yellow-and-black-modern-corporate-seek-cover-image.png

Shefkije Alasani në Tregime Pjeshkash: Unë dhe liria ime, kemi luftuar shumë për njëra tjetrën

FEMINISTING

March 26th, 2023

Çdo faqe e ditarit tim është një katrahurë emocionesh dhe mendimesh të thella. Është e vështirë të shprehesh publikisht gjendje emocionale personale, qoftë ajo dhe një faqe të vetme ditari, sepse botës jo gjithmonë mund të ja besosh sekretet. Megjithatë dua patjetër të flas për lirinë, atë për të cilën na kanë mësuar se DUHET LUFTUAR PËR TA FITUAR. Nuk e di kush dhe me çfarë të drejte guxon të ja “marrë” dikujt lirinë, saqë ai person të ketë nevojë të luftojë për ta “fituar” të njëjtën prapë. Unë dhe liria ime, kemi luftuar shumë për njëra tjetrën. Liria për të qenë vetvetja, liria për ta kërkuar lumturinë, liria për të vendosur për jetën time, liria për të gabuar dhe për të mësuar vetë nga jeta. Edhe pse në thelb duken kaq të thjeshta, janë shumë të vështira në realitet. 

Liria. Jam rritur dhe jetoj në një shoqëri ku të qenurit vajzë, pra gjinia jote, është arsyeja kryesore se përse të kufizohet liria, ndonjëherë në pretekstin se “po të mbrojnë” dhe ndonjëherë të kufizojnë thjeshtë se “nuk të ka hije të veprosh ashtu se je vajzë”. Kush e merr lirinë të kufizojë një tjetër njeri dhe me çfarë të drejte? Kush e përcakton se çfarë i ka hije një vajze? Patriarkati?

Liria. Përderisa si adoleshente lirinë e gjeja përmes arratisë imagjinare në faqet e librave të ndryshëm, gjatë periudhës së studimeve dëshira për t’u zhvilluar dhe për ta ndërtuar personalitetin tim më dha guxim që të kërkoj më fuqishëm atë që dua. Para dhjetë vitesh, i fillova studimet në Tetovë, edhe pse ëndërr kisha të studioja jashtë vendit. Dëshira për ta prekur qoftë edhe pjesërisht ëndrrën time nuk më linte të qetë. Ndjehem me fat që të paktën kam pasur mundësinë të studioj në gjuhën time amëtare, duke pasur parasysh sa shumë mund por edhe gjak është derdhur për arsimin shqip në Maqedoni. Gjithsesi, ëndrrat ngelin ëndrra dhe unë nuk doja të hiqja dorë prej tyre. 

Liria. Një ditë, gjatë viteve të mia të studimit, kuptova që kisha mundësi të studioja një semestër jashtë shtetit. E pyeta veten me qindra herë se çfarë barrikadash kisha përpara vetes kur po e merrja këtë vendim. E dija, shoqëria jonë patriarkale e ka përcaktuar saktësisht kufirin ku vajzat kanë të drejtë të lëvizin. Gjithsesi, ëndrrat ngelin ëndrra, apo? Kur ndava me të tjerët këtë vendim timin, e vetmja gjë që i bëri përshtypje shoqërisë ku unë jetoj ishte fakti se si unë, një vajzë 20 vjeçare, do e marr rrugën e vetme, të udhëtoj, dhe si do e kaloj gjysmë viti e vetme në vend të huaj. Në vend se një atmosfere gëzimi dhe krenarie, në familjen time u krijua një situatë e tensionuar dhe e sikletshme. Prindërit e mi edhe pse ishin përkrahësit më të mëdhenj, filluan të stepen dhe të frikësohen nëse bëjnë mirë që vajzës së tyre i japin krahë që të jetë e aftë të çajë vetë në jetë. Liria pra. “Si ka mundësi që e keni gjithë atë besim te vajza”, “Për mendimin tim nuk është mirë vajzës t’i jepet gjithë kjo liri” “Pasi i mbush 20 vjeç vajza duhet të hap sytë të gjej një partner e jo të bëjë aventura”... këto ishin disa nga frazat që i dëgjoja shpesh atë periudhë. Ndonëse dikush dikur luftoi shumë për të drejtën e vajzave për shkollim, guximi, suksesi dhe dëshira për edukim në shoqërinë ku unë jetoj ishin të parëndësishme para atyre që përkufizohen si “vlera morale” të maskuara me petkun e përkujdesjes ndaj një vajze. Sidoqoftë, unë e bëra atë që doja dhe e shijova në maksimum çdo moment të mundësisë që e krijova për vete, madje nuk u ndala aty por vazhdova të bëja atë që unë ndjeja se duhej bërë në çdo fazë të jetës sime. 

Liria. Sot unë jam nënë e një vajze të vogël. Shumë sfida edhe për këtë titull. Ndonëse shpesh kam menduar se mëmësia është një formë e kufizimit të lirisë për një grua, sepse ashtu më është shitur, kohëve të fundit kam kuptuar se kam qenë gabim. Të qënurit nënë të bën edhe më të fuqishme, të luftosh për atë që do, gjithmonë nëse ti ke vullent dhe dëshirë. Mëmësia nuk më pengon të punoj, të zhvillohem profesionalisht, të udhëtoj, të bëjë pak aktivitet sportiv dhe të jem një person aktiv në shoqëri. Mëmësia ma ka rritur fuqinë që të mos ndalem duke luftuar për atë që dua dhe të jem frymëzim për vajzën time. Që vajzat si ajo të mos kenë kufizimet që unë kam pasur, që të ndërtojmë bashkë me të një botë më të bukur. Tani dëshira dhe ëndrra ime më e madhe është të rris një vajzë të forte dhe mirë të edukuar, por mbi të gjitha dua të jetë thjeshtë një njeri zemër bukur e mendje ndritur, sepse fundja të gjithë njerëz jemi, dhe të gjithë të lirë duhet të ndjehemi.

Ky tekst është shkruar në kuadër të edicionit të nëntë të "Tregime Pjeshkash" me temë "Një faqe nga ditari im".

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia