Prush mbi akull: Shpirti i panënshtruar dhe triumfues i grave në sportet dimërore

Sportet dimërore janë arena shkathtësie dhe elegance, ku atletët/et rrëshqasin, kërcejnë dhe gdhendin emrat e tyre në dëborë dhe akull duke shkruar historinë. Megjithatë, për gratë ndër vite, kjo rrugë ka qenë më shumë se thjesht një shesh patinazhi i qetë, ka qenë njëkohësisht edhe një betejë e vështirë stuhish përjashtuese, seksizmi dhe pabarazie. Pas çdo rrotullimi elegant apo rrëshqitjeje të guximshme fshihet një revolucion i heshtur, një thirrje feministe që kërkon vlerësimin dhe respektin që grave u është mohuar prej kohësh.

Historia e grave në sportet dimërore nuk ka të bëjë vetëm me thyerjen e rekordeve, por me thyerjen e barrierave. Për dekada, grave iu mohua qasja në sporte që konsideroheshin shumë të rrezikshme ose kërkuese për trupin e tyre “delikat”.  Kërcimi me ski, për shembull, përjashtoi gratë nga Lojërat Olimpike deri në vitin 2014 – pavarësisht nga atletët meshkuj që konkurronin në këto disiplina që nga viti 1924.

Çfarë tregon për shoqërinë fakti kontradiktor që një grua mund të udhëtojë në hapësirë, por të jetë e papranueshme të garojë në kërcim me ski? Ky fakt thekson se frika nga pushteti i grave dhe jo shqetësimi për sigurinë e tyre, ka qenë pengesa e vërtetë. Duke këmbëngulur që gratë të qëndrojnë larg pjerrësive garuese apo shesheve të akullit, patriarkalizmi është përpjekur t’i mbajë ato larg podiumeve dhe vëmendjes.

Pavarësisht këtyre pengesave, gratë kanë gjetur gjithmonë mënyra për të rishkruar skenarin. Në vitet 1920 dhe 1930, patinatorja norvegjeze e figurave Sonja Henie, e transformoi sportin e saj në një vepër arti. Henie nuk fitoi vetëm medaljen e artë, ajo e ktheu patinazhin artistik në një spektakël, duke e bërë botën të përqendrojë vëmendjen tek gratë mbi akull. Apo Lindsey Vonn, karriera e së cilës në skijimin alpin nuk vendosi vetëm rekorde të reja, por gjithashtu standarde të reja në këtë disiplinë. Dominimi i saj ftoi sponsorët dhe transmetuesit t’i jepnin skijimit të grave respektin që meritonte.

Të mos harrojmë atletet e zjarrta të hokejit për femra. Për dekada, ato janë përballur me shkurtime buxhetore, pajisje të dorës së dytë dhe vëmendje minimale nga mediat. Por ato vazhdojnë të shfaqen në fushën e akullit, të veshura me pajisjet e tyre duke dëshmuar se hokej-i mbi akull nuk është një “lojë burrash” – është loja e kujtdo që guxon ta luajë.

Reportazhet mediatike shpesh i kufizojnë dhe zvogëlojnë gratë atlete, duke u fokusuar në veshjet apo modelin e flokëve të tyre dhe jo tek kurajoja dhe aftësitë e tyre. Shprehja “ajo është kaq e hijshme” është përdorur për të hedhur poshtë fuqinë e jashtëzakonshme të një kërcimi siç është ai i llojit boshti i trefishtë (triple axel) në patinazh.

Por atletet feministe po e rikuperojnë tregimin. Snowboardistja Chloe Kim e përdor platformën e saj për të folur për shëndetin mendor, seksizmin dhe racizmin, duke dëshmuar se zëri i saj është po aq i fuqishëm sa triumfet e saj në pistën gjysmë-rrethote. Skiatorja Mikaela Shiffrin kërkon pa hezitim respekt për gratë në sport, duke demonstruar se thyerja e rekordeve është po aq e rëndësishme sa tejkalimi i paragjykimeve.

Gratë në sportet dimërore vazhdojnë të thyejnë barriera, por arritjet e tyre shpesh mbulohen nga stereotipe të vjetruara. Ato vlerësohen për forcën e tyre, por vetëm nëse nuk duken kërcënueshëm të suksesshme. Ambicia e tyre admirohet, por pritet që gjithmonë të jenë të buzëqeshura dhe të hijshme në përputhje me pritshmëritë që ka shoqëria për to. Shpeshherë, arritjet e tyre nënvlerësohen nëse nuk përputhen me normat tradicionale të feminitetit.

Feminizmi sfidon këto pritshmëri duke bërë një pyetje radikale: Pse gratë duhet të përshtaten që të fitojnë të drejtën për të konkurruar? Sportet dimërore nuk kanë të bëjnë me atë se si një grua duket kur kalon vijën e finishit, ata kanë të bëjnë me zjarrin, pasionin dhe përkushtimin që të nevojitet për të arritur deri aty.

Imagjinoni një botë ku një vajzë e re që po shikon Olimpiadën nuk duhet të pyetet nëse hokej-i për femra është po aq emocionues sa ai i meshkujve. Aty ku skijatoret gra nuk duhet të ngrenë padi që të fitojnë të drejtën për të konkurruar. Ku atletet femra nuk duhet të luftojnë dy herë më shumë për tu paguar dy herë më pak.

Kjo botë të cilën po e synojmë nuk është ndonjë ëndërr surreale, është një kërkesë feministe për të drejta të ekuilibruara. Ku jepen çmime të barabarta, kohë e barabartë transmetimi dhe respekt i barabartë. Në këtë botë që për shumicën mund të tingëllojë imagjinare, pretendojmë të çmontojmë strukturat patriarkale që janë përpjekur t’i largojnë gratë mënjanë – qoftë ajo pranë akullit apo larg tij.

Dimri është kohë transformimi, kur peizazhet ribëhen nga bora dhe akulli. Gratë në sportet dimërore mishërojnë këtë frymë ndryshimi, duke i kthyer arenat frigjide në hapësira rezistence dhe fluiditeti. Çdo dimër që vjen ato na dëshmojnë se nuk janë thjesht pjesëmarrëse, por pioniere, nuk janë thjesht konkurrente, por katalizatorë që na dërgojnë drejt revolucionit.

Pra, gjersa brohorasim për rrokullisjet e guximshme, kërcimet që të ndalojnë frymën dhe vrapimet që thyen rekorde këtë dimër, le të festojmë gjithashtu luftën feministe që i solli gratë në këto kufij të akullt. Le të nderojmë brezat që kanë lidhur patinat e tyre, kanë dyllosur skitë e tyre dhe janë zmbrasur kundër një sistemi që u tha atyre se nuk përkisnin këtu.

Sportet dimërore nuk kanë të bëjnë vetëm me shpejtësinë dhe forcën, kanë të bëjnë me mosbindjen dhe revolucionin. Gratë nuk po thyejnë vetëm rekorde – ato po thyejnë akullin dhe këto të çara po bëjnë jehonë në mbarë botën.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera