June 21st, 2024
Koalicioni VLEN sot prezantoi kuadrin dhe programin qeverisës.
Tetë burra, funksioner të ardhshëm, ishin ulur në binë derisa gratë e këtij koalicioni po i rrehnin duart dhe pohonin me kokë çdo fjali të tyre, nga publiku, si mysafire të ftuara në një dasëm të huaj.
Qeveria e ardhshme e Maqedonisë së Veriut do të përbëhet nga 24 anëtarë, vetëm 3 ministre janë gra – asnjëra prej tyre shqiptare, pasi VLEN nga gjithsej 5 ministri, asnjërën prej tyre s’ua besoi grave. Dy gra shqiptare nga VLEN do të jenë zëvendës ministre.
Por jo vetëm në pushtetin ekzekutiv, numri i grave dukshëm është pakësuar edhe në pushtetin ligjvënës, me rreth 10 deputete gra më pak nga përbërja e kaluar. Kjo pasi partitë politike ju përmbajtën strikt kriterit të kuotave gjinore, duke mos e tejkaluar atë.
Ky koalicion garoi dhe morri pushtetin duke premtuar vendosjen me ‘detyrim’ që gratë të emërohen në pozita, në të gjitha nivelet qeverisëse, edhe atë me kuotë gjinore prej 40 për qind. Sot, ata nuk emëruan asnjë grua ministre.
VLEN gjithashtu premtoi diskriminim pozitiv për gratë në pozicionet që përmbushen me konkurs, por nuk e ushtroi këtë praktikë në pozicionet që bëhen me emërime, nga vetë ato si koalicion qeverisës.
Ky koalicion grave s’ju besoi as të jenë bartëse të listave zgjedhore për në Kuvend.
Vendosja ose jo e kuotave gjinore është çështje e cila debatohet edhe mes feministëve. Por përkundër kësaj, 'Mollëkuqja' vlerëson se ndikimi i këtij instituti në Maqedoninë e V. historikisht ka qenë pozitiv në drejtim të përfshirjes së më shumë grave në Kuvend.
Pasi nga koaliconi VLEN sot paralajmëruan miratimin e një ligji për përfaqësim të drejtë etnik, ‘Mollëkuqja’ kërkon që në këtë ligj, i cili pritet të votohet së shpejti, të përfshihet edhe përfaqësimi i drejtë gjinor 50/50, në të gjitha nivelet qeverisëse.
Përpos në ekzekutiv, ‘Mollëkuqja’ gjithashtu ju bën thirrje partive politike që në të ardhmen të tejkalojnë kriterin ligjor që përcakton minimumin e përfshirjes së grave në lista zgjedhore, përkatësisht që çdo i treti kandidat të jetë grua.
Politika është punë edhe për gra ndërsa mospërfshirja e tyre në këto procese e i lë nevojat, interesat dhe kërkesat e gjysmës së popullsisë të papërfaqësuara si dhe ndikon në fuqizimin e retorikave diskriminuese dhe përjashtuese ndaj grave.
Elmedina Abdullai, aktiviste për ‘Mollëkuqja’ tha se vendosja e kuotave gjinore nuk është domosdo politika më e mirë e mundshme, por në kontekstin e Maqedonisë së V. duket të jetë e pashmangshme.
“Është për keqardhje që gratë keqpërdoren gjatë kampanjave zgjedhore për të fituar vota dhe pastaj zëri i tyre nuk dëgjohet fare, as brenda partive. Në pushtetin ligjvënës gratë janë të përfshira falë kuotave ligjore, por në ekzekutiv mungojnë, pasi aty nuk ka detyrim ligjor për emërimin e tyre. Kjo situatë tregon shfrytëzimin maksimal të hapësirave ligjore nga ata që kanë pushtetin", tha Abdullai.
Përpos koalicionit VLEN, rikujtojmë që edhe partneri i tyre qeverisës, VMRO DPMNE-ja fituan pushtetin me një numër të madh të premtimeve për barazi gjinore ndërsa përkundër që kanë numrin më të madh ministrive, vetëm tre prej tyre ua besuan grave.
Mollëkuqja do vazhdojë të monitorojë mbajtjen ose jo të këtyre premtimeve nga ana e partive politike qeverisëse, në këtë rast koalicioni i VMRO DPMNE-së, koalicioni VLEN dhe partia ‘ZNAM’. Ne besojmë se adresimi i çështjeve gjinore është pjesë e pandarë e proceseve politike.
Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.
TË NDRYSHME
Kandidati në Kërçovë ka sulmuar gazetaren Salije Sadiku, Mollëkuqja: Mjaft me...
Rita Behadini
18/10/2021
„Çdo ditë 8 mars” – Mollëkuqja filloi fushatën vetëdijësuese në Tetovë, Gosti...
Fisnik Xhelili
01/03/2022
Sot në Shkup protestohet për barazi gjinore, 'Mollëkuqja': Të bëhemi zëri i g...
Ardit Ramadani
07/03/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia