Dafina Rexhallari që në moshën 12 vjeçe u dashurua me volejbollin, katër vite më vonë filloi të merret në mënyrë më profesionale me këtë sport. Sot, Defina Rexhallari është kampione volejbolli në Maqedoninë e Veriut. Se si arriti deri këtu, ‘Mollëkuqja’ zhvilloi një bisedë me Definën.
Përpos talentit, të cilin Definës ia kishte zbuluar kohë më herët profesori i Edukatës Fizike, për të qenë i suksesshëm në volejboll, siç thotë Defina, “duhet shumë punë.” Andaj, ajo u bë pjesë e ekipit të volejbollit “Rabotniçki” ku është edhe sot.
“Për dallim prej dy viteve të mëparshme, do të thoja se këtë vit e kemi pasur pak më të vështirë. Por pavarësisht kësaj ja dolëm dhe kjo dëshmon se ne jemi më të mirët”, tregon Defina.
Për të, ky rrugëtim s’ka qenë gjithmonë i lehtë.
“Falë angazhimit të trajnerëve dhe stafit të klubit, ne ja kemi dalë dhe rezultatet flasin vetë.. Kur e merr kupën në duar harrohen gjitha vështirësitë dhe në ato momente gëzimi zotëron mbi të gjitha, gjithçka tjetër mbetet nën hije”, thekson Rexhallari.
Pavarësisht se sportet e ndryshme ende paragjykohen nga masa për vajzat, Defina thekson se kjo nuk ka qenë në rastin e saj, pasi ka pasur mbështetjen e familjes, shoqërisë dhe rrethit.
“Sporti është mes tjerash edhe disiplinë dhe nuk duhet të paragjykohet për vajzat, përkundrazi duhet të inkurajohen që sa më shumë të kyçen në sport, pse jo dhe në volejboll. Nuk thonë kotë se mendja e shëndosh qëndron në trup të shëndoshë”, thotë Defina.
Sportistët në vend, krahas shumë sfidave, Defina thekson se nuk vlerësohen mjaftueshëm.
“Gjithmonë mundet më mirë dhe duhet të vlerësohen shumë më shumë. Sportistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi”, theksoi ajo.
Për fund ajo porositi të vajzat dhe djemtë e rinj “të merren me sport dhe asnjëherë mos të heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Për mua është i papranueshëm çdo justifikim i llojit se nuk kemi kohë. Edhe unë krahas sportit kam shumë angazhime tjera, por kur me të vërtetë doni diçka, mund ta arrini”.