October 23rd, 2021
X: Je shëndoshur, dukesh si një balenë!
Kur fëmija është i ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes ka pasoja të mëdha në zhvillimin e tij psikofizik. Kjo vlen edhe për rastet e fëmijëve me mbipeshë. Viktima ndihet i pasigurt, ndihet i turpëruar dhe fajtor që nuk mund të përballet me këtë problem. Shpesh kjo situatë çon në tërheqje, ndjenjë inferioriteti, mospranim të trupit dhe pamjes, trishtim, depresion, ankth ...- shpjegon Poprizova.
Fotografitë: Kristina Zaturovska
Fyerjet ose gjuha e urrejtjes kundër njerëzve në mbipeshë, veçanërisht grave, është një fenomen shumë i zakonshëm në shoqërinë tonë. Shpesh ndodh që këta njerëz të thirren me fjalë ofenduese si: je e trashë, lopë, balenë. Gjuha e urrejtjes ndodh drejtpërdrejtë (ballë për ballë), por edhe virtualisht.
Shumica prej nesh ndoshta kemi qenë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të tilla ku gjuha e urrejtjes ndaj njerëzve në mbipeshë shprehet në doza mjaft të larta.
Vesna Cvetanoska është “në luftë” me mbipeshën që fëmijë, por kjo nuk e ndalon atë të jetë një grua e suksesshme në punë dhe në shoqëri. Ajo na tregon se sa e vështirë ishte për të që të integrohej në shoqëri për shkak të pamjes së saj. Vesna thotë se gjuha e urrejtjes ndaj njerëzve me mbipeshë është veçanërisht e përhapur te vajzat deri në 30 vjeç. Edhe pse është shekulli 21, shton ajo, njerëzit ende kanë shumë kufizime në të menduarit e tyre.
"Njëherë, një zyrtar publik më tha: "Unë kurrë nuk do t'ju ndihmoj të arrini diçka më shumë dhe të fitoni një vend pune sepse ju dukeni kështu siç dukeni, dukeni siç nuk duhet të duket një vajzë." Kur e pyeta se çfarë kriteresh ka përdorur për të vlerësuar se si duhet të duket një person, ai tha: "Sigurisht jo si ti". U shikova në pasqyrë dhe thashë me vete se asgjë nuk më mungon, përveçse jam mbipeshë. Mendova dhe vendosa se nuk ka nevojë që unë të ndryshoj për shoqërinë, ajo duhet të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj meje", tha Vesna.
Teknologjia dhe mediat sociale i kanë dhënë një dimension tjetër gjuhës së urrejtjes ndaj njerëzve në mbipeshë. Kika Averio është personazh i famshëm në rrjete sociale. Ajo promovon vlera profesionale, por edhe qëndrim pozitiv për të gjitha gratë që nuk ndihen rehat me trupin e tyre. Sipas saj, gjëja më e trishtë është se një pjesë e madhe e publikut duket se mendon se njerëzit me më shumë peshë nuk duhet të jetojnë jetën e tyre në mënyrë normale, si të gjithë të tjerët.
"Pavarësisht se çfarë fotografie është publikuar, nga një portret i thjeshtë në një foto të një arritjeje në jetë, prapë biseda në komente përqendrohet në peshën. Shumë njerëz ngatërrojnë tërheqjen-atraktivitetin dhe respektin, ata respektojnë vetëm atë që është tërheqëse-atraktive për ta dhe mendojnë se gjithçka tjetër meriton fyerje ose tallje. Pjesa më e madhe e kësaj gjuhe të urrejtjes është e maskuar nga shqetësimet e rreme shëndetësore: "Unë po ju them për të mirën tuaj". E vërteta është se është shumë e lehtë të përcaktohet se cili koment është gjuhë e urrejtjes"
Kika Averio
Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale përhapet jo vetëm në komente, por edhe përmes teksteve autoriale. Disa kohë më parë një vajzë e re postoi një tekst në Twitter:
"Nuk mund të jesh kurrë i shëndoshë dhe i bukur ... gjithçka ka një kufi!"
Teksti u shoqërua me reagime të shumta. Vajzat e reja shprehën revoltën e tyre kundër paragjykimeve të pabaza. Sidoqoftë, në shoqërinë tonë përkufizimi i bukurisë mbetet një pyetje e hapur.
Anita Gagovska, sekretare e "Poraka Nova" nga Struga, e sheh bukurinë përtej pamjes fizike. Bukuria për të është së pari të duash veten, të ndihesh e bukur në lëkurën tënde, të jesh e sigurt, të besosh në aftësitë e tua, të ndihesh e veçantë, e fuqishme, e bukur, tërheqëse. Si fëmijë, ajo ishte në mbipeshë dhe për vite me radhë u detyrua të ndiqte dieta të pafundme për të përmbushur standardet e bukurisë të përcaktuara nga shoqëria jonë. Ajo pranon se nëse një person është jashtë këtyre standardeve në shoqërinë tonë, atëherë ai diskriminohet në mënyra të ndryshme.
"Mund të konfirmoj se njerëzit në mbipeshë, burra dhe gra, kanë problem me diskriminimin në shoqërinë tonë. Ndoshta kohët e fundit gratë janë më të zëshme në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Njerëzit në mbipeshë në një mënyrë janë të dënuar të veshin veshje që janë në dispozicion në treg dhe nuk janë ato që ata duan. Kur kam jetuar në Spanjë 13-14 vjet më parë, kur ende nuk kishin mbërritur kaq shumë marka tregtare në Maqedoni, shoqja ime e dhomës më pyeti pse vesh funde kaq shpesh, dhe jo xhinse. Unë u përgjigja se nuk kishte numër për mua. Shkuam së bashku për të kërkuar dhe gjëja e parë që prisja ishte që shitësja të më shikonte çuditshëm, por kjo nuk ndodhi, përkundrazi, të gjithë po kërkonin të ndihmojnë në gjetjen e një numri të përshtatshëm. Ndryshe nga vendi ynë, ku të shohin me syrin se: "Çfarë kërkoni këtu?" Dhe kjo, e thënë më qartë, është diskriminim, pikërisht në hyrje", tha Anita.
Psikologia e shkollës Ana Poprizova beson se problemi i njerëzve në mbipeshë është një problem shoqëror, pastaj një problem individual. Ajo thotë se kjo është një çështje komplekse dhe prek aspektet e shëndetit publik në shoqëri - lidhja midis peshës dhe shëndetit publik, si dhe pasojat gjenetike, emocionale dhe shëndetësore të mbipeshës në një individ.
Zakonisht trajtohet si një problem individual i personit, por nëse i analizojmë arsyet do të arrijmë të kuptojmë se, në thelb, ky është një problem social, ekonomik dhe shëndetësor i një shteti.
“Kur fëmija është i ekspozuar ndaj gjuhës së urrejtjes ka pasoja të mëdha në zhvillimin e tij psikofizik. Kjo vlen edhe për rastet e fëmijëve me mbipeshë. Viktima ndihet i pasigurt, ndihet i turpëruar dhe fajtor që nuk mund të përballet me këtë problem. Shpesh kjo situatë çon në tërheqje, ndjenjë inferioriteti, mospranim të trupit dhe pamjes, trishtim, depresion, ankth...”
Ana Poporizova, psikologe
Ajo thotë se në këtë rast kontaktet me miqtë zvogëlohen, dhe shpesh këtyre njerëzve u mungon mbështetja nga familja ose shkolla. Si përfundim, efektet anësore janë problemet shëndetësore të tilla si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe të ngjashme.
"Ekziston një perceptim se nëse dikush i potencon fëmijës se është në mbipeshë, i njëjti mund të motivohet të ushqehet shëndetshëm dhe të ushtrojë. Nuk është e pazakontë që prindërit, mësuesit e sportit ose bashkëmoshatarët t'i thonë një fëmije: "Ti je i shëndoshë!" Kjo ka pasoja të rënda në vetëvlerësimin e fëmijës, imazhin e tij, vetë-pranimin dhe kujdesin për veten. Fëmija do të ndiejë se nuk është aq i mirë sa të pranohet nga prindërit, mësuesit ose bashkëmoshatarët. Në mungesë të aftësive mbështetëse dhe përballuese, ata kanë më shumë gjasa të bien në kurthin e të ngrënit të tepërt për të zvogëluar tensionin emocional. Ose ai do të fillojë "dietë" e cila mund të çojë në anoreksi ose bulimi, çrregullime të të ngrënit, veçanërisht te vajzat, ndërsa djemtë i përkushtohen stërvitjeve të rënda,", thekson Poprizova.
Kjo përmbajtje mbështetet nga programi rajonal "Rezistenca ndaj dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes: Veprimi i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe parandaluar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi", mbështetur nga Bashkimi Evropian, nga organizatat partnere nga rajoni: SEENPM , Instituti Maqedonas i Medias, Instituti Shqiptar i Medias, Qendra për Media, Kosova 2.0, Instituti i Medias në Mal të Zi, Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e autorit dhe revistës "Ballë për Ballë" dhe në asnjë rast nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia