January 17th, 2024
Karrierën në volejboll e filloi para 12 viteve kur ishte vetëm 10 vjeçe. Hapat e parë i ka filluar në ekipin “Shkëndija”, më pas u largua për në Turqi në ekipin “Ordu Turk Telekom” dhe “Gallatasaraj”, për t'u rikthyer në ekipin e Universitetit të Tetovës ndërsa aktualisht është në klubin “Rabotniçki”. Me pak fjalë, ky është rrugëtimi i tetovares Erjona Jonuzi në fushën e volejbollit, rrugëtim i cili atë e ka bërë të jetë ndër volibollistet më të mira që ka vendi.
Në një bisedë për Mollëqkuqja.mk, Erjona tregon pjesëza nga rrugëtimi i saj në këtë profesion, sfidat, sukseset dhe dashurinë e madhe ndaj këtij sporti.
Motra e saj ka qenë arsyeja se pse ajo u dashurua me volejbollin.
“Ajo është arsyeja pse unë që në moshë shumë të vogël dëgjova për volejbollin dhe shpesh e gjeja veten nëpër salla duke vëzhguar me vëmendje lojën. Me pas ndodhi që të dashurohem me volejbollin dhe ta provoj veten në këtë sport”, tregon Erjona.
Dhe kështu nisi gjithçka. Pavarësisht se asaj shpesh i është thënë se duhet të shikojë diçka tjetër në jetë pasi sporti në Maqedoninë e Veriut nuk ka të ardhura, kjo nuk arriti të mposht pasionin dhe dëshirën e saj për këtë sport që ishte shumë herë më e madhe se fjalët e njerëzve.
“Pasojat në një rrugë të cilën veçse kishte kaluar motra ime e para në familjen tonë, tek unë ishin më të pakta paragjykimet, por nuk kanë munguar. I kam tejkaluar duke dëgjuar zemrën time e cila ka zgjedhur t’i qëndrojë besnike volejbollit”, rrëfen Jonuzi.
Në karrierën e saj profesionale dymbëdhjetë vjeçare, Erjona ka shënuar suksese të mëdha duke fituar shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.
Ajo u shpall 7 herë kampione e Kupës së RMV-së, 7 herë kampione në Ligën e volejbollit në RMV, 6 herë u shpall teknike e vitit si dhe ka marrë çmimin MVP në garat evropiane me pe reprezentacionin e RMV-së në ndeshjen kundër Letonisë.
Çmimet për të janë ndjenjë e veçantë që e motivojnë atë dhe i japin vullnet për të vazhduar përpara, duke e përgatitur veten që të japë më të mirën nëpër ndeshje.
“Çmimet janë një aset i rëndësishëm për të treguar vlerat e mia si volejbolliste në volejbollin ndërkombëtar. Atë të cilën e synoj më së shumti që një ditë të realizoj ëndrrën time duke prekur majat më të larta të volejbollit botëror”, thotë Erjona.
Volejbollistja Jonuzi thekson se vlerësimi i talenteve të vendit le shumë për të dëshiruar.
“Këtë e them duke u nisur nga vetja, është dashur një dallim goxha i madh nga të tjerët dhe boom mediatik për të ju rënë në sy si sportiste kualitative, për të marrë mirënjohje nga institucionet përkatëse”, thekson Jonuzi.
Megjithatë, ajo tregon se gjithnjë ka synuar profesionalizëm dhe çmimet dhe mirënjohjet kanë qenë të mirëseardhura. Por, siç thekson ajo “edhe nëse nuk do të vinin, nuk është se do më ndalonin rrugëtimin tim drejt qëllimeve të mia për volejbollin”.
Dhe për fund, Erjona porosit gjithë të rejat dhe të rinjtë që kurrë mos të frikësohen për të hedhur hapat drejt qëllimeve apo ëndrrave që kanë.
“Kalkuloni në maksimum hapat që doni t’i ndërmerrni, le të kenë logjikë, por mësohuni që të merrni vetë vendimet e të ardhmes për veten tuaj. Mos lejoni që paragjykimet nga njerëzit zë ndikojnë në vendimet tuaja, as mos lejoni që të dorëzoheni në sfidat drejt qëllimeve tuaja”, përfundoi Jonuzi.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia