Aktivistët e të drejtave të grave marshuan më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Luftës Ekonomike, Politike dhe Sociale për barazinë e grave. Këtë vit marshi filloi nga ora 18:00 në Sheshin Filipi II, nën sloganin: “A do të mbijetojnë gratë këtu?”. Marshi u organizua nga Platforma për Barazi Gjinore.
“Të jesh grua apo vajzë në këtë vend do të thotë të përballesh çdo ditë me një pyetje të re mbijetese: A do ta mbijetoj këtë udhëtim me taksi? A do të mbijetoj këtë muaj? A do ta mbijetoj këtë martesë? A do t’i mbijetoj lindjes? A do t’i mbijetoj këtij operacioni? A do t’i mbijetoj dhunës? Të jesh grua në Maqedoni do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes me frikë dhe të pyesësh veten se si dhe nëse do të mbijetosh atë ditë”, thuhej në njoftimin për marsh të organizatorëve.
Vetëm pak ditë më parë, më 17 shkurt, para Ministrisë së Punëve të Brendshme u protestua për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente për mos dënimin e dhunuesit të studenteve të cilat u sulmuan seksualisht nga një taksist mbrëmjen e 27 janarit. Ndonëse janë publikuar fotografi të veturës dhe ekziston evidencë për gjetjen e të njëjtit, dhunuesi është larguar nga shteti pa u dënuar për sulmin seksual dhe dhunën e ushtruar.
Nga ana tjetër, në janar të këtij viti, një person M.K i moshës njëzet vjeçe duke përdorur dhunë fizike dhe psikike duke e kërcënuar, ka detyruar një të mitur në Kavadar të kryejë akte seksuale dhe të ofrojë shërbime seksuale për pesë persona të denoncuar, në këmbim të mjeteve financiare prej 1,000 deri në 2,000 denarë.
Këto janë vetëm disa nga rastet që kanë ndodhur gjatë vetëm dy muajve të këtij viti, ndërkohë dhuna ndaj grave, dallimi në pagë, varfëria menstruale, pavarësia ekonomike dhe shumë probleme të tjera vazhdojnë të jenë prezente në jetën e grave në Maqedoninë e Veriut.
“Ky marsh është një reflektim protestues i ngjarjeve në vendin tonë dhe neglizhencës kolektive ndaj grave dhe vajzave në çdo aspekt: nga ritmet në rritje të dhunës, femicideve, padrejtësive të përditshme sociale dhe shëndetësore dhe pasigurisë ekonomike, deri te varfëria e lartë që prek veçanërisht gratë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ndryshe, në marshin e vitit të kaluar të zhvilluar më 8 mars qytetarët marshuan duke vënë në pah varfërinë e grave dhe problemet e tyre ekonomike që dolën edhe më shumë në pah në kohën e pandemisë. Slogani i vitit të kaluar ishte: “Varfëria ka fytyrë gruaje”.