Untitled-(1440-x-550-px)-5.png

Pavarësia ekonomike e grave, parakusht për ta parandaluar dhunën ndaj tyre

PASOJA

November 21st, 2021

Më shumë se nëntë muaj nga miratimi i Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore dhe dhuna familjare, institucionet nuk japin të dhëna se sa gra që kanë qenë viktima të dhunës janë punësuar me qëllim që të pavarësohen ekonomikisht. Punësimi i tyre, si masë për fuqizimin ekonomik të grave që përjetojnë dhunë në familje, ishte një nga hapat e premtuar me Planin e veprimit të Ministrisë së Punës dhe Politikës sociale. 

Bojana Stevçeska nga Agjencia e Punësimit, për Mollëkuqja, ka deklaruar se në masën e subvencionimit të pagave, ku synohet mbështetja e punësimit të të papunëve dhe që kanë vështirësi në hyrjen në tregun e punës, një nga grupet e synuara janë edhe viktimat e dhunës në familje. 

“Përfitues janë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ndërmarrjet sociale dhe organizatat e shoqërisë civile që ushtrojnë aktivitet ekonomik dhe ndërmarrjet e reja të krijuara përmes Programit të Vetëpunësimit në vitin 2020. Shuma e mbështetjes financiare është 19.000 denarë në muaj për një periudhë prej tre, gjashtë ose 12 muaj për punësimin e personave nga grupet e synuara”,

Bojana Stavçeska

Ajo bën thirrje deri te gratë që janë viktima të dhunës në familje të paraqiten për t’u bërë pjesë e aktiviteteve “për përfshirjen e tyre në masa aktive punësimi, trajnime, ndërmjetësim në punësim, përvetësim të aftësive bazë, përgatitje të planit individual për punësimin e viktimës, informim për vendet e lira dhe punësim”. 

Por, kjo masë është më shumë e lidhur me pasojat e shkaktuara nga pandemia. 

“Në shumë nga masat e punësimit gjatë vitit 2020 gjatë pandemisë së shkaktuar nga virusi korona, përfaqësimi i grave ishte shumë më i lartë në raport me burrat. Gratë ishin më të përfshira në praktika, trajnime sipas kërkesës, subvencionimi i pagave dhe kështu me radhë”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale 

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit, thonë se do të bëjnë përpjekje edhe këtë vit që gratë të përfshihen sa më shumë në masat e punësimit.

SHUMË PAK GRA ME BIZNESE DHE PRONA

Pavarësia ekonomike e grave forcon rolin e tyre si në shoqëri dhe në institucionin familje. Në vendin tonë ajo është sfidë në vete dhe një utopi vështirë e arritshme.  Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), nga numri i përgjithshëm i grave nga mosha 15 deri në moshën 65 vjeçe, vetëm 300.549 gra janë të punësuara. Ndërsa për burrat, për grupmoshën e njëjtë ky numër arrin deri në 458.505. Ndërkohë në anën tjetër, sa i përket numrit të grave të pa punësuara dhe popullatë joaktive, numri i përgjithshëm i tyre arrin në 539.905. Ndërsa ky numër për burrat e papunësuar dhe joaktivë është vetëm 383.743.  

Pavarësia ekonomike e grave është faktor që në masë të madhe përcakton edhe nëse gratë që janë viktima të dhunës familjare do të marrin ose jo guximin të çlirohen nga “burgu” të cilin e krijojnë dhunuesit për to.

Gëzime Fejza, sipërmarrëse dhe pronare e një biznesi, për Mollëkuqja.mk, ka deklaruar se sa i përket pavarësisë financiare të grave në shoqërinë tonë është ecur mirë edhe pse nuk është arritur akoma në nivelin e kënaqshëm. 

“Ne me arsimimin e gruas kemi ardhur në ndryshime të mëdha, përmirësimin e jetës së saj dhe ku një numër i tyre sot janë të pavarura nga familja, burri apo në raste tjera edhe nga djali. Dhuna ndaj grave ka ekzistuar edhe më parë, por fatkeqësisht edhe sot kemi raste të tilla ku gruaja dhunohet nga ana e bashkëshortit apo ndonjë anëtari tjetër të familjes”

Gëzime Fejza

Gezime-Fejza.jpg

Ajo bën thirrje deri te të gjithë gratë që me çdo kusht të arsimohen dhe të punojnë për të qenë të pavarura në të ardhmen dhe të dinë si të veprojnë me jetën e tyre. 

“Ne kemi dëgjuar raste ku burri ka ushtruar dhunë mbi një grua të punësuar dhe me të ardhura të sigurta, ajo në këtë rast e ka pasur më të lehtë të divorcohet me burrin e saj. Ndërsa në raste ku gruaja nuk ka qenë e punësuar dhe e pavarur ekonomikisht, ajo edhe pse ka qenë viktimë e dhunës nuk ka pasur mundësi të divorcohet”, nënvizoi ajo. 

Në fund Gëzime Fejza, ka rekomanduar deri te të gjithë gratë që duan të fillojnë një biznes privat të mos ngurrojnë. 

“E gjitha që ju duhet ta keni është ideja, qëllimi dhe besimi në vete dhe gjithçka do të jetë e arritshme”, përfundoi ajo. 

GRATË VIKTIMAT MË TË SHPESHTA TË DHUNËS NË FAMILJE 
Ana-Avramoska-Nushkova.jpg

Sipas organizatave joqeveritare, dhuna në familje e veçanërisht ajo ndaj grave nuk është zvogëluar viteve të fundit por fatkeqësisht ajo është konstante vite me radhë. 

Ana Avramoska Nushkova, nga Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje për Mollëkuqja.mk, ka thënë se numri i viktimave të dhunës në familje, sipas statistikave të MPB-së e cila i publikon çdo fund vit, nuk kemi ndryshime të dukshme të dhunës në familje në dy vitet e fundit. 

“Numri i viktimave të dhunës në familje gjatë vitit 2019 ka qenë 9.891, derisa gjatë vitit 2020  ishte  9.922 viktima. Përqindja ku gratë ishin viktima gjatë dhunës në familje ishte rreth 85 për qind, 10 për qind burra dhe 5 për qind fëmijë”, deklaroi Avamoska Nushkova.

GRATË ZGJEDHIN MES DHUNËS DHE TË PASTREHËS 

Sipas Nushovska, pavarësia ekonomike e grave është një ndër faktorët kryesorë dhe më të rëndësishëm, pasi që një grua e pavarur ekonomikisht mund të largohet më lehtë nga një ambient i dhunshëm. 

“Gjëja më kryesore që na shqetëson për gratë është strehimi i tyre. Kjo pasi që shumë pak gra në Maqedoninë e Veriut, posedojnë pronë në emër të tyre ose jetojnë në një banesë apo shtëpi e cila është në pronësi të tyre. Kjo është arsyeja pse largimi nga vendbanimi i përbashkët nënkupton ose kthimin te prindërit ose marrjen me qira të një apartamenti, të cilën ata zakonisht nuk mund ta përballojnë dhe rëndon buxhetin e tyre i cili tashmë është i ulët. Opsioni i grave në vendin tonë është se ata duhen të zgjedhin në mes të pastrehës ose dhunës”,

Avramoska Nushkova

Nga muaji shkurt i këtij viti në vendin tonë ka hyrë në fuqi dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Përmes Ligjit, rregullohet ndërveprimi i institucioneve gjatë marrjes së masave për parandalimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje, veprimi i institucioneve për mbrojtjen e grave nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, koordinimi i ndërsjellë i institucioneve dhe organizatave, shërbimet për mbrojtjen e viktimave dhe mbledhja e të dhënave për dhunën me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje. Shteti detyrohet të sigurojë risocializim të viktimave të dhunës, sigurim shëndetësor dhe mundësi ekonomike. 

Zenel Miftari

Zenel Miftari

Zenel Miftari është absolvent në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Tani më dy vite është i punësuar në gazetën e përditshme KOHA dhe kryesisht merret me trajtimin e temave të arsimit dhe temat sociale. Ai është edhe aktivist i shoqërisë civile.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia