Në seancën e sotme të Qeverisë së RMV-së u rishqyrtua dhe miratua koncepti për reforma të politikës tatimore, sipas të cilës produktet menstruale nuk do të tatimohen si produkte luksi me 18% por kjo përqindje zvogëlohet në 5%.
“Grupi i katërt ka të bëjë me ndryshimin e ligjeve dhe normave të taksave për personat me aftësi të kufizuara dhe përmirësimin e pozitës së grave. Norma e TVSH-së, për shembull, do të ulet për produktet e higjienës menstruale”
Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së
LEXO: Varfëria menstruale, gratë në RMV me „alternativa” në mungesë të produkteve menstruale
Më datë 28 maj të vitit 2022 në Shkup u protestua dhe u kërkua që produktet e higjinës menstruale të mos tatimohen si produkte luksi me 18%, ashtu si tatimohen edhe alkooli dhe cigaret, sepse këto produkte janë produkte bazë për gratë.
Me uljen e TVSH-së për produktet menstruale pritet ulje e çmimit të tyre. Ulja e çmimeve të produkteve menstruale do t’i bëjë ato të përballueshme dhe të aksesueshme për të gjithë ata që kanë nevojë për to, gjë që ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e dinjitetit, shëndetit dhe higjienës së atyre që përdorin produkte menstruale. Produktet menstruale nuk janë produkte luksi, janë produkte të domosdoshme dhe në kuadrin e krizës me të cilën po përballemi, nuk duhet të lejojmë që personat me menstruacione të vënë në rrezik shëndetin e tyre duke zgjedhur mënyra të pasigurta për të menaxhuar higjienën menstruale
Period Skopje
Sipas Free Period, në bazë ditore në botë mbi 800 milion njerëz kanë menstruacione. Prej tyre 500 milion nuk kanë qasje në resurse adekuate për kujdes gjatë ditëve të menstruacioneve dhe nuk janë të informuar për t’u marrë me sfidat që vinë me ciklin menstrual.