“Tregime Pjeshkash” u rikthye fuqishëm këtë vit me plot surpriza dhe risi. Për herë të parë në historinë e vet, kjo nismë këtë vit u mbajt dy herë me dy tematika të ndryshme. “Natën Vonë” dhe “Politikisht Jokorrekt” ishin dy pikat rreth së cilave dymbëdhjetë panelistë ngritën zërin nëpërmjet historive të tyre, me qëllim të ngritjes së vetëdijes kundër ngacmimeve seksuale dhe diskriminimit gjinor, shkruan Mollëkuqja.mk.
Tregime Pjeshkash është një natë gala ku gjashtë gra tregojnë histori nga jeta e tyre profesionale ose private në një temë të caktuar. Qëllimi i kësaj nisme është që përmes kësaj ngjarje të thyhen barrierat dhe stereotipat për gratë në shoqërinë tonë duke krijuar hapësirë që ato të kenë mundësinë të tregojnë përvojat e tyre.
Panelistët për këtë vit ishin nga fusha të ndryshme, por historitë e tyre i bënë bashkë në këtë mbrëmje ku u tha shumëçka e pathënë. Panelistët ishin: Rita Behadini, Elmedina Abdulahi, Adelina Tërshani, Zarije Jonuzi Çeliku, Afërdita Haxhijahja Imeri, Lule Zhuta Hoxha, Vjosa Taipi, Albana Metaj, Dijana Tahiri, Adelina Marku dhe Arbnora Memeti. E veçanta e këtij viti ishte se në mes njëmbëdhjetë grave që treguan historitë e tyre, për të parën herë ishte edhe një burrë, Vigan Shpuza.
Organizatori i kësaj nisme, Guxim Nuhiu tha se Tregime Pjeshkash bazohet në tre shtylla kryesore: lufta ndaj seksizmit, krijimi i opinionit publik dhe dhënia fund idesë së odave shqiptare.
“Me këtë organizim, mundohemi që të arrijmë të bindim publikun se tregimet e grave, eksperiencat e grave, janë po aq të fuqishme, të mbushura me eksperiencë, dashuri dhe mund të zgjidhin shumë probleme.”
Guxim Nuhiu
Në fund, Nuhiu shtoi se një ndër qëllimet e tyre është që të krijojnë një hapësirë ku gratë mund të shprehin lirshëm eksperiencën e tyre. Ai tha se për katër vite kanë organizuar gjashtë edicione dhe arritja më e madhe për ta është vetë fakti që gratë e përjetojnë tregime pjeshkash si një hapësirë të sigurt ku mund të shprehen lirshëm.