April 20th, 2023
Martesat e të miturve në Maqedoninë e Veriut mbeten problem i pazgjidhur në tërësi për vendin. Numri i rasteve të evidentuara është i lartë, ndërsa problemi mbetet më i theksuar te komuniteti rom. Mollëkuqja.mk ju sjell një pasqyrë shumë dimensionale të këtij fenomeni në Maqedoninë e Veriut.
Të dhënat të cilat i siguruam nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në lidhje me martesat e të miturve janë shqetësuese.
Sipas raportit të IP Enti për Veprimtari Sociale i përgatitur mbi bazën e të dhënave të siguruara nga 30 qendra për punë sociale, situata me të miturit mbi 16 vjeç që duan të martohen dhe i janë drejtuar qendrave për punë sociale është si vijon:
Megjithatë këto shifra jozyrtarisht janë shumë më të larta, marrë parasysh se jo të gjitha rastet kanë mundur të evidentohen.
Që problemi me martesat e të miturve është kronik kjo mund të shihet edhe në Raportin e vitit 2022 të Departamentit Amerikan të Shtetit për Maqedoninë e Veriut mbi praktikat e të drejtave të njeriut, aty theksohet se kjo më e përhapur është te komuniteti rom.
Martesat e hershme dhe e detyruar ka ndodhur në komunitetin rom dhe, në një masë shumë më të vogël, në disa komunitete shqiptare dhe të tjera. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dokumentoi martesat e hershme, në të cilat njëra ose të dyja palët ishin 16 ose 17 vjeç. Sipas OJQ-ve lokale, martesat e hershme dhe të detyruara në mesin e komunitetit rom përbënin 15-20 përqind të numrit të përgjithshëm të martesave të hershme dhe të detyruara në vendi, duke shënuar rënie progresive krahasuar me vitet e mëparshme.
Raporti i DASh-it për RMV-në për vitin 2022
Profesoresha e së drejtës familjare, Arta Selmani – Bakiu thekson se nuk ka një përkufizim konkret për nocionin e martesës, kjo për arsye se bazuar në pikëpamjet e ndryshme lidhur me natyrën juridike të martesës, përmbajtjen dhe qëllimin e saj, ekzistojnë̈ përkufizime të shumta të nocionit të martesës.
Ligji për Familjen jep definicionin juridik të martesës, sipas të cilit Martesa është një bashkësi e jetësore e rregulluar me ligj e një burri dhe një gruaje, në të cilën realizohen interesat e bashkëshortëve martesorë, të familjes dhe shoqërisë (neni 6 paragafi 1).
Arta Selmani - Bakiu
Në lidhje me moshën e lejuar të martesave në RMV, profesoresha sqaron se Ligji për Familjen definon kushtet ligjore me përmbushjen e të cilave mund të lidhet martesa, të cilat diferencohen në dy gurpe.
"E para, kushte esenciale për lidhjen e martesës (dallimi i gjinive të personave të cilët dëshirojnë të lidhin martesë; pajtimi i vullnetit të lirë të deklaruar nga personat që lidhin martesën si dhe forma për lidhjen e martesës). E dyta, kushtet për plotfuqishmërinë e martesës (mosekzistimi i pengesave martesore, siç janë: mituria; martesa ekzistuese; forma e manifestuar e sëmundjes shpirtërore, paaftësia për gjykim dhe zhvillimi i metë mendor; të metat e vullnetit; dhe gjinia e gjakut, e adoptimit të plotë dhe e krushqisë)." tha ajo.
Sipas profesoreshës, mituria si pengesë martesore nuk lejon që të lidhet martesa midis personave të cilët nuk kanë arritur pjekurinë martesore, ndërkaq pjekuria martesore arrihet në moshën 18 vjeçe. Në këtë kuptim, ajo thekson se Ligji për Familjen parashikon se, Nuk mund të lidh martesë personi i cili nuk i ka mbushur 18 vjet (neni 16 parag.1).
Megjithatë ka përjashtime se kur dhe nën cilat kushte mund të lidhen martesat e mitura.
Për shkaqe të arsyeshme, gjykata kompetente mund të lejojë lidhjen e martesës sipas kërkesës nga një i mitur i cili ka arritur moshën 16 vjeçare. Një̈ lejim i këtillë̈ do të jetë i mundur nëse gjykata, në procedurë jokontestimore, vërteton se personi ka arritur pjekuri fizike dhe psikike të nevojshme për ushtrimin e të drejtave dhe obligimeve që dalin nga martesa, e gjitha kjo, pas mendimit të marrë paraprakisht nga institucioni shëndetësor si dhe ndihmës profesionale të ofruar nga Qendra për Punë Sociale (neni 16 parag.2, Ligji për Familjen). Pra, gjykata është e obliguar që t’i analizojë edhe cilësitë personale, gjendjen pasurore dhe rrethanat e tjera esenciale, që kanë të bëjnë me personin me të cilin i mituri dëshiron të lidh martesë (neni 98, Ligji për procedurë Jokontestimore).
Arta Selmani - Bakiu
Profesoresha thekson se lejimi i lidhjes së martesave të këtilla, paraqet shkelje të Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijës, kjo për arsye se sipas Konventës, fëmijë është çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeçare. Ajo shtoi se e patolerueshme është lidhja e martesave nën moshën 16 vjeçare, veprim ky që paraqet pengesë martesore të paevitueshme duke shkaktuar pavlefshmëri absolute të martesës, andaj martesa e tillë duhet të anulohet.
"Në vendin tonë hasen shumë situata të bashkësive jashtëmartesore të fëmijëve të mitur me lejen ose pa lejen e prindërve, madje edhe shtatzëni të vajzave të mitura nga këto bashkësi jashtëmartesore. Ndërlidhur me këtë, një të mituri të moshës 16 vjeçare i lejohet edhe njohja e atësisë së fëmijës jashtëmartesor (neni 55, Ligji për Familjen). Martesat e të miturve nën 16 vjeç, nuk janë të lejuara me Ligjin për Familjen, madje janë të dënueshme edhe me Kodin penal. Të palejuara janë edhe martesat e detyruara të fëmijëve.”" tha Bakiu.
Sipas pikëpamjes së sociologut Ali Pajaziti, të miturit duhet që fillimisht të piqen vetë, të fitojnë përvojë jete dhe më pas të hidhen në ujërat e martesës. Ai shtoi se bëjnë gabim fatal të gjithë familjet që bekojnë një martesë të tillë.
Këta fëmijë që bëhen kandidatë për të lindur fëmijë s’e kanë idenë as vetë se kush janë dhe nga shkojnë, s’dinë sa duhet për rregullat e jetës, të bashkëjetesës, të përkujdesjes, të arsimit, vetëkultivimit, të ekonomisë, andaj është gabim fatal që familjet të bekojnë një martesë të tillë të pakohë, të hershme, jolegjitime. Të miturin edhe fjalori i shqipes e përkufizon si një person që “nuk është bërë ende zot i vetes dhe i përgjegjshëm për veprimet e tij”. Një person i tillë si do mbajë përgjegjësi bashkëshortin/en, për tjetrin apo të tjerët e mundshëm që mund të vijnë në jetë? I mituri duhet të piqet, të fitojë ca eksperiencë jete, ta shohë e ta kuptojë jetën, të ngritët e të rritet si personalitet, më pas të bashkohet me dikë, të hidhet në ujërat e martesës.
Ali Pajaziti
Ai thase të miturit nuk e kanë as konceptin për dashurinë, të asnjërit lloj, as të bashkërenditjes e të kooperimit me një vete tjetër, andaj i duhet kohë, kultivim, për të fituar epitetin bashkëshort/e, burrë/grua, baba/nënë.
Meqë sipas studimeve, një pjesë e konsiderueshme e këtyre martesave janë të sforcuara - psikologia Sabrije Tefiki për Mollëkuqja flet në lidhje me pasojat që mund të sjellë ky fenomen tek ata, pjesa më e madhe prej tyre janë afatgjate.
"Hulumtimet tregojnë se të rinjtë e detyruar të martohen kundër dëshirës së tyre, përjetojnë nivele më të larta të depresionit, ankthit dhe çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD). Për më tepër, ata mund të përjetojnë mungesë kontrolli mbi jetën e tyre, gjë që mund të çojë në ndjenja pafuqie dhe vetëbesim të ulët. Kjo mungesë kontrolli mund të çojë gjithashtu në vështirësi në krijimin e një marrëdhënieje të shëndetshme dhe funksionale. Studimet kanë treguar se martesat e detyruara shpesh rezultojnë në një incidencë më të lartë të dhunës në familje, abuzimit seksual dhe detyrimit riprodhues, gjë që mund të çojë në trauma fizike dhe emocionale si për vajzat ashtu edhe për djemtë." tha Sabrije Tefiki, psikologe.
Ajo shtoi se ka dallim se si këto martesa të detyruara mund të ndikojnë te vajzat dhe djemtë. Sipas saj, vajzat kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë fizike dhe seksuale si dhe të përballen me pengesa më të mëdha për qasjen në arsim dhe mundësitë e karrierës, duke çuar në izolim dhe përjashtim më të madh social. Ndërkaq, djemtë mund të përballen me presion për të siguruar familjet e tyre në moshë të re, duke çuar në mundësi të kufizuara për arsimim dhe avancim në karrierë.
Martesat e detyruara mund të çojnë në përjashtimin e të rinjve nga aktivitetet shoqërore. Pritja për të përmbushur rolet tradicionale gjinore dhe për të marrë përgjegjësitë e të rriturve në një moshë të re mund të kufizojë mundësitë për arsimim, zhvillim karriere dhe rritje personale. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në izolim social. Martesat e detyruara mund të rezultojnë gjithashtu në humbjen e përvojave të fëmijërisë dhe adoleshencës, duke çuar në një ndjenjë të mundësive të humbura dhe potencialit të paplotësuar. Në fund të fundit, martesa e detyruar mund të ketë efekte negative afatgjata në mirëqenien sociale dhe emocionale të të rinjve, gjë që mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të bërë jetë të përmbushur si të rritur. Këto gjetje mbështeten nga studime kërkimore empirike dhe janë në përputhje me kornizat teorike brenda fushës së psikologjisë.
Sabrije Tefiki
Aktivistija për të drejtave e grave rome, Almira Fasli për Mollëkuqja shprehet se kjo dukuri paraqet problem dhe sfidë të madhe për një familje dhe për të gjithë shoqërinë në shumë aspekte.
Fatkeqësisht, ky fenomen është më i pranishëm në komunitetet ku ndërgjegjësimi i ulët, njohuritë e pamjaftueshme, qasja në arsim, punësimi, përballja me diskriminim në çdo fushë, është në nivel shumë të lartë, edhe te komuniteti rom. Organizatat joqeveritare që punojnë në fushën e të drejtave të grave kanë vite që luftojnë për të parandaluar martesat e fëmijëve. Mund të vërehet se është bërë progres në krahasim me vitet e kaluara, pra sipas informacioneve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, një numër shumë më i madh i vajzave rome vazhdojnë shkollimin se sa djemtë, si dhe një rritje e këtij numri krahasuar me 10 vite më parë.
Almira Fasli
Ajo shton se ky problem ekziston ende, për shkak të mungesës së angazhimit të vetë institucioneve për të vepruar, për të krijuar masat e duhura për edukimin dhe punësimin e romëve me synimin për uljen e varfërisë. Sipas saj "për fat të keq, tradita dhe kultura e martesave të detyruara të mitura është ende e pranishme në komunitetin rom, e cila është e vështirë për t'u çrrënjosur sepse tashmë është kthyer në mënyrë jetese" përfundoi Fasli.
Nga ana tjetër, nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi” duke theksuar pasojat dhe se si këto martesa njihen sipas Ligjit për familjen në vend, sqarojnë se ndodh shpesh që prindër të paarsimuar dhe nga familje të pafavorizuara sociale të këmbëngulin që fëmija i tyre të martohet më herët, për ta shpëtuar atë nga varfëria.
Si Ambasadë e Fëmijëve, ne kemi qenë aktive prej vitesh dhe vazhdojmë të avokojmë për informimin mbi të drejtat dhe detyrimet e fëmijëve dhe prindërve, si dhe duke ndërmarrë aktivitete në kuadër të punës së Megjashit për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në procesin edukativo-arsimor që nga mosha e hershme. Për fat të keq, ende ka tendencë që sinjalizuesit në AloBushavko - numri i telefonit për fëmijë dhe të rinj 070 390 632 në "Megjashi" të kontaktojnë nëse ka dhunë në vetë komunitetin, por ata pothuajse kurrë nuk raportojnë martesat e fëmijëve ose nuk informohen për mënyrat të cilat mund të sanksionohen ose parandalohen.
Klementina Dobërska, koordinatore e Alo Bushavko, numrit për fëmijë dhe të rinj
Nga atje shtojnë se përfshirja në një proces të rregullt edukativo-arsimor, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Familjes që asnjë fëmijë të mos martohet, gjegjësisht të jetë në bashkësi martesore apo jashtëmartesore deri në moshën 18 vjeçare, janë vetëm një nga mënyrat për rritjen e vetëdijes dhe zgjatjen martesës e hershme, duke e zgjidhur gradualisht këtë problem djegës.
"Shtesë, përpjekjet, fushatat dhe edukimet duhet të realizohen edhe në kuadër të institucioneve kompetente (Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale). Stafi që do të punojë në terren ekskluzivisht me familjet dhe grupet e cenueshme për të rritur ndërgjegjësimin për pasojat e martesave të të miturve dhe çfarë ndikimi kanë ato në zhvillimin psiko-fizik të fëmijëve është më se i nevojshëm. Kur të gjithë palët e interesuara do të flisnim me zë të lartë për martesat e fëmijëve në vendin tonë dhe përfaqësimin e tyre, ato nuk do të jenë më një temë tabu apo thjesht një problem trans-gjenerativ që preferohet në shoqëri si një fenomen krejtësisht normal. Asnjë fëmijë nuk është më pak i rëndësishëm se të gjithë të tjerët dhe për të vlejnë të njëjtat të drejta si për të gjithë fëmijët e tjerë" tha Dobërska.
Ndryshe, sipas të dhënave nga Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim “Hera”, shkalla e shtatzënive të paplanifikuara tek adoleshentët në Maqedoninë e Veriut është 11 përqind dhe është një nga më të lartat në Evropë. Numri më i madh i nënave janë të mitura rome, por qasja e tyre në informacion dhe shërbime në shëndetin seksual dhe riprodhues është e kufizuar.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia