c2198f39-5fc3-4408-9864-1fa716d750cf.png

Sfidat e grave në politikën e „rezervuar" për burrat, flet nënkryetarja e LB, Besa Kadriu

FEMINISTING

May 19th, 2023

Politikanët në Maqedoninë e Veriut por jo vetëm, shpesh herë përballen me ofendime dhe bullizëm sidomos përmes rrjeteve-sociale. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për politikane gra – doza e ofendimeve dhe bullizmit kalon në përmasa tjera, edhe më të frikshme.

Kjo sepse për një pjesë të madhe të shoqërisë, nuk është e kapshme se si është e mundur që disa profesione të cilat sipas tyre janë për burra, të ushtrohen edhe nga gra. Përkundër kësaj, gratë vijojnë të “prishin” rehatinë e tyre, duke u përfshirë çdo ditë e më shumë në jetën publike.

Në lidhje me këtë, gazetari i Mollëkuqja sot bisedoi me nënkryetaren e Lëvizjes BESA, Besa Kadriun. Ajo thotë se shpesh herë, qëllimi për të cilin është përfshirë në politikë i komplikohet, vetëm për faktin që është grua.

Të qenurit pjesë aktive në veprimtarinë politike, për mua paraqet një kontribut në një proces tek i cili ne çdo ditë e më shumë duam ta ndryshojmë në favor të interesit të përbashkët publik. Ky aspekt paraqet një mision shumë fisnik. Gjërat komplikohen sidomos kur këtë rol e kanë gratë në politikë, veçmas në shoqërinë tonë apo në përgjithësi tek shoqëritë në proces të zhvillimit

Besa Kadriu, nga LB.

Shoqëria në Maqedoninë e Veriut ende nuk është e përgatitur që të shohë një grua udhëheqëse. Andaj, edhe Kadriu shpesh herë është përballur me ofendime nga më të rëndat në rrjetet-sociale, me qëllim të përbuzjes dhe degradimit të imazhit të një gruaje në politikë.

“Aty, gëshetohet një proces në mes një faze ku ka paradokse në mes atij mentaliteti të vjetër dhe atij të ri, ose kulturës dhe emancipimit bashkëkohor. Situata të këtilla kam pasur raston ti lexoj në portale të ndryshme( shpesh të dëshmuara si joprofesioniste dhe me misione partiake). Duke ofenduar figurën time si femër në politikë dhe dashur të degradojnë imazhin tim” tha ajo.

Meqë sfidat dhe peripecitë e të gjitha grave në politikë janë të ngjashme. Sipas Kadriut, kur vjen puna te gratë në politikë, mbështetja duhet të ekzistojë fillimisht mes njëra-tjetrës pa marrë parasysh përkatësisë politike.

“Por ne që jemi të kyçura edhe si gra në politikë duhet të ecim përpara, duke e mbështetur njëra-tjetrën fuqimisht dhe duke pasur qëllime të denja që ndihmojnë një proces të mirëfilltë politik dhe me parime. Sadoqë, kjo është një sfidë e veçantë, ne duhet të jemi këmbëngulëse!”

Gratë thuajse të padukshme në vendimmarrje, burrat s’i lëshojnë vendet

Në qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 37 poste ministrore, vetëm 7 janë gra.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi ka përfaqësim më të mirë të grave, kjo pasi Kodi Zgjedhor e në një far forme i obligon partitë t’i përfshijnë gratë në lista për deputetë. Nga gjithsej 120 deputetë, 51 janë gra.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua si presidente, kryeministre apo kryetare kuvendi. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj.

Dëshpërues është numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga gjithsej 81 komuna, vetëm 2 udhëhiqen nga kryetare gra.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, struktura gjinore në Maqedoninë e Veriut është thuaj se e njëjtë. Konkretisht gra ka 925,626 (50.4% ) dhe burra 911,087 (49.6%).

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia