Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka hequr dorë nga ndryshimi i neneve 31 dhe 31a nga Ligji për Policinë, të cilat u referoheshin konfiskimit të armës zyrtare dhe dërgimit në ekzaminim psikologjik dhe psikiatrik ndaj nëpunësit policor kur ai kryen dhunë në familje.
Çfarë thotë ligji aktual?
- Neni 31 parasheh që kur nëpunësi policor kryen dhunë në familje dhe e njëjta raportohet në ndonjërën nga Qendrat për Punë Sociale, e njëjta do ta informojë Ministrinë për Punë të Brendshme e cila detyrohet që nëpunësit të ia merr armën zyrtare.
- Neni 31a parasheh që kur fillon procedura për dhunë në familje ndaj nëpunësit policor, i njëjti detyrohet të dërgohet në ekzaminim psikologjik dhe psikiatri.
Çfarë parashihnin ndryshimet e propozuara?
Ndryshimet parashihnin themelimin e një komisioni i cili do të ishte kompetent për të vlerësuar nëse duhet t’i merret apo jo arma zyrtare dhe a duhet të dërgohet në ekzaminim psikologjik dhe psikiatrik nëpunësi policor. Vlerësimi për marrjen e armës do të bëhej në bazë të asaj nëse arma zyrtate është përdorur për të kryer dhunën.
“Mollëkuqja” u drejtua deri te Ministria për Punë të Brendshme për të kërkuar sqarim sa i përket këtyre ndryshimeve. Nga atje njoftojnë se ndryshimi i këtyre dy neneve nuk është më i paraparë.
“Ministria e Brendshme ka bërë një analizë dhe vlerësim shtesë të zgjidhjeve të propozuara dhe, rrjedhimisht, versioni ekzistues i punës së projektligjit nuk parashikon më asnjë ndërhyrje (rishikim apo fshirje) në nenin e lartpërmendur, gjegjësisht zgjidhjet ekzistuese në Ligjin në fuqi për Policinë në atë pjesë mbeten të pandryshuara.”
Elena Dimushevska, drejtore ekzekutive në Rrjetin Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, nga ku publikisht reaguan mbi këto ndryshime, thotë se ndryshimet e parapara ishin në kundërshtim si me Konventën e Stambollit në të cilën Maqedonia e Veriut është Ratifikuese por edhe me ligjet e brendshme të cilat janë në fuqi.
“Ndryshimet të cilat ishin planifikuar ishin në kundërshtim të plotë jo vetëm me Konventën e Stambollit por edhe me Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, pasi që aty janë të parapara masa të përkohshme të cilat parashohin ndër të tjera edhe marrjen e armës së zjarrit kur dhunuesi posedon armë zjarri. Ndryshimet ishin shumë shqetësuese, ne duhet të pyesim veten se kë duam të mbrojmë, viktimën apo dhunuesin. Marrja e përkohshme e armës së zjarrit në rast të dhunës në familje është e domosdoshme.”
Duke pasur parasysh ndryshimet të cilat parashiheshin, Dimushevska ngre dilema mbi objektivitetin dhe aftësinë e komisionit i cili parashihej të formohej për vlerësimin e situatës konkrete, por edhe mbi provat e përdorimit të armës. Sipas saj, këto ndryshime do të bënin që nëpunësit kryesor të mos i konfiskohej arma nëse ai të njëjtën nuk do ta kishte përdorur për dhunë, gjë që vendos në rrezik shumë të madh viktimën.
Për propozim ndryshimet kanë reaguar edhe organizata të tjera të cilat merren me të drejtat e grave në vend. Sipas Platformës “Meduza”, në dritën e projektligjeve të tilla, konfirmohet përshtypja e aktivistëve të barazisë gjinore se policia, shteti dhe institucionet refuzojnë të jenë bashkëluftëtarët e tyre në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, por edhe se rrezikojnë më tej kategoritë tashmë vulnerabël.
Sipas Dimushevskës këto ndryshime do të sillnin regres në luftën kundër dhunës në familje e sidomos në parandalimin e dhunës së ardhshme.
“Kemi një rast që e punojmë ku policit menjëherë iu morr arma dhe menjëherë u dërgua në ekzaminim psikologjik. Jo që dhuna ndaloi por ne dhe policia parandaluam që kjo dhunë të eskalojë dhe të përfundojë me cënimin e jetës së viktimës. Kjo praktikë filloi të zbatohet më shumë kur kishim një rast kur polici e vrau familjen e viktimës, dhe nga ky rast filluam t’i japim më shumë vëmendje marrjes së armës. Këto ndryshime do të bënin kthim mbrapa të një praktike pozitive e cila dëshmon sukses në parandalimin e femicideve potencile.”
MPB para pak kohësh njoftoi për fillimin e procesit të përgatitjes së projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë. Kjo iniciativë kishte gjithashtu për qëllim harmonizimin e Ligjit për Policinë me Ligjin për Punë të Brendshme. Në kuadër të ndryshimeve të parapara ishte paraparë edhe ndryshimi i këtyre dy neneve shumë të rëndësishme të cilat lidheshin me dhunën në familje.