September 27th, 2023
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk kanë qasje në mbrojtje universale për shëndetin riprodhues. Kjo u theksua sot nga Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve Maqedonas (MAGO) dhe HERA – Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe hulumtim me rastin e Ditës Botërore të Kontracepsionit (26 shtator) dhe Ditës Botërore të Abortit të Sigurt (28 shtator).
Rreth 36% e djemve dhe 3% e vajzave në moshën 15 vjeçe kanë pasur tashmë përvojë seksuale, theksojnë nga HERA.
"Marrëdhëniet seksuale të mbrojtura janë praktikë vetëm në 20% të vajzave dhe 62% të djemve në popullatën shqiptare ndërsa në popullatën maqedonase kjo përqindje është 64% te djemtë dhe 52% te vajzat. Nga çiftet e reja deri në moshën 29 vjeç, vetëm 12.8% përdorin kontraceptivë modernë. Si pasojë, shkalla e shtatzënisë te adoleshentët në vendin tonë është pothuajse tre herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian", thonë nga HERA.
Pavarësisht këtyre të dhënave alarmante, nga aty theksojnë se asnjë nga pak kontraceptivët modernë të disponueshëm në vend nuk janë në listën pozitive të barnave.
Nga ana tjetër, edhe pse buxheti për kontraceptivë modern falas për vajzat dhe gratë në gjendje të cenueshme, i paraparë me Programin parandalues për nëna dhe fëmijë është rritur nga 100 mijë denarë në vitin 2022 në 500 mijë denarë këtë vit, kontracepsioni falas ofrohet vetëm për gratë me banim në Shkup dhe vetëm përmes Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë (UGAK).
Sigurimi i qasjes për të gjithë njerëzit në metodën e tyre të dëshiruar të kontracepsionit dhe në një metodë të sigurt të ndërprerjes së shtatzënisë është thelbësore nëse duam që të gjithë njerëzit të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre njerëzore.
Gligor Tofoski, kryetar i MAGO
Përkundër faktit se këtë vit shteti më në fund siguroi qasje në informacione të verifikuara për kontraceptivët përmes ueb-faqes dygjuhëshe https://kontracepcija.mk të zhvilluar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe HERA, politikat shtetërore dhe fondet shtetërore për mbulimin e kontracepsionit janë ende të parëndësishme. Këtë e vërteton edhe Atlasi Europian i Kontracepsionit, sipas të cilit RMV-ja renditet me vetëm 46.9% dhe renditet ndër vendet me ngjyrë të kuqe, së bashku me vende si Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Rusia, Bjellorusia, Turqia dhe Hungaria.
Që nga viti 2020, shteti siguron para përmes Programit për Nëna dhe Fëmijë për blerjen e barnave për abortin mjekësor, por shuma është e pamjaftueshme. Përkundër faktit se aborti mjekësor është shumë më i kërkuar se aborti kirurgjik, qasja në këtë shërbim shëndetësor është e vështirë për shkak se këto barna nuk janë të regjistruara në vend. Ky proces mund të zgjasë shumë sepse duhet të jetë në përputhje me planin e prokurimit publik, i cili, nga ana tjetër, nënkupton një sërë procedurash administrative. Kjo, nga ana tjetër, vë në pikëpyetje disponueshmërinë e abortit mjekësor, i cili mund të kryhet vetëm deri në javën e 12-të të shtatzënisë.
Vesna Matevska, menaxhere e programit në HERA
Prandaj, Qeveria sipas tyre duhet që të zgjerojë listën e barnave pozitive me të paktën një kontraceptiv modern, siç ishte premtuar në vitin 2017, rritjen vjetore të buxhetit për kontraceptivët modernë falas në Programin e Nënës dhe Fëmijës dhe gjetja e një mekanizmi të suksesshëm që sa më shumë spitale shtetërore të marrin shuma të përshtatshme si dhe të regjistrohen barnat për abortin mjekësor dhe çdo vit të rritet buxheti për prokurimin e tyre.
Nga aty përfundojnë se kujdesi për shëndetin seksual dhe riprodhues duhet të jetë prioritet nëse shteti dëshiron t'i qëndrojë besnik premtimit të tij dhe jo vetëm të garantojë të drejtat dhe liritë seksuale dhe riprodhuese të qytetarëve të tij, por edhe të avancojë barazinë gjinore dhe të ndryshojë normat e dëmshme gjinore.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia