pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-03-29t204008.412.png

'Mollëkuqja' ishte në marshin për të drejtat e transgjinorëve në Shkup, Miliq: Kërkojmë pranimin ligjor të gjinisë

MARRE

March 29th, 2024

Një grup i aktivistëve dhe mbështetësve të personave transgjinorë sot marshuan rrugëve të Shkupit për të shënuar ditën ndërkombëtare për vizibilitet të personave transgjinorë. Përmes mbishkrimeve si ‘të drejta për personat transgjinorë’, ‘nuk më duhet leje që të jem kjo që jam’ këta aktivistë dërguan mesazhe se personat transgjinorë kanë qenë dhe do të jeni pjesë e shoqërisë tonë, për këtë arsye duhet të ju takojë çdo e drejtë.

Marshi u organizua nga Iniciativa për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të personave transgjinorë TransFormA. Lila Miliq nga kjo iniciativë për ‘Mollëkuqja.mk’ foli për rëndësinë që ka ky marsh për ata si organizatorë, por edhe për personat transgjinorë në vend.

“Qëllimi kryesor i këtij marshi, të organizuar për Ditën Ndërkombëtare për Dukshmërinë e Personave Transgjinorë - është t'i tregojmë dhe dëshmojmë shoqërisë si dhe institucioneve që ne jemi këtu, që ekzistojmë dhe duhet të jemi të dukshëm si gjithë qytetarët tjerë.”

Rreth impaktit që Lila shpreson ky marsh të ketë mbi publikun e gjerë dhe perceptimin e tyre për të drejtat e personave transgjinorë, ajo shprehet që impakti ballafaqohet me një problematikë të madhe, e ajo është mosprezenca e mediave për t'i raportuar këto ngjarje.

"Nëse nuk ka mediume, nuk ka as dukshmëri. Prandaj jemi aq të zëshëm, prandaj organizojmë marshe të tilla që shoqëria të na sheh, ndërsa mediumet të raportojnë në platformat dhe televizionet e tyre." tha ajo.

Për nevojat më urgjente të personave transgjinorë, Lila Miliq thotë që ndihma dhe mbështetja psikologjike është e para në listë. Iniciativa TransFormA ua ofron këtë mbështetje personave transgjinorë, ndërsa shërbim tjetër i ofruar nga kjo iniciativë është edhe ndihma ligjore rreth ndryshimit të dokumenteve, e cila ofrohet pa pagesë.

"Mbi të gjitha, kërkojmë pranimin ligjor të gjinisë, pra personave transgjinorë t'u mundësohet ndryshimi i dokumenteve, përkatësisht shenja e gjinisë dhe numri amë në letërnjoftim, dhe ky ndryshim të bëhet në mënyrë të shpejtë, transparent dhe të thjeshtë, pas së cilit ata mund t'i gëzojnë të njëjtën liri si qytetarët tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut." shtoi Miliq.

19da1b86-f2a8-4297-8062-db78125fe82d.jpg

Ndër pjesëmarrësit në marsh ishte Elena Danova nga Shoqata për Zhvillim Edukativ – EKVALIS. Për Mollëkuqja.mk ajo thotë se si pjesë e një organizate që punon me të rinj të komunitetit LGBTI, e ndiejnë obligim moral të mbështesin dhe të jenë të pranishëm në marsh për personat që nuk ndiehen të sigurt të marrin pjesë.

Ndërsa për qëndrimet e popullit ndaj personave transgjinorë, Danova thotë "Është e dukshme që njerëzit më të përafërt me grupet aktiviste informohen dhe edukohen mbi sfidat e personave transgjinorë, bëhen më empatikë dhe më të hapur ndaj ekzistencës së identiteteve të ndryshme gjinore". Por, nga ana tjetër, ajo shpreh shqetësim për personat që nuk janë të përfshirë në aktivizëm dhe nuk kanë kontakt me komunitetin trans. "Personat që janë nën ndikimin e lëvizjeve konzervative dhe anti-gjinore jo vetëm që nuk i përmirësojnë qëndrimet e tyre ndaj personave trans, por edhe radikalizohen më tej drejt urrejtjes dhe nxitjes së dhunës ndaj personave trans".

Një trans djalë që mori pjesë në marshin e sotëm dhe pranoi që Mollëkuqja.mk t'i referohet me pseudonimin "Krenar", thotë që është shumë e rëndësishme të normalizohet qënia trans. "Personat trans meritojnë të integrohen në shoqëri dhe të përfaqësohen në media. Kjo do të shpie në ndryshimin e perceptimit tek njerëzit që t'i shohin personat trans si gjithë të tjerët, si njerëz."

Krenari thekson nevojën e krijimit të politikave që u përshtaten nevojave të komuniteteve pakicë. "Nuk e kuptoj pse njerëzit trans është dashur ta paditin shtetin në gjykatë ndërkombëtare vetëm për të patur gjininë e saktë në letërnjoftimin e tyre. Është shumë e panevojshme". Ai flet për rastin "X kundër Maqedonisë" në vitin 2019, ku Gjyqi në Strasburg mori vendim pozitiv ndaj burrit transgjinor për të ndryshuar të dhënat e gjinisë së personit X dhe njohjen e identitetit të tij gjinor.

Mollëkuqja.mk e pyeti Krenarin se çfarë mund të bëjnë aleatët e komunitetit transgjinorë për t'i përkrahur të drejtat transgjinore.

"Reflekto mbi perceptimin çnjerëzor për personat trans ndaj të cilit je ekspozuar si i/e vogël. Mendoji të gjithë ata persona trans të cilëve kurrë nuk u është lejuar të jetojnë një jetë të përmbushur dhe sa e panevojshme është kjo gjë. Fillo me veten, dhe ndërto një perceptim të ri për personat trans. Gjithmonë ka hapësirë për t'u përmirësuar si njeri, dhe gjithmonë mund të jesh një alet më i mirë".

Ky marsh filloi para Qeverisë ndërsa përfundoi para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është hera e pestë që ‘TransForma’ organizon një marsh të tillë në Shkup. Lajm i mire është se në këtë marsh nuk është regjistruar asnjë incident.

 

Fatos Grubi

Fatos Grubi

Fatos Grubi ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Tetovës. Ai është shkrimtar, poet dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Fatosi ka punuar si mësimdhënës, kurse për momentin punon në “Sopro” si Ekzekutiv Marketingu.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia