orange-&-purple-geometric-tehnology-linkdln-banner-(1440--550-px).png

141700 është linja pa pagesë në gjuhën shqipe për paraqitje të dhunës në familje

PASOJA

April 7th, 2023

"Nuk përfundon gjithçka me një telefonatë, fillon gjithçka me një telefonatë" | Sumea Ramadani, psikologe

Që nga muaji mars është vënë në funksion SOS linjë në gjuhën shqipe për viktimat e dhunës në familje. Linja është pa pagesë dhe është në funksion 24 orë. E njëjta linjë ekziston dhe është funksionale edhe në gjuhën maqedonase dhe gjuhën rome. Numri në të cilin viktimat mund të paraqesin dhunën në familje është: 141 700.

Në kuadër të SOS linjës ofrohen falas edhe konsultime psikologjike, juridike dhe ndihmë të punëtorit social. Kjo linjë është e lidhur me Ministrinë e Punëve Sociale, por e njëjta është nën ingerencat e Këshillit Nacional për Barazi Gjinore.

"Të gjithë, pa pagesë, mund të lajmërohen dhe të denoncojnë dhunën, qoftë ajo dhunë fizike, psiqike, ekonomike apo e kombinuar. Ne luajmë rolin e urës lidhëse mes viktimës dhe organeve kompetente", thekson psikologia Sumea Ramadani.

Sipas Sumea Ramadanit dhe Azra Milaimi Rexhepi, të dyja psikologe të cilat punojnë në linjën për denoncim të dhunës, që nga muaji mars kur linja është aktive e deri tani, është rritur numri i personave të cilët lajmërohen, nga Shkupi por edhe nga qytete tjera të Maqedonisë.

"Dhunën fizike mund ta shohim, ka shenja të dukshme, në krahasim me atë psikike. Gjithsesi, për disa persona edhe vetë dhuna fizike mund të mos cilësohet si dhunë për shkak të normalizimit të dhunës në shoqëri. Mentaliteti ynë në Maqedoni edhe më gjerë është i tillë që toleron disa sjellje dhune të partnerit. Problemi kryesor është njohja e dhunës, në momentin që ata e njohin dhunën dhe janë të vetëdijshëm se çfarë po përjetojnë, janë edhe më të vetëdijshëm se duhet të paraqiten", thotë psikologia Azra Milaimi Rexhepi.

Sipas Milaimi Rexhepit, është shumë e vështirë për gratë të marrin hapin e parë dhe të denoncojnë dhunën, edhe kur vetëm se fillojnë ta jenë të vetëdijshme se janë duke përjetuar dhunë. Ajo pranon që kanë pasur së fundmi raste që pranojnë se u janë dashur më shumë se gjashtë muaj për t'u lajmëruar në linjën pa pagesë.

"Viktimat duan "ta ruajnë" martesën e tyre andaj zakonisht ndodh që të lajmërohen dhe të kërkojnë që përpara se të paraqitet rasti në polici të bisedojmë ne me dhunuesin dhe ta rregullojmë disi çështjen. Ne jetojmë me sistemin patriarkal të jetesës, ku burri në familje është ai që vendos gjithçka dhe atij i lejohet diçka. Andaj dhe te shumë gra ekziston mendimi se dhuna nuk është dhunë, por është e lejushme në një bashkësi martesore", thekson Milaimi Rexhepi.

Sipas Ramadanit, thirrje të shumta ata pranojnë edhe nga pleqtë, shumicën e kohës nga komuniteti maqedonas. Ajo thekson se pleqtë në të shumtën e rasteve abuzohen ekonomikisht, duke u marrë pagesat e tyre të pensionit dhe duke i lënë në gjendje të mjerueshme.

"Fatkeqësisht dhunën që e përjetojnë pleqtë e përjetojnë nga njerëzit më të afërt të tyre, nga ana e fëmijëve. Është shumë e rëndësishme që të krijohet një ambient i shëndoshë familjar, sepse shoqëria e paguan shumë lartë rritjen e individëve në ambiente familjare toksike", thekson Ramadani.

Viktimat shumë shpesh kanë vështirësi në marrjen e vendimit për të paraqitur dhunën, për arsye se ndjejnë turp që rrethi ku jetojnë do të kuptojnë situatën në të cilën ndodhen.

"Viktimat nuk duhet të kenë turp. Turp duhet të kenë ata që e bëjnë veprimin dhe jo ai te i cili veprohet. Nuk ka arsye për turp. Druaj dhe mendoj se numri i thirrjeve nga shqiptarët është më i ulët nga komunitetet tjera, sepse në mentalitetin tonë mendohet se ajo që ndodh duhet të zgjidhet brenda familjes. Por jo, dhuna nuk është problem familjar por është problem shoqëror. Shumicën e kohës janë fëmijët ata që e pësojnë", thekson psikologia Azra Milaimi Rexhepi.

Viktimat të cilat paraqesin dhunë kanë të drejtë të qëndrojnë anonim dhe të mos e tregojnë identitetin e tyre.

LEXO: Diskriminim dhe shkelje ligjore, gratë e rajonit të Pollogut të vetmet në RMV pa strehimore për viktimat e dhunës

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia