pink-minimalist-gynecologist-logo-(82).png

Përbindëshat

PASOJA

December 8th, 2023

Ngjarjet e fundit makabre, kriminale dhe tragjike që e kanë prekur rajonin tonë kanë krijuar valë të forta tronditjeje dhe skandali, si në shoqërinë shqiptare, ashtu edhe në atë maqedonase. Vrasjet e tmerrshme, kriminaliteti i papërmbajtur dhe motivet e frikshme që kanë dalë në pah me këto ngjarje, mund të na duken si pasoja të rastësisë, ose krime të rëndomta për motive egoiste, mirëpo në sytë e mi, këto tragjedi nxjerrin në pah plagë të thella të shoqërive ballkanike – plagë të cilat, fatkeqësisht, na kanë përndjekur e vazhdojnë të na përndjekin edhe sot, si përbindësha të së kaluarës e që rrezikojnë ta drejtojnë të ardhmen tonë.

Femicidi

Nuk është sekret që bota vuan nga femicidi – e përshkruar si dhuna drejtuar ndaj grave dhe vajzave.
Në vitin 2021, rreth 45000 gra dhe vajza në botë janë vrarë nga partnerët ose familjarët e tyre. Me të dhënat e atij viti i bie që më shumë se pesë gra dhe vajza vriten çdo orë nëpër botë. Statistika të reja tregojnë që këto tragjedi janë në rritje e sipër, dhe dy të tilla u shtuan së fundmi me vrasjen në Kosovë të Liridona Ademajt – vrasje e urdhëruar nga burri i saj; dhe me vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska në Shkup – vrasje që dyshohet të jetë ndihmuar nga i ati.

Pa dashur të hyj më thellë në motivet dhe arsyet pas këtyre veprimeve, dua të nxjerr në pah fijen që i lidh të dyja ngjarjet – vrasja e femrave prej (ose përmes) burrave të afërt të familjes. Kjo sëmundje fatkeqësisht e prek krejt botën, por i prek posaçërisht vendet që kanë tradita të gjata patriarkale dhe mizogjene, siç janë vendet e rajonit ballkanik, shtetet dhe shoqëritë në të cilat bëjmë pjesë edhe ne. Lidhja e shoqërive tona me femicidin dhe diskriminimin gjinor nuk është një lidhje e re, ose e panjohur. Madje vrasjet e tilla nuk na janë bërë më as risi. Çdo vit dëgjojmë për sulme, përdhunime, vrasje, rrëmbime e shfrytëzime që i prekin gratë dhe vajzat e shoqërisë sonë. Çdo vit jemi dëshmitarë të tragjedive të tilla, jemi dëshmitarë të vuajtjeve të mëdha, por si burra, jemi (ose të paktën duhet të jemi!) dëshmitarë edhe të një turpi të madh – turpit të botës mashkullore në shoqëritë tona ballkanike. Si burra të këtyre shoqërive kemi dështuar në krijimin e një mjedisi të shëndoshë; kemi dështuar në krijimin e një fryme të shëndoshë burrërie, në edukimin e një burrërie të shëndoshë te të rinjtë, a madje nuk mund të themi më as që ofrojmë dhe krijojmë siguri te gratë dhe vajzat tona, ashtu siç do të pretendonte dikush që e sheh rolin e burrit si mbrojtës dhe sigurues të posaçëm për familjen, gratë dhe vajzat.

Bota mashkullore në shoqëritë ballkanike është treguar përgjithësisht e dështuar, a tragjeditë e tillë shërbejnë për të na i rikujtuar problemet e thella që na përndjekin edhe në ditët e sotme, kur me aq trimëri e vetëpëlqim thërresim se jemi modernë, të emancipuar e të përparuar.

Tragjeditë e tilla na rikujtojnë se, në fakt, pavarësisht zbukurimeve e përpjekjeve të shumta për t’u dukur të përparuar e të formuar, brenda shoqërive tona vlojnë ide dhe mendësi që janë aq të prapambetura, sa janë shkatërruese – TMERRËSISHT! Për këtë realitet, sa mund të fajësohen përbindëshat individualë, duhet të fajësohemi edhe ne si kolektiv. Duhet të fajësohemi jo veç për ndikimin negativ që mund të lëmë te rinia jonë, me (mos)shembujt e këqij që jemi apo që lejojmë të ekzistojnë në mesin tonë, por duhet të fajësohemi edhe për indiferencën e turpshme që shpesh shfaqim kur hija e dhunës ndaj grave a vajzave na mbulon, a po ashtu, duhet të fajësohemi edhe për rastet kur lejojmë që torollakët, injorantët e batakçinjtë të përflasin e të përdhosin ato gra e vajza të vrara a të dhunuara, sikur këta të parët të ishin gjyqtarët supremë të moralit e të drejtës njerëzore. Duhet të fajësohemi se lejojmë të ndërtohen njerëz të tillë në shoqërinë tonë. Ky është faji i të gjithëve!

Profili i një përbindëshi

Kur u zbuluan kriminelët e dyshuar për përfshirje në vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska nuk munda të mos mendoja rreth lidhjeve që këta njerëz i kishin me njëri-tjetrin dhe me disa ideologji që po e prekin shumë Europën e Ballkanin. Realiteti i ri europian dhe ballkanik është i frikshëm. Në shtresa të gjera të popullsisë promovohen ideologji ekstreme, dhunë dhe egërsi. Të gjithë të përfshirët në këtë vrasje janë pjellë e një sistemi patriarkal që nxit përçarje dhe urrejtje, nxit ndasi dhe mëri.

Të gjithë këta kriminelë janë ndjekës të një fryme pseudo-patriotike, ose thënë ndryshe, nacionaliste; ishin ekstremistë të qartë politikë dhe kombëtarë, po siç duket, edhe ekstremistë gjinorë. Ajo që dua të them është që, duam apo s’duam, ekstremi nacionalist dhe tradicionalist duket të jetë i lidhur thellë me ekstremin gjinor, duket të jetë lidhur thellë me një urrejtje ndaj botës femërore, me një përçmim të pashpirt ndaj grave dhe vajzave – aq e pashpirt madje, sa të çojë në vrasje të një 14-vjeçareje, një shpirti të papërlyer. A lind ekstremizmi në një gjë, ekstremizëm në një gjë tjetër? Ndoshta edhe po, është diçka që duhet ta reflektojmë.

Nëse duam ndonjëherë që ta trajtojmë këtë problematikë, duhet ta kemi të qartë se duhet të trajtojmë shumë plagë, në shumë fusha të ndryshme të shoqërive tona, e nuk mund ta zgjidhim problemin duke u përqendruar veç në rezultatet e tmerrshme që vijnë nga një edukim i kamotshëm patriarkal dhe i dhunshëm. Duhet të trajtojmë shumë parazitë shoqërorë e mendorë, që të mund ta trajtojmë edhe problemin e femicidit dhe dhunës në familje.

Duhet të kemi guximin që të përballemi me ekstremizmin, me edukimin ekstrem, me mendësitë përçarëse, me idetë e dhunshme. Duhet ta kemi guximin që të përballemi edhe me dragonjtë tanë të brendshëm, duhet ta kemi guximin që disa herë ta kthejmë gishtin edhe kah vetja dhe të mendojmë dy herë për gjykimet tona që shpesh mund të jenë të nxituara e të tepruara. Duhet ta kemi guximin ta pranojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe mos ta gjykojmë njëri-tjetrin! Mirëpo, duhet ta kemi guximin që ta shmangim indiferencën dhe të marrim një qëndrim aktiv dhe të ri ndaj vështirësive shoqërore.

Shoqëritë ballkanike, ndoshta falë traumave dhe vështirësive historike, kanë pjellë shumë përbindësha. Pre të këtyre përbindëshave ishin edhe këta dy njerëz, dy shpirtra me ëndrra, shpresa, mendime dhe ndjenja. Dy shpirtra që u shuan nga dora e moçme dhe e stërgjatë e plagëve të shoqërive tona. Dy shpirtra që u shuan prej dhunës shekullore të botës patriarkale, një bote që i sheh gratë e vajzat si marioneta në lojën e saj të kukullave. Por në këtë rast, përbindësha nuk do t’i quaja veç kriminelët që i kryen këto veprime makabre. Për mua përbindësha janë edhe idetë dhe rrymat që lejojnë dhe justifikojnë veprime të tilla, janë ato frymë nacionaliste, mizogjene, ekstremiste dhe përçarëse që na përndjekin këtu në Ballkan e më gjerë. A që t’i mposhtim këta përbindësha është e rëndësishme që mos të heshtim. Nuk duhet dhe nuk mund t’i kalojmë këto tragjedi si disa anomali të rralla, pasi nuk janë as anomali, e fatkeqësisht, nuk janë as të rralla. Nëse lihen në rehati, ato veç do të përhapen e do të zgjerohen, e nëse lihen të padënuara ligjërisht dhe shoqërisht, veç do t’u rritet vetëbesimi kriminelëve që t’i përsërisin këto akte. Duhet vepruar shpejt dhe fuqishëm, jo vetëm prej grave, por posaçërisht prej burrave të shoqërive tona! Duhet të tregohemi të urtë, të vendosur dhe të hapur për të krijuar një shoqëri më të mirë, për të krijuar një botë më të mirë mashkullore, ose përndryshe do të vazhdojmë të zhytemi në llumin ku kemi nisur të fundosemi.

SHKRIMI ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia