pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-06-26t154037.018.png

Psikologjia e lidhjeve romantike

N'THELB

June 26th, 2024

Në një periudhë dinamike postmoderne me influencë të madhe të rrjeteve sociale njerëzit filluan të interesohen më shumë se kurrë më parë për arsyen e përzgjedhjes së partnerëve romantik. Në një hulumtim të realizuar në vitin 1995 nga paradigma  evolucioniste konkluzohet se esenca thelbësore e riprodhimit seksual mund të jetë instikti qe i lejon kafshët dhe njerëzit të reagojnë me shpejtësi ndaj një presioni përzgjedhës mjedisor që ndryshon vazhdimisht (siç janë parazitët bashkëevolues). Ky ndërveprim do ishte më efikas  nëse femrat do të ishin në gjendje të ofronin pasardhësve të tyre kombinime të caktuara alelësh për vende që mund të jenë të rëndësishme në garën midis parazitëve dhe pritësve, për shembull MHC (kompleksi kryesor histokompatibil). Studimi tregon se MHC (kompleksi kryesor histokompatibil) ndikon në aromën e trupit dhe në preferencat për aromën e trupit te njerëzit. Studentët femra dhe meshkuj u testuan për HLA-A, -B dhe -DR e tyre.

Çdo student mashkull ka veshur të njejtën bluzë për dy netë rresht, ditën tjetër, nga çdo studente femër u kërkua të vlerësonte aromat e gjashtë bluzave. Ato vlerësuan aromën e trupit të disa meshkujve si më të këndshme nga disa  meshkuj tjerë, kjo dallonte nga MHCja e meshkujve. Ky fakt solli në konkluzë se MHCja ose disa gjene janë të lidhura në përzgjedhjen e partnerit. Kur shikohet nga psikologjia pra shkenca e studiimit të sjelljeve njerëzore dhe arsyeve që nxisin ato sjellje:

Çka është dashuria?

Shumica e hulumtuesëve pajtohen se "dashuria" vjen në një shumëllojshmëri formash. Për shembull, Fisher, Shaver, dhe Carnochan (1990) theksojnë se "dashuria" përfshin dy lloje emocionesh: dashurinë pasionante apo erosin (që ata e quajmë dashuri të përjetshme) dhe dashurinë shoqërore apo aghape (që ata e quajmë simpati). Hulumtimet kanë zbuluar  se shumica e të rinjve kuptojnë dallimin midis "qenies në dashuri" dhe "rrënies në dashuri" dikë.

Hatfield dhe Rapson (1993), gjithashtu, bëjnë dallim mes dashurisë së pasionuar dhe dashurisë shoqërore. Dashuria e pasionuar është gjendje intensive emocionale e identifikuar me një konfuzion ndjenjash: butësi dhe seksualitet, ngazëllim dhe dhimbje, ankth dhe lehtësim, altruizëm dhe xhelozie.  Prezenca e një kërkese ose nevoje intense për unifikim me tjetrin, unifikimi me tjetrin lidhet me realizim dhe ekstazë; dashuria e papërgjigjur (ndarja) lidhet me boshllëk, ankth, ose zhgënjim.

Nga ana tjetër, dashuria shoqërore është një emocion më pak intensiv, që kombinon ndjenja të afeksionit miqësor dhe lidhje të thella. Ajo karakterizohet nga miqësia, kuptimi dhe shqetësimi për mirëqenien e tjetrit. Ajo përcaktohet si "afeksioni që njerëzit ndiejnë për ata me të cilët jeta e tyre është thellësisht e lidhur."

A është Dashuria e Pasionuar një universalitet kulturor?

Nga shkrimi klasik i Darvinit (1871) ‘The Descent of Man and Selection in Relation to Sex’, shkencëtarët kanë diskutuar mbi universalitetin ose jo-universalitetin e dashurisë romantike. Njëherë, shkencëtarët supozonin se dashuria e pasionuar ishte kryesisht një fenomen perëndimor. Sot, shumica e antropologëve presupozojnë se dashuria e pasionuar është një universalitet kulturor.

Për shembull, antropologët Jankowiak dhe Fischer (1992), bënë një dallim të thellë mes "pasionit romantik" dhe "tërheqjes momentale seksuale". Për të përcaktuar se sa normale është  dashuria romantike në nivel botëror, ata zgjodhën një mostrim të shoqërive tribale dhe gjetën se në pothuajse të gjitha këto shoqëri anë e mbarë botës, të rinjtë flisnin për dashurinë pasionante në melodinë e njejtë, rrëfehnin storie dashurie, këndonin këngë dashurie, dhe flisnin për dëshirat dhe vuajtjet e zemërimit. Kur ndjenjat pasionante përplaseshin me dëshirat e prindërve ose pleqve të fiseve, shpesh të rinjtë vuanin në mënyra të ndryshme kështu autorët përfunduan se dashuria romantike është një karakteristikë njerëzore e përgjithshme.

Dashuria, lidhjet romantike, përzgjdhja e partnerëve romantik ka qenë pikë kureshtje e shumë psikologëve dhe psikologëve social, për këtë arsye ka hulumtime të shumta. Për shembull, një studim (Dutton & Aron, 1974) zbuloi një lidhje të ngushtë mes frikës dhe atraksionit seksual. Hulumtuesit krahasuan reagimet e të rinjve që kalojnë dy ura.  Ura e parë ishte një urë e gjatë 137m, e gjerë 1.52m dhe kishte kushte jo të sigurta me rrezik të madh që kaluesit të rrëzohen në ujë. Ura tjetër, pak më lart në rrjedhën e lumit, kishte  një strukturë e sigurtë dhe te fortë.

Të rrinjët duke kaluar nga urrat atyre iu afronte një femër dhe i pyeste për participim në disa anketa si pjesë e ndonjë projekti studimor.

Shumica e meshkujve u përgjigjen se do participojnë "kur të kem më shumë kohë." Ajo ua dha numrin e saj të telefonit në një letër që ata të  mund ta telefonojë nëse donin më shumë informacion. Kush i thirri? Meshkujt që kaluan urën në kushte frike. (9 nga 33 meshkujt në urën me rrezik e telefonuan dhe vetëm dy nga meshkujt në urën e sigurtë).

Dashuria lidhet si me kënaqësi ashtu edhe me dhimbje dhe mund të stimulohet nga çdo një prej tyre. Hulumtuesi Tennov, ka intervistuar mbi 500 të dashuruar pasionant dhe zbuloi se dashuria pasionante është e lidhur si me përvojat intensivisht pozitive, ashtu edhe me ato intensivisht negative. Ka arsye fizike pse dashuria mund të lidhet edhe me kënaqësi dhe medhimbje. Fiziologjikisht dashuria, kënaqësia dhe dhimbja kanë një gjë të përbashkët - ato janë intensivisht stimuluese. Kënaqësia, pasioni, emocioni, si dhe zemërimi, xhelozia dhe urrejtja shkaktojnë një përgjigje "simpatike" në sistemin nervor. Pra e shtysin organizmin në lëvizje. Kjo vërtetohet nga simptomat e lidhura me të gjitha këto emocione: fytyrë e skuqur, duar të djesitura, flutura në stomak, dhimbje koke, dridhje në pjesë të trupit dhe frymëmarrje të shpejtuar. Për këtë arsye, teoricienët shpjegojnë se as kënaqësia, as dhimbja (ose kombinimi i tyre) nuk duhet të ketë potencialin për të ushqyer një përvojë pasionante. Një numër i madh i dëshmive mbështesin hipoetezen  e zakonshme  të kuptueshme se në kushte të duhura, përvojat intensivisht pozitive si euforia, fantazimi seksual, partneri i kuptueshëm, ose emocione të përgjithshme romantike mund të ushqejnë pasionin. Por ka edhe dëshmi për pretendimin më intrigues se në kushte të duhura, ankthi,  frika, xhelozia, vetmia ose  zemërimi madje edhe hidhërimi mund të ushqejnë pasionin.  

Stilet e atashimit të cilat janë modele të krijimit të lidhjes me të tjerët që zhvillohen herët në fëmijëri nga mënyra e atashimit me nënën ose kujdestaren mund të ndikojnë në mënyrën se si individët krijojnë dhe mbajnë marrëdhënie në pjekuri. Këto stile atashimi  zakonisht kategorizohen në stile lidhjesh të sigurta, ankthioze dhe shmangëse/ikëse. Mënyra se si njerëzit zgjedhin partnerët dhe i drejtojnë marrëdhëniet mund të ndikohet nga stili i lidhjes së tyre.  Individët me stil të sigurt atashimi priren të kenë një pikëpamje pozitive për veten dhe të tjerët. Ata janë të kënaqur me intimitet dhe në përgjithësi janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të balancuara.

Individët me mënyrë të sigurt atashimi shpesh zgjedhin partnerë që janë emocionalisht të disponueshëm, mbështetës dhe të besueshëm.

Personat me stil atashimi anksioz mund të kenë frikë nga të qenurit i braktisur dhe shpesh kërkojnë siguri dhe afërsi nga partnerët e tyre. Individët me atashim anksioz  mund të tërhiqen nga partnerë që ofrojnë ndjenjë sigurie, edhe pse shpesh mund të ndihen të pasigurt për marrëdhënien.

Personat me atashim shmangës mund të mbivlerësojnë pavarësinë dhe mund të ndihen pakëndshëm me intimitet emocional. Personat me atashim shmangës mund të tërhiqen nga partnerët që u japin hapësirë dhe nuk kërkojnë një nivel të lartë të afërsisë emocionale.

Shumë disciplina mundohen t’i japin përgjigje pyetjes kush e zgjedh kë? Gjithcka e thënë për dashurinë ndoshta nuk është vetë dashuria. Dashuria, me gjithë magjinë e saj, sa është kulturore aq individuale; sa është e mitizuar aq është reale. Si një akt trimërie dashuria duhet të gjenerojë akte lirie përndryshe nuk është dashuri. Dashuria është një dialog horizontal dhe për shkak se dashuria është një akt i guximit, jo i frikës, dashuria është përkushtim ndaj tjetrit qoftë në pasion ose në afekt shoqëror të lidhjes së thellë.

Sumea Ramadani

Sumea Ramadani

Sumea Ramadani ka mbaruar studimet deri diplomike për psikoterapi në Ankara dhe studimet e ciklit të dytë në Shkup në programen e Psikologjisë Klinike. Punon si asistente në universitet, operatore në Këshillin Nacional për Barazi Gjinore dhe si Psikologe për viktimat e dhunës, gjithashtu si psikoterapiste në Shkup. Ajo është një eksplorues i qenies njerëzore dhe sistemeve kulturore. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia