“Nuk replikoj me gra”, seksizmi s’mungon as në shtëpinë ligjvënëse, flet deputetja Arta Bilalli Zendeli

“Nuk replikoj me gra”, ishte komenti që e mora pas daljes time të parë në foltore, tha deputetja Arta Bilalli Zendeli për Mollëkuqja.mk.

Shoqëria në Maqedoninë e Veriut ka të përpiluar një listë të gjatë të rregullave sipas të cilave, si mjete robotike pritet nga gratë të veprojnë brenda tyre. Në këtë listë parashihet ajo se si duhet të veshën gratë, si të veprojnë, me çfarë toni të flasin, si të ecin e çfarë punësh ju takojnë atyre, dhe tjera.

Të jesh grua do të thotë të jesh pre e komenteve seksiste, ngacmimeve e bullizmit, deri në atë pikë sa këto sjellje të të duken krejtësisht normale. Por, të jesh grua në politikë, e ke për “hise” që me këto komente të përballesh thuajse çdo ditë.

Mollëkuqja foli me njërën prej tyre, deputeten nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Bilalli Zendeli. Ajo potencoi se nga dita e parë që e ka marrë detyrën, i është bë e qartë se ky fenomen është në fakt prezent edhe në shtëpinë ligjvënëse.

Me sa më kujtohet, dalja ime e parë në foltore u pasua nga një koment i llojit “nuk replikoj me gra” nga një deputet burrë i opozitës shqiptare të asaj kohe. Kjo nuk më la shije të mirë as mua as të tjerëve por është me rëndësi se mua aspak nuk më ndaloi dhe përkundrazi ma bëri të qartë se ndarja burrë-grua do të jetë prezentë edhe në Parlament

tha Arta Bilalli Zendeli, deputete.

Arta thotë se madje edhe komplimentet të cilat i pranon, shpesh herë kanë ngjyrë gjinore dhe në thelb mund të quhen seksiste. Shtoi se për shumë persona, s’është e kapshme se si mundet një grua t’i ketë disa cilësi të caktuara.

“Ka edhe një gjë: gjatë karrierës time politike, shpesh ndodh që edhe komplimentet për punën time të mi dërgojnë me “ngjyrë gjinore” si p.sh. Çfarë gruaje, Grua e vendosur, Grua luftëtare e cila po ashtu lë për të dëshiruar sepse njerëzit janë të barabartë dhe të qenit grua nuk duhet të përmendet gjithandej. Jemi qenie njerëzore të gjithë!” shtoi Zendeli.

Gjithë kjo, deputetja Bilalli-Zendeli gazetarit të Mollëkuqja i tha se bëhet me një qëllim shumë të qartë – që gratë politikane të sjellën në atë pikë që të japin dorëheqje dhe të mos merren me këtë punë.

Të thënave seksiste të burrave se “gratë nuk kanë kohë, gratë zmbrapsen nga pengesa e parë, gratë nuk janë për politikë, etj.” Ju them që në fakt gratë kanë kohë, nuk zmbrapsen dhe gratë janë për politikë

Arta Bilalli Zendeli, deputete

Gratë thuajse të padukshme në vendimmarrje, burrat s’i lëshojnë vendet

Në qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 37 poste ministrore, vetëm 7 janë gra.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi ka përfaqësim më të mirë të grave, kjo pasi Kodi Zgjedhor e në një far forme i obligon partitë t’i përfshijnë gratë në lista për deputetë. Nga gjithsej 120 deputetë, 51 janë gra.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua si presidente, kryeministre apo kryetare kuvendi. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj.

Dëshpërues është numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga gjithsej 81 komuna, vetëm 2 udhëhiqen nga kryetare gra.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, struktura gjinore në Maqedoninë e Veriut është thuaj se e njëjtë. Konkretisht gra ka 925,626 (50.4% ) dhe burra 911,087 (49.6%).

Të tjera