pre e këtij ndikimi. Unë jap mësim në paralele nga klasa e 5-të gjer në të 9-tën dhe nuk ekzagjeroj aspak kur them që në çdonjërën prej klasave, shpeshherë janë hapur tema dhe diskutime për figurën e Andrew Tate-it: herë më kanë thënë “Arsimtar, Andrew Tate-i i mban duart në këtë formë dhe ma kanë treguar mënyrën si i mban ai duart” ose shumë herë më kanë thënë “Arsimtar, Andrew Tate-i thotë kështu, ose ashtu.”
Në këtë artikull nuk do të hy në thellësi të krejt ideve dhe qëndrimeve që përfaqëson ai pasi me të vërtetë janë të panumërta dhe prekin tema që nga fajësimi i personave me fatkeqësi ekonomike, fajësimi i personave me sëmundje psikologjike, përligjja e krimeve e shumë të tjera. Por meqë Mollëkuqja trajton kryesisht çështje të sferës gjinore, do të përqendrohem pak te disa fjalë që i ka thënë në raport me femrat:
“Mendoj që gratë i përkasin burrave.”
“Burrat mund të tradhtojnë, por gratë jo. Nuk është seksizëm – është realiteti.”
“Si u lejohet grave të vozisin? As po dua të bëhem seksist, por me të vërtetë, si u lejohet të vozisin?”
Fatkeqësisht këto shprehje janë shumë seksiste dhe sigurisht nuk janë të vetmet. Çfarë shpesh ndodh në paraqitjet e Andrew Tate-it online është një objektivizim i pastër i figurës së gruas në shoqëri – ajo duhet të jetë nën sundimin e burrit, duhet “t’i bindet burrit” sipas vetë fjalëve të tij. Burri pra sipas tij, është ai që lufton, ai që drejton botën, gruaja nga ana tjetër është ajo që bindet dhe ajo që bën çfarëdo i thuhet nga burri. Kësi idesh përhapen në rininë e botës, kësi idesh që ndikojnë drejtpërdrejt në mendësitë dhe qasjet e raporteve ndërgjinore e kjo është sigurisht diçka që i përshtatet personaliteteve mashkullore që ndihen të rrezikuar nga prezenca e femrave në botë dhe nga trajtimi i çështjeve që lidhen me ta. Kjo qasje luan edhe me perceptimet që shpesh përhapen nga dogmat abrahamike e që e ushqejnë njëra-tjetrën. Djemtë në këtë rast rriten me një ide: që femrat, gruaja në të ardhmen, është pronë e tij, është pasuri e tij me të cilën ai mund të bëjë çfarë të dojë, duke ia zhdukur kështu individualitetin dhe njerëzinë që e ka të drejtë çdo qenie në këtë botë. Nga ana tjetër kjo sjell edhe një tjetër pasojë: nxitje e një lufte mes gjinive dhe një urrejtjeje të ndërsjellë që është shumë larg respektimit dhe vlerësimit të tipareve të çdo njeriu. Është e ngjashme me situatën që krijohet me feminizmin radikal, thjesht nga ana tjetër – një “maskulizëm radikal,” e si çdo gjë radikale, as kjo nuk përfshin në vete lirinë, pranimin dhe respektin, por përkundrazi nxit përçarje, dominim të një pale ndaj tjetrës dhe shtypje. Kjo është posaçërisht e rrezikshme kur vendoset në kontekstin e fëmijëve dhe të rinjve, të cilët ende nuk kanë krijuar raporte të shëndetshme me konceptet ndërgjinore, me konceptin e lirisë dhe të drejtave të barabarta. Fëmijët janë si sfungjer që thith gjithçka përreth, e kur sfungjeri thith llum, vetëm llum do të nxjerrë.
Nxjerrja e këtij llumi është një pasojë që me siguri do të ndihet në shoqëritë, jo veç tonat, por edhe ato botërore. Radikalizimi i meshkujve që të ri, detyrimisht që do të sjellë edhe qasje radikale edhe në moshë më të pjekur, do të sjell dhunë, sulme dhe objektivizim, akte që edhe përpara kësaj përhapjeje të maskulizmit radikal, kanë qenë fort të pranishme. Pranimi dhe përhapja e këtyre ideve veç mund të shtyjë në akte më të shumta e më të dhunshme, në një dhunë më të përhapur e më të pranuar. E njëkohësisht do të sjellë edhe një kundërreagim më të fortë, sigurisht edhe këto të formave radikale. Njëlloj, më rastis shpesh që të dëgjoj vajza të klasave fillore që të debatojnë fort dhe agresivisht me këto ide me nxënësit që punoj, e çfarë pra mund të nxjerrin në pjekuri këta fëmijë kur të rriten? Që meshkujt janë armiqtë, nuk na e duan të mirën dhe duan të na shtypin. Çdo radikalizëm pra lind një radikalizëm tjetër, e sado mund t’i pëlqejë dikujt një formë e tillë radikale (se mund t’i përshtatet me dëshirat për pushtet, përfitim, apo shfajësim të vetes) duhet të pyesim a i pëlqen e njëjta palës tjetër, e kjo palë tjetër është gjysma tjetër e krejt popullsisë së botës! Këtë artikull mund ta lexojnë edhe persona që mendojnë se kjo qenka një nxitje e feminizmit radikal nga ana ime, ose që dua ta humbas “fuqinë mashkullore” me këto fjalë. Jo. Ajo që unë dua të nxis është një frymë më pranuese, një frymë ku secili e ka të drejtën të bëjë atë që dëshiron dhe beson, por pa i penguar njerëzve të tjerë, pa e marrë të drejtën që t’i ndërhyjmë në sjellje, parime dhe besime të tjerëve që mund të mendojnë dhe të besojnë ndryshme, e përderisa fryma e Andrew Tate-it është e tillë – një frymë që nxit vendimmarrje për një grup të tërë njerëzish pa i marrë ata në pyetje, sigurisht që do ta mohoj dhe do ta luftoj këtë frymë. Pyeteni veten, a do të kishit dashur që dikush të ndërhyjë në mënyrën se si visheni? Në gjërat që hani? Në gjërat që besoni dhe mendoni? Në dëshirat dhe ëndrrat që i keni? Nëse thua “jo,” le të kujtojmë që edhe të tjerët s’do ta donin një gjë të tillë.
Përveç kësaj ane ama, unë do të argumentoj edhe diçka tjetër që lidhet me maskulizmin dhe figurën e Andrew Tate-it. Si një figurë që paraqitet si mashkull i suksesshëm, i pasur, i pushtetshëm dhe i fuqishëm, shumë meshkuj e marrin atë si një figurë shembullore për t’u ndjekur, për “t’u bërë si ai.” Në sipërfaqe kjo mund të ketë një “anë të mirë”: nxitjen e meshkujve që t’i ndjekin synimet e tyre për t’u bërë të tillë – të pasur, të fuqishëm e të pushtetshëm, por fillimisht, duke e bashkuar me retorikën anti-liberale kjo bëhet e rrezikshme për një pikëpamje të hapur dhe kolektive të shoqërisë, e së dyti, besoj fort se mund të nxisë paraqitjen e një sindrome Raskolnikov te shumë meshkuj. Mund ta rikujtojmë figurën e Raskolnikovit si ai që mendonte se bota padrejtësisht i kishte dhënë sukses të tjerëve, e jo atij që i kishte tërë ato veti pozitive, e rrjedhimisht kryen akte të dhunshme për ta arritur atë sukses që ka qenë i pakapshëm për të. Mirëpo në fund, Raskolnikovi e kupton që ato akte nuk janë me të vërtetë akte të tij, nuk janë akte që ai mund t’i pranojë dhe t’i bëjë aq pashpirt siç mendonte në fillim të romanit – pra Raskolnikovi e kupton që ajo nuk është natyra e tij. Diçka e ngjashme mund t’i ndodhë të rinjve të shoqërisë sonë: duke menduar se kanë çdo tipar që të jenë të suksesshëm e të pasur si Andrew Tate-i, por duke dështuar nga rrethana të llojllojshme, mund të paraqitet një fajësim i fuqishëm i botës, i shoqërisë, i matriksit, siç e thotë Andrew Tate. Një situatë e tillë çon në pakënaqësi, në dëshpërim, në urrejtje ndaj çdo gjëje që i duket se e ka penguar atë person të arrijë sukseset, urrejtje ndaj grupeve të posaçme (femrave posaçërisht), urrejtje ndaj botës (matriksit). Unë besoj se kjo nuk është një qasje aspak e shëndetshme ndaj botës, shoqërisë dhe vetes. Është një qasje që krijon dhunë (ndaj vetes e të tjerëve – psikologjike e ndoshta fizike) në rast dështimi, a krijon arrogancë dhe totalitarizëm në rast suksesi. Është e pashëndetshme për djemtë e ri që të rriten me këtë frymë të barazimit të suksesit kapitalist me vlerën njerëzore. Nuk të bën paraja njeri, a dështimi ekonomik, politik a shoqëror, nuk të bën më pak njeri.
Fillimisht duhet ta pyesim veten nëse me të vërtetë do të donim që të jetojmë në një botë të tillë. T’i rikujtojmë maksimën e vjetër të njohur si The Golden Rule (Rregulli i Artë): mos ia bëj tjetrit atë që s’do të doje të ta bëjnë ty. Nëse nuk do të doje që ty të t’i ndalojnë mënyrat se si jeton, përse do të doje që t’i ndalohen të tjerëve? E së dyti, duhet të largohemi nga tendencat që t’i kërkojmë përgjigjet e thjeshta për dilemat që mund t’i kemi vetë. Andrew Tate, njëjtë si shumë figura të tjera publike të kësaj natyre, na duken disa herë si shpëtimtarë, si ata që kanë zgjidhje për çdo problem tonin ose të shoqërisë, por sigurisht që kjo s’është e vërtetë. Duhet ta marrim nisëm që t’i përgjigjemi vetë pyetjeve tona, të arsyetojmë, të mendojmë, e të arrijmë në përgjigjet tona, e jo thjesht t’i marrim përgjigjet e gatshme të disa individëve të tjerë. Duhet pra, ta kthejmë llupën e mbikëqyrjes jo veç ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetes. Duke qenë pak më kritikë ndaj vetes do mësojmë të shohim sa e llojllojshme dhe e ndërlikuar është kjo botë e mrekullueshme, dhe do mësojmë ta gjykojmë më pak e ta pranojmë më shumë.
Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.
TË NDRYSHME
Skandal, pacientja nga Tetova: "Më dhanë diagnozë të rreme për kancer, m'i ho...
Ardit Ramadani
15/03/2023
Në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup u protestua për mbrojtje të grave dhe vajzave,...
Rita Behadini
31/08/2022
Aktivistja për të drejta të grave në Arabinë Saudite u dënua me 11 vjet burg
12/06/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia