August 31st, 2023
Nga letërsia e vjetër shqipe deri tek periudha realiste pothuajse aspak nuk ndeshim gra që kanë shkruar letërsi dhe rrallë ndeshim krijime ku gruaja është heroina kryesore. Në ato pak vepra letrare ku gruaja është personazh në roman, kuptojmë dhe arsyen e vërtetë se pse autoret gra në letrat shqipe mungojnë: ato nuk kanë pasur libra të botuara, por ishin ato të cilat dhanë kontribut për krijimin e letërsisë popullore shqipe e cila është themeli i letërsisë së shkruar. Gratë krijuan këngët e djepit, përrallat, gjëegjëzat, këngët e dasmave dhe siç e dimë tashmë letërsia që u shkrua më vonë nga burrat, zanafillën e ka te letërsia gojore. Mungesa e një emri gruaje në letërsinë shqipe mbajti për një kohë, por një ndryshim i pritur shumë gjatë, erdhi hovshëm dhe u bë i pandalshëm.
Të ndalemi te shkrimtarët burra të cilët ishin zëri i këtyre grave të heshtura. Nazmi Rrahmani ishte ai zë, por a pati ky zë efektin e duhur? Portretizimi i gruas shqiptare dhe jeta e saj e nëpërkëmbur është shqetësimi kryesorë në këto pak vepra. Gruaja si personazh në romanin e Nazmi Rrahmanit jetoi një jetë përplot padrejtësi, vuajtje të një pas njëshme që erdhën si pasojë e pabarazisë gjinore. Malësorja është simbol i dhimbjes por dhe i forcës. Shkrimtari i nxitur nga ndjenja të thella njerëzore e shpalos këtë realitet të mynxyrshëm të gruas shqiptare në letrat e tij. Ai nuk është indiferent ndaj përbuzjes dhe nënshtrimit që i bëhet gruas andaj dhe rrëfeu jetën e tyre reale duke na dhënë një imazh shumë të qartë për shoqërinë shqiptare të kohës. Diçka e veçon këtë libër nga të tjerët. Çfarë ndryshimi bëri Nazmi Rrahmani për gruan shqiptare në letërsi? Nëse gruaja në letërsinë tonë nuk i rezistoi dot vështirësive të jetës, te Malësorja kemi atë grua që pavarësisht ndjenjave të saj të vrara ajo mbahet në jetë për të realizuar ëndrrat të cilat nuk ishin të thjeshta dhe të zakonshme, por ëndrra që kërkojnë një forcë të madhe dhe vullnet të madh për t’u arrirë. “Dëshironte më tepër se të gjitha të ishte e fuqishme. E fuqishme sa të mos përfillte asnjë vendim të njerëzve.”
Realiteti i treguar në këtë vepër bëhet akoma më shqetësues kur e kupton se sa aktual është. Jeta e Hajrijes ndryshon në momentin kur dy burra ia presin rrugën dhe mundohen ta bëjnë të veten. Ajo gjen forcën t’u shmanget por u fajësua dhe jetoi gjithë jetën me turp për gabime që nuk i bëri kurrë. Këtu faj nuk kishin burrat se ajo “vet e ka lyp”. A nuk ju duket e njohur kjo fjali? Këtu dhe na del aktualiteti që e gjejmë te vepra e Rrahmanit. Ai nuk e vuri kot personazhin përballë një situate kaq të rëndë, sepse në të tilla situata janë ndodhur kushedi sa gra dhe ne vazhdojmë të themi se si ato “vet e lypin” dhe se “çikat nuk kishin qenë për tjetër vetëm për të zezat e babës”. Pjesa ku personazhi baba flet për bijën e tij se: “pjella ime me ma sjellë vdekjen se? Ta kisha ditë vetëm dy ditë përpara me e vra vetë”, është mjaft shqetësuese për t’u lexuar por bëhet akoma më tmerruese nga vetë fakti se me të tilla akuza përballen çdo ditë vajzat shqiptare.
Fati i malësores rrotullohej në duart e burrave ndërsa asaj vuajtjet i paloheshin mbi njëra tjetrën duke i shtuar secila nga një rrudhë në ballë. Ajo qante se jeta ishte më e vështirë se vdekja. Në ato male të egra ishte shënuar fati i pamëshirshëm i çdonjërës.
Gjithmonë e kemi menduar se në odën e burrave janë bërë biseda me peshë dhe vlera të mëdha për një të ardhme më të mirë dhe për zhvillimin e shoqërisë. Duke lexuar Nazmi Rrahmanin shikojmë një odë burrash shumë zhgënjyese, ku flitej veç për fatin e gruas dhe ku mendimi i drejtë shfaqej shumë shumë rrallë. Aty burri quhej burrë vetëm kur sigurohet se ka bërë ç’ka dashur me fatin e tjetrës. Aty ku u devijua burrëria dhe mbajti rrugën e shtrembur për vite e vite, deri në ditët e sotme.
“Grueja nuk ban me hi te burrat. Nuk ban me e ditë edhe ajo për këtë punë. Burra janë e ata duhet me i ndreq këto. Ata bajnë çka duen gruja nuk guxon me u përzie në punët e tyre.” Në këtë fragment do theksojmë fjalinë “punët e tyre”. Këto “punët e tyre” ishin pikërisht njollosja e një vajze të re të pafajshme dhe përcaktimi i fatit të saj. Sa burrërore apo? Fatkeqësia qëndron aty atëherë kur çdokush ushqen veten dhe të tjeret me mendimet se “vajzat për këtë punë janë more. Duhet me i rritë, me ça kryet me to, me i hangër të gjitha ato të idhta, e ma së mbrami me i çue në derë të huej.”
Nazmi Rrahmani rrëfeu për atë kohë, duke e ditur se këto zakone do të ishin të vështira për t’i çrrënjosur nga shoqëria shqiptare. Vepra e tij është e pavdekshme, jo vetëm për vlerat e larta letrare por për realitetin dhe aktualitetin e kësaj vepre. Një realitet i tillë përfshinë gjithë vendet ku ka shqiptarë. Ndryshimi i vogël është bërë vetëm sipërfaqësisht në disa qytete kryesore, pjesa dërmuese çdo ditë jeton po këtë jetë, të malësores, ndoshta edhe më keq.
Gruaja shqiptare ka një forcë të jashtëzakonshme, sikur burrat t’ua "lejonin" grave që këtë forcë ta shfrytëzonin për shkollim dhe edukim të mirëfilltë, populli shqiptarë nuk do të ishte i zhytur në baltë. “Një grua shqiptare që nga pamja nuk dukej aq e moçme” shkruan Nazmi Rrahmani “megjithëse mund të vërehej lehtë se gjatë jetës kishte mbledhur mbi kurrizin e vet një barrë të rëndë vuajtjesh.”Ky përshkrim është tepër real për gruan shqiptare sepse dhe sot çdo ditë shohim të njejtën pamje te gratë tona, te vetvetja. Këtë imazh të gruas shqiptare që na jep autori e shohim çdo ditë te nënat tona. Ajo ka rrudha në fytyrë më shumë nga çka vite.
Romani që shkroi Nazmi Rrahmani është ndryshe nga të tjerët sepse burrat e Llapit e të Gollakut nuk e patën hiç të lehtë. Ata nuk e dinin se s’mund të ndrydhësh një shpirt të lirë. Nuk mposhtet dikush që jeton me ëndrra. Këtë artikull do ta mbyll me një nga pjesët më shpërthyese që është shkruar ndonjëherë në letërsinë shqipe “shpirtin tim kurrkujt nuk ia kam borxh edhe nëse ia kam trupin. Me kryet timin baj çka due, e me zor ku nuk dua nuk rri. Nji herë kam lindë e nji herë kam me vdekë.” Pra, ajo “kishte vendosur të ndëgjojë urdhrat e zemrës e jo ato të tjerëve.”
KY SHKRIM ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.
Besarta Ramadani është Magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë studimeve ka qenë pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme me disa studime letrare. Ka të botuara poezi në një përmbledhje poetike. Ajo është bashkëautore e disa punimeve të botuara në revista shkencore. Për dy vite ka punuar si lektore. Aktualisht punon për një qëllim të vetëm, që libri të jetë pjesë e pandashme për njerëzit rreth saj dhe jo vetëm.
TË NDRYSHME
Në Maqedoninë e Veriut çdo e dhjeta vajzë përjeton dhunë online, shteti s'bën...
Fisnik Xhelili
28/09/2023
Vjollcë Berisha në "Llafe Grash": Burrat pozitën e grave në shoqëri e barazoj...
Rita Behadini
10/01/2024
FNH ka ndryshuar rregulloren "seksiste" të veshjes , lojtaret e hendbollit do...
Rita Behadini
02/11/2021
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia