“Paçinko”: A është fati i grave koreane punë dhe vuajtje e pafund?

“Paçinko” ishte një surprizë e bukur e kësaj vere, edhe pse e kam blerë nga fjalët e mira që kam dëgjuar për të. Atëherë kur mendoja se kisha lexuar mjaftueshëm për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, zbulova që nuk e kisha idenë se çfarë ka ndodhur asokohe në Kore apo Japoni. Ky roman ishte një dritare e hapur që nëpërmjet historisë së Sunxhasë më lejoi të njoh më tepër koreanët dhe anët e errëta të luftës, kolonializimin e Koresë nga Japonia dhe vështirësitë e koreanëve, që kishin ngelur aq gjatë kohë në Japoni ku ishin as të huaj, as vendas.

Sunxhaja ishte një vajzë e rritur me shumë dashuri nga prindërit të cilët udhëhiqnin një bujtinë. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare ajo ngel shtatzënë me një burrë shumë më të madh në moshë, Hansunë, i cili ishte i martuar dhe kishte familje. Duke mos e ditur këtë, Sunxhaja vulos fatin e saj duke mos pranuar të jetojë e pamartuar, si dashnore e tij. Në një kohë kur morali i grave matej me rregulla burrash, ajo ngel pa zgjidhje në bujtinën e udhëhequr nga nëna e saj.

Një pastor kalimtar, Isaku, i cili ishte nisur për në Japoni, vendos të martohet me Sunxhan dhe të rrisë fëmijun si të tijin. Historia e familjes, situata me luftën, mungesa e ushqimit dhe parave, si dhe mënyra se si koreanët trajtoheshin nga japonezët bën që të mos mund ta lëshosh librin nga dora. Autorja prezanton lexuesin vazhdimisht me personazhe të reja të cilat i japin ngjyrë romanit.

Derisa lexuesi ndjek historinë e katër brezave me radhë, kupton rëndësinë që familja i jep edukimit. Ata sakrifikojnë gjithçka për të edukuar brezat e rinj, të cilët të dëshpëruar nga mënyra se si trajtoheshin si koreanë nga japonezët, përfundojnë duke bërë zgjedhje të tjera, madje edhe duke fshehur plotësisht identitetin e tyre.

Romani definitivisht të kap të papërgatitur për ndodhitë e radhës. Derisa kalon faqe pas faqe lexuesi asnjëherë nuk e di se çfarë e pret në kapitullin e radhës. Duke qenë një historical fiction romani jo vetëm na mëson më tepër për një periudhë kohore mbi të cilën mbase nuk kemi shumë informacion, por të bën edhe të lidhesh me personazhet dhe të të duket sikur ec rrugëve të Osakës apo Tokjos.

Rastësisht, dy librat për të cilat kam shkruar së fundmi ndodhin në Japoni, por duke pasqyruar dy realitete plotësisht të ndryshme. Derisa në “Tokyo Ueno Station” autorja fliste për jetën e të pastrehëve japonezë, në romanin “Paçinko” njohim klasën e pasur japoneze, që nuk ju jepte me qira banesa koreanëve, dhe nuk i punësonte koreanët vetëm ngaqë ishin koreanë. Rastësisht, kam takuar dy botët e japonezëve, të përshkruara nga dy autore gra, puna e të cilave njihet ndërkombëtarisht.

Nëse nuk keni vendosur për librin e radhës, tanimë keni një sugjerim që ja vlen.

Të tjera