NEW-POST-(1440--550-px).png

Kriza ekonomike ka thelluar varfërinë menstruale në RMV, përdorimi i mjeteve alternative ka pasoja shëndetësore

MARRE

September 13th, 2022

Në një kohë krize kur çmimi i gati çdo produkti është rritur, Maqedonia e Veriut vazhdon të tatimojë produktet e higjinës menstruale si produkte luksi. Ndonëse muaj më parë është kërkuar që këto produkte të kenë TVSH vetëm 5%, Ministria e Financave hesht ndaj kësaj kërkese.

Pothuajse çdo e treta grua ose vajzë të paktën një herë në jetë nuk ka pasur para të blejë shtroja dhe ka qenë e detyruar të improvizojë me pëlhura, peshqirë, letër tualeti (kurse gjysma e grave dhe vajzave këtë e kanë bërë më shumë herë), tregon një studim i “Tiiiit Ink” i vitit 2021. Sipas gjinekologut Arijan Alili për shkak të higjienës joadekuate gjatë ciklit menstrual dhe përdorimit të këtyre mjeteve alternative mund të vijë deri te shoku toksik (seps) dhe infeksione serioze të traktit gjenital që mund të ndikojnë në reproduktivitetin e grave.

Varfëria menstruale është fenomen që prek globalisht vajzat, gratë dhe personat e tjerë me menstruacione. Ata që janë të prekur nga varfëria menstruale nuk kanë akses në produkte higjienike (jastëkë menstrual, tampona, gota menstruale), nuk kanë një hapësirë ​​të sigurt dhe sanitare ku mund t'i përdorin këto produkte dhe nuk mund ta kalojnë periudhën e menstruacioneve me dinjitet, pa paragjykime, stigma dhe turp. Ky nuk është vetëm një rrezik për shëndetin e këtyre vajzave dhe grave, por gjithashtu kërcënon potencialisht mirëqenien dhe mbijetesën e tyre.

Tiiiit Ink

Produktet për higjienë menstruale në Maqedoninë e Veriut tatimohen si produkte luksi, domethënë kanë TVSH 18%. Kjo rrit çmimin e këtyre produkteve duke i detyruar kështu gratë dhe vajzat që nuk kanë mundësi t’i përballojnë financiarisht, të gjejnë metoda alternative të cilat nuk janë të higjienike dhe të sigurta.

“Këto lloj alternativa janë përdorur edhe në viset tona, mirëpo duke e marrë parasysh edhe stigmën e cila gjatë kohë ka mbisunduar në vendet ballkanike mbi menstruacionin si fenomen biologjik, gratë në ato ditë kanë qenë edhe më tepër vurnelabile dhe të ngarkuara. Ato janë detyruar të përdorin çdo lloj mjeti alternativ për ta ndaluar gjakosjen: fasha jo sterile, letra të ndryshme, gazeta, gjethe nga bimë të ndryshme që fatkeqësisht shkaku i higjenës jo adekuate shumë raste kanë mbaruar me shok toksik – (seps) dhe në fund me vdekje, të cilat raste nuk janë edhe të evidentuara dhe nuk ka ndonjë statistikë mjeksore shkaku i rrethanave”, sqaron gjinekologu Arijan Alili. 

Sipas gjinekologut Alili, gratë që kanë mbijetuar nga shoku toksik zakonisht kanë hasur në probleme me reprodutivitetin shkaku i infeksioneve serioze të traktit gjenital ku në veçanti më tepër kanë pësuar tubat e fallopit që janë vendimtare për t’u nisur shtatzania.

Çka është shoku toksik dhe cilat janë simptomat?

Shoku toksik ndodh kur bakteria staphylococcus auerus prodhon një toksinë që përhapet përmes gjakut, mposht sistemin imunitar dhe sulmon të gjitha organet, sqaron gjinekologu Alili. Kjo sindromë është shumë e rrallë, por shumë e rrezikshme (5% në nivel botëror). Shoku toksik shpesh shoqërohet edhe me përdorimin e tamponëve.

Këto janë simptomat e shokut toksik të sqaruara nga gjinekologu Alili:

  • Dhimbje koke, dhimbje në fyt dhe muskuj

  • Temperaturë të lartë

  • Të vjella dhe diarre

  • Sëmundje dhe skuqje të ngjashme me djegien nga dielli

  • Rënie e presionit të gjakut

  • Çorientim

  • Dështimi i veshkave

Produktet e higjienës menstruale nuk janë produkte luksi

Më datë 28 maj të vitit 2022 në Shkup u protestua dhe u kërkua që produktet e higjinës menstruale të mos tatimohen si produkte luksi me 18%, ashtu si tatimohen edhe alkooli dhe cigaret, sepse këto produkte janë produkte bazë për gratë. Gjithsesi, për Ministrinë e Financave ulja e TVSH-së së këtyre produkteve në 5% me sa duket nuk është prioritet, sepse e njëjta nuk ka dhënë kurrfarë përgjigje për këtë kërkesë të qytetarëve.

Fatkeqësisht, ende nuk kemi asnjë përgjigje nga Ministria e Financave lidhur me kërkesën për uljen e TVSH-së. Ne shpresonim për një përgjigje të shpejtë dhe nuk e morëm, por ende shpresojmë për një lloj përgjigjeje. Dëshirojmë dhe presim një përgjigje pozitive me të cilën shteti, Ministria dhe njerëzit që punojnë atje do të tregojnë se i dëgjojnë njerëzit dhe kujdesen për nevojat e grave

Period Skopje

Sipas tyre, ekziston një mungesë e plotë e ndërgjegjësimit të institucioneve për problemin e varfërisë menstruale. Ata thonë se heshtja institucionale është vetëm dëshmi se problemi i varfërisë menstruale perceptohet si një fat individual në vend të një problemi kompleks ndërdisiplinor për të cilin duhet gjetur një zgjidhje e përshtatshme institucionale.

Me uljen e TVSH-së për produktet menstruale pritet ulje e çmimit të tyre. Ulja e çmimeve të produkteve menstruale do t'i bëjë ato të përballueshme dhe të aksesueshme për të gjithë ata që kanë nevojë për to, gjë që ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e dinjitetit, shëndetit dhe higjienës së atyre që përdorin produkte menstruale. Produktet menstruale nuk janë produkte luksi, janë produkte të domosdoshme dhe në kuadrin e krizës me të cilën po përballemi, nuk duhet të lejojmë që personat me menstruacione të vënë në rrezik shëndetin e tyre duke zgjedhur mënyra të pasigurta për të menaxhuar higjienën menstruale

Period Skopje

Sipas Free Period, në bazë ditore në botë mbi 800 milion njerëz kanë menstruacione. Prej tyre 500 milion nuk kanë qasje në resurse adekuate për kujdes gjatë ditëve të menstruacioneve dhe nuk janë të informuar për t’u marrë me sfidat që vinë me ciklin menstrual.

LEXO EDHE KËTË: Varfëria menstruale, gratë në RMV me „alternativa" në mungesë të produkteve menstruale

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia