Untitled-design-11.png

Kur një vajzë bëhet grua?

MARRE

December 20th, 2021

Në besimin e krishter numri tre shërben si sinonim i Trinitetit të Shenjtë: të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Përveç kësaj në botë besohet se ky numër lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, dhe se gjithashtu është simbol i tre fazave të jetës: si lindja, martesa dhe vdekja. Regjisorja iraniane Marzieh Meshkini në filmin e saj “The Day I Became a Woman” përdor metaforën e këtij numri për të treguar me anë të tre filmave të shkurtër 24 minutësh vajzën, gruan dhe plakën iraniane. Ajo, përmes tre etapave jetësore të gruas tregon vendin e saj në shoqërinë iraniane dhe jo vetëm. Edhe pse në dy storiet e para duket sikur regjisorja po tregon vetëm vështirësitë e gruas në Iran, me storien e tretë dhe tregimin surrealist të saj, ajo, bashkon tre historitë duke i çliruar drejtë kaltërsisë së detit të pafund për t’u dhënë lirinë e merituar nga familja, burri (kryesisht) nga shoqëria iraniane.

HAVA

Hava, ti tani je një grua. Duhet ta mbulosh kokën.

Emri i tregimit të parë asocon me emrin e gruas së parë në historinë e njerëzisë. Hava (Fatemeh Cherag Akhar), është një vajzë që në datëlindjen e nëntë kupton nga e ëma dhe gjyshja se nuk guxon më të luaj me shokun e saj Hasanin (Hassan Nebhan) dhe se duhet të mbulojë kokën si pasojë e asaj që tanimë ishte bërë grua. Pjesa më mallëngjyese e filmit është se Hava duhet të masë kohën me anë të një shkopi i cili kur nuk do të kishte më hije (në pasdite) do të tregonte se Hava duhet të kthehet në shtëpi, sepse tanimë ishte bërë grua. Ky tregim që i ngjan përrallës së Hirushes, me kthimin e Havës në shtëpi nënkupton “burgun” e vajzës që bëhet grua. Princi i Hirushes iraniane është Hasani i vogël me të cilin, Hava han lëpirëse bashkë, skenë kjo që u cilësua erotike në sytë e popullit iranian. Kjo skenë përveç impaktit përrallor në një shoqëri fetare si ajo e Iranit duket si metaforë e mëkatit të parë njerëzor pasi është Hava ajo që e ushqen Hasanin dhe është Hasani ai që mrekullohet nga cilësitë femërore të Havës . Skena tjetër ku Hava e vogël jep shaminë e kokës për të fituar një lodër të vogël apo edhe dëshira e Havës për të ngrënë akullore në skenën ku nëna i flet për idenë e të qenurit grua, janë simbolika që theksojnë shpirtin fëmijëror të Havës. Regjisorja është munduar me detaje sa të thjeshta aq edhe tronditëse duke mos shtuar asgjë më shumë të paraqes patjetërsueshmërinë e rritjes së padëshiruar të vajzave të mitura në vendin e saj.

AHOO

Pse vozisni biçikletë? A nuk keni burra ju?

Historia tjetër, ashtu edhe si përkthimi i emrit të personazhit kryesor Ahoo që do të thotë drer, tregon një histori luftarake. Ahoo (Shabnam Tolouei) e cila i është bashkangjitur një maratone grash me biçikleta rreth detit, mundohet të ndalet nga i shoqi, fillimisht se nuk e kishte këmbën mirë dhe më pas se kjo që po bënte ishte punë e djallit. Regjisorja me gradualitetin e fjalimit të burrit të Ahoo-t, i cili gjatë maratonës së pandalshme të Ahoo dërgon edhe njeri fetar po edhe burrat e familjes e Ahoo-z që ta bind këtë të fundit të kthehet nga “gabimi” i bërë , tregon lojën psikologjike që gjinia mashkullore luan me gjininë e kundërt për të fituar forcën që gjatë historisë gjithmonë e kishte pasur në dorë. Një gjë që të bën përshtypje është se derisa burrat janë në skenë dëgjohet vetëm zëri i kalit kurse kur ato largohen, Ahoo-në këtë rast gruaja- fiton lirinë duke u dëgjuar zëri i zhurmës që bënë biçikleta apo edhe vetëm dallgët e detit. Ahoo, një grua e shkurorëzuar që vozit biçikletë, në fund ndalet nga familja e saj në mes të rrugës. Gjatë këtij tregimi, regjisorja arrinë të na bëjë të besojmë në fuqinë e gruas por me përfundimin që i jep na bën të kuptojmë pengesat e njëpasnjëshme të gruas në shoqërinë ku ajo jeton. Duket shumë qartë se regjisorja më shumë se sa të na lë të lundrojmë në imagjinatën se gjithçka do të bëhet mirë do të na hapë sytë për të parë më mirë botën në të cilën gjindemi.

HOORA

Dua t’i blejë të gjitha gjërat që nuk kam pasur mundësi t’i posedoj gjatë tërë jetës time.

Storia e tretë, ajo e Hoora-s (Azizeh Sedighi) është tregimi i vajzës së bukur me sytë e zi që tanimë është një plakë e ve me një pasuri të majme. Ky tregim që sa shkon e duket më ndryshe se dy të parët, tregon historinë e një plake që do të posedojë gjithçka që nuk ka pasur kur ishte e re, si: frigorifer, një dhomë gjumi, madje edhe një fëmijë. Në këtë pjesë të filmit gjithashtu vërehet problem: punëtori fëmijë dhe racizmi. Madje, krejt i padukshëm por jo i pa evitueshëm, i kuruar në atë mënyrë që në një kinema si ajo e iranit që është plotë cenzurë, në një lojë të fëmijëve, veshja e një djali të vogël me fustan nusërie bën që t’iu kushtohet një vend apo një hapësirë edhe atyre që ndihen gra. Në anën tjetër vendosja e të gjithë mobilieve në qiell të hapur është ironi e shtëpisë ku gruaja duhet të qëndroj e strukur, e heshtur dhe e mbyllur. Hapja e të gjithë rrobave dhe vet Hoora-s në det është skenë reciproke e qetësisë dhe lirisë shpirtërore dhe fizike të gruas. Ky tregim dhe ëndrra e realizuar e Hoora-s për të pasur gjithçka që nuk kishte poseduar gjatë jetës së saj, është metafora e realizimit të ëndrrave të të gjitha grave mes tyre edhe Havës dhe Ahoot.

E bukura e pjesës së fundit qëndron se me anë të dialogut të dy vajzave që vijnë, në kokat tona krijohet idea se Ahoo ka vazhduar maratonën me një biçikletë të marrë hua dhe e ka fituar atë. Gjithashtu shamia e Havës që e dha në këmbim të një lodre ka shërbyer si velë për barkën që mbanë gjërat e Hoora-s. Ky film mund të cilësohet si një gjykim i fesë në Iran por në fakt është një gjykim i veprimeve që shoqëria iraniane i mbështet me preteksin fetar. Filmi tregon Havën që donte të luaj, Ahoon që donte të ishte pjesë e shoqërisë dhe Hooran që donte të kishte një jetë. Deshën, ishte dhe është e drejta e tyre bazike që t’i kishin këto të drejta por në një hapësirë gjeografike si ajo e Iranit, karakterisitike me ngurtësi dhe ngjyrë kafe dheu, këto femra luftuan, gjetën detin dhe triumfuan...

SHKRIMI ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.    
Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia