Betejën me kancerin e gjirit vitin e kaluar e kanë humbur 356 gra, ky është numri më i lartë i viktimave nga kjo sëmundje në dekadën e fundit në Maqedoninë e Veriut. Përderisa të dhënat e Institutit për Shëndet Publik në lidhje me këtë janë alarmante, në institucionet shëndetësore të vendit shumë vështirë gjenden termine të lira për mamografi, që është mënyra e vetme për zbulimin në kohë të kësaj sëmundje.
Shpesh herë, sidomos në muajin tetor që është edhe muaji botëror për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit, na rastis t’i dëgjojmë autoritetet shëndetësore duke i këshilluar gratë që të bëjnë kontrolle më të shpeshta të gjirit.
Paradoksi qëndron në faktin se përkundër apeleve, është shumë e vështirë gjenden termine të lira për mamografi. Gazetari i Mollëkuqja.mk tentoi të caktojë termin në “mojtermin.mk” dhe rezulton që nga të gjitha institucionet shëndetësore të vendit, në 3 muajt e ardhshëm termin të lirë ka vetëm në Tetovë dhe Koçan, ndërsa pas 7 ditëve, në Shtip.
Gratë deri në moshën 45 vjeçe të cilat nuk kanë simptome, kontrolle preventive për eho të gjirit mund të caktojnë përmes mjekëve amë, të cilët i caktojnë terminet në qendrat për gji që ekzistojnë në disa prej poliknikave. Mirëpo, as aty nuk ka termine.
Një lexuese e Mollëkuqja.mk që po përballet me këtë sfidë rrëfen rrugën tejet të vështirë drejt caktimit të terminit për kontroll të gjirit. Shtoi se e gjithë kjo e ka detyruar që shpesh herë kontrollet t’i kryejë në spitale private.
“Mospasja e termineve apo më mirë thënë marrja e termineve shumë vonë është tejet problematike pasi flitet për një sëmundje që nuk pret. Për shembull, unë si e prekur me këtë sëmundje disa herë është dashur të bëj eho privat pasi në spitalin shtetëror nuk kishte termin për kohën kur më duhej mua. Tani mundohem që në bazë të kontrolleve që i kam në Shkup të marr termine në kohë, megjithatë kështu nuk është në rregull. Për këto sëmundje duhet të ketë termine të lira gjithë kohën, varësisht kur i duhet pacientit, pasi sëmundja nuk pret” tha ajo.
Rikujtojmë që zbulimi i kancerit të gjirit në fazë të hershme rrit shanset për shërimin e kësaj sëmundje. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk komentonë faktin që s’ka termine të lira, thonë se veçse kanë ndërmarrë masa për lehtësimin e rrugës së grave drejt kontrollit të gjirit.
Në drejtim të qasjes më të lehtë deri te ky shërbim mjekësor, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur rregullore të re në të cilin ka risi në rrugëtimin drejt kontrollit të gjirit, me qëllim që gratë të bëjnë kontrolle të gjirit në përputhje me fotografinë e tyre klinike, përkatësisht nevojës mjekësore. Kjo do të thotë se gratë me fotografi klinike për ndryshime në gji do të marrin udhëzim për kontroll të gjirit, ndërsa radiologu do t’i jep udhëzimet shtesë të nevojshme për biopsi dhe ngjashëm. Me këtë do të lehtësohet qasja e grave deri te shërbimi i nevojshëm. Skriningu për kancer të gjirit do të vazhdojë si pjesë e këtij rrugëtimi, me qëllim të ndarjes së grave të cilat i përkasin skriningut dhe gratë me nevojë urgjente për kontroll radiologjik edhe atë: par dhe pas operacionit, gjatë trajtimit onkologjik si dhe pas ndonjë ndryshimi të ri në gjoks
thanë për Mollëkuqja.mk nga MSh.
Në raportin e Institutit për Shëndet Publik thuhet se shkaku më i shpeshtë i vdekjet nga sëmundjet malinje te gratë në Maqedoninë e Veriut në periudhën 2010-2022 është kanceri i gjirit. Mjekët vazhdimisht alarmojnë për rëndësinë e kontrolleve më të shpeshta mjekësore, pasi përqindja e grave që kanë shpëtuar nga kjo sëmundje pasi e kanë zbuluar në fazë të hershme, është shumë e lartë.