Ndonëse shifrat e femicidit janë në përmasa alarmante, ai nuk është i përshkruar si vepër penale e veçantë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç se në Maqedoninë e Veriut së fundmi me ndryshimet ligjore në Kodin Penal Femicidi, përkufizohet si privimi nga jeta i një gruaje ose një vajze deri në 18 vjeç, gjatë kryerjes së dhunës me bazë gjinore. Megjithatë, nga mos përshkrimi adekuat i kësaj vepre në ligjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e vështirë të monitorohen dhe analizohen siç duhet rastet e femicidit.
Femicidi është vrasja e një vajze apo gruaje, zakonisht nga një burrë, për shkak të gjinisë së saj. Femicidi është forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore.
Pikërisht për këtë problem, Gender and the judiciary in the Western Balkans përmes raportit “Përgjigja gjyqësore ndaj femicidit në Ballkanin Perëndimor – kuadri ligjor dhe praktika gjyqësore” jep një pasqyrë më të qartë të rasteve të femicidit në këtë rajon për tre vitet e fundit.
Shifrat janë shqetësuese. Sipas raportit, nga viti 2020 deri në vitin 2022 në Ballkanin Perëndimor ka pasur 162 raste të femicidit.
Maqedonia e Veriut e vetmja në rajon që e rregullon ligjërisht më mirë këtë, por prapë s’përdoret termi “femicid”
“Ndryshimet në Kodin Penal të marsit të vitit 2023 prezantuan veprën të femicidit për herë të parë (edhe pse nuk emërtohet si femicide). Përkufizimi i kësaj vepre është si më poshtë: privimi nga jeta e një gruaje ose një vajze deri në moshën 18 vjeç, gjatë kryerjes së dhunës me bazë gjinore. Duke pasur parasysh se ndryshimet e ligjit janë bërë së fundi, ende nuk dihet se si do të zhvillohet praktika gjyqësore. Megjithatë, ky është një progres i madh në drejtim të unifikimit të përgjigjes gjyqësor ndaj femicideve”, tregon Raporti i AIRE.
Sipas raportit, në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, në Maqedoninë e Veriut janë zhvilluar 17 procese gjyqësore penale në lidhje me femicidin, të cilat kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.
Krimet janë kryer në një banesë, shtëpi apo oborr ku jetonte viktima, ndërkaq kanë qenë 17 autorë të femicideve. Numri i viktimave ka qenë 19 gra.
“Vendimet e gjykatave konstatojnë se katër viktima janë ekspozuar ndaj formave të ndryshme të dhunës para femicidit apo tentativës për femicid. Dhuna e mëparshme nuk është konstatuar në raste të tjera. Pesë prej viktimave nuk kanë kërkuar ndihmë apo mbështetje nga institucionet përkatëse, ndërsa për 14 viktimat e mbetura nuk dihet ky fakt. Para ngjarjes, një nga viktimat ka denoncuar në polici se është abuzuar nga autori, por në bazë të kallëzimit të saj nuk janë ndërmarrë veprime të mëtejshme”, thekson Raporti.
Ndër tjera tregohet se në 14 procese gjyqësore, gjykata i shpalli fajtorë autorët dhe i dënoi me burgim. Në tre procese gjyqësore u caktua masa e sigurisë (mjekim i detyrueshëm në një institucion shëndetësor), duke qenë se autorët nuk kishin pasur aftësi mendore në momentin e kryerjes së krimit.
Nga gjithsej 14 dënime, tetë ishin deri në 10 vjet burgim, pesë ishin mbi 10 vjet burgim dhe një dënim me burgim të përjetshëm. Në 12 raste janë bërë ankesa. Gjashtë vendime u lanë në fuqi, dy u lanë në fuqi pas rigjykimit, ndërsa katër u rrëzuan pas rigjykimit.
Shqipëria nuk e njeh si vepër të veçantë femicidin
Raporti vë në dukje se femicidi nuk është i parashikuar si vepër penale më vete në Shqipëri. Legjislacioni penal përfshin aktet penale të dhunës, disa prej të cilave lidhen me marrëdhënie familjare ose marrëdhënie intime që nuk janë domosdoshmërish të lidhura me familjen, sipas një seksioni të veçantë të Kodit Penal, si dhe vrasjet dhe sanksionet për lloje të ndryshme vrasjesh. Ligji tjetër i rëndësishëm është Kodi i Procedurës Penale (KPP) i Republikës së Shqipërisë.
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ka kryer hulumtime mbi vendimet e gjykatave në lidhje me femicidin në Shqipëri gjatë periudhës 2017-2020, nëpërmjet monitorimit, analizimit dhe vlerësimit të vendimeve të gjykatave shqiptare.
Nga praktika gjyqësore e mbledhur, u analizuan 23 vendime të formës së prerë si femicide dhe tentativë për femicid. Në periudhën 2017-2020, shumica e vendimeve janë dhënë nga Gjykata e Krimeve të rënda (70%), ndërsa pjesa tjetër e vendimeve janë dhënë nga gjykatat e rretheve. Nga çështjet e analizuara ishin gjithsej 33 vepra penale, prej të cilave 25 ishin vepra kryesore penale.
“Shumica e veprave janë kryer në shtëpinë e përbashkët të viktimës dhe autorit… Gratë janë më shpesh viktima të femicideve nga burrat e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, veçanërisht kur jetojnë së bashku. Shumica e viktimave kishin përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike përpara femicidit”, tregon Raporti.
Në përgjithësi, gjykatat në shumicën e rasteve kanë dhënë vendim me burgim afatgjatë ose burgim të përjetshëm. Nga numri i përgjithshëm i çështjeve, 23 meshkuj kanë kryer vepër penale që në hulumtim është klasifikuar si femicide dhe tentativë për femicid. Në kampionin e praktikës gjyqësore përfshiheshin 27 viktima, shumica prej të cilave gra (89%).
“Disa nga autorët e kanë pranuar akuzën dhe kanë dhënë shpjegime për motivet e kryerjes së veprës penale ose janë bërë të qarta nga dëshmitë. Motivet bazë janë një nga shkaqet e krimeve në familje, megjithatë nuk jepen shumë detaje. Disa nga motivet e renditura janë: xhelozia; dyshimi se fëmijët nuk ishin të tij; problemet e shëndetit mendor; problemet ekonomike; lëshimi i një urdhri mbrojtjeje ose dënimi për dhunë në familje ose divorc; abuzimi me alkoolin i kombinuar me probleme ekonomike; dyshimi për tradhti bashkëshortore; refuzimi për të pasur marrëdhënie intime; hakmarrje pasi viktima kishte akuzuar kunatin për vrasjen e motrës etj”, tregon Raporti.
Edhe Kosova problem me definimin e qartë të femicidit
Femicidi nuk është term i përdorur shprehimisht në legjislacionin e Kosovës, siç është rasti edhe me vendet e tjera. Megjithatë, ekzistojnë disa vepra penale të cilat mund të përdoren në rastet e femicideve. Raporti thekson se nuk ka asnjë statistikë zyrtare për të dhënat dhe publikimin e të dhënave për femicidin, veçanërisht duke pasur parasysh se femicidi nuk parashikohet shprehimisht si vepër penale më vete.
“Mungesa e statistikave zyrtare për dhunën me bazë gjinore, dhunën në familje dhe femicidin paraqet pengesë në ndërgjegjësimin dhe në luftën kundër këtij fenomeni. Hendeku statistikor në Kosovë reflektohet edhe nga rekomandimet e Sekretariatit të GREVIO-s, sipas të cilit, ndër të tjera, (i) autoritetet në Kosovë duhet të zgjerojnë fushën e të dhënave të mbledhura nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe gjyqësori për të mbuluar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe të sigurohet që të dhënat e tilla të klasifikohen sipas gjinisë, moshës dhe marrëdhënies ndërmjet viktimës dhe dhunuesit”, tregon Raporti.
Raporti tregon se sipas të dhënave të disponueshme, gjatë periudhës 2018-2022, në Republikën e Kosovës kanë ndodhur njëzet (20) femicide dhe katër (4) tentativa për vrasje femicide. Megjithatë, që nga korriku i vitit 2023, për hulumtim ishin të disponueshme vetëm pesë (5) vendime të formës së prerë dhe të detyrueshme.
Çfarë duhet të bëjnë vendet për të përmirësuar këtë problem?
Raporti krahas mangësive, jep edhe rekomandime. Duke marrë parasysh shkaqet e femicideve dhe faktin se ky krim është i lidhur me gjininë, nuk është e mundur të parandalohet me sukses femicidi pa tejkaluar kulturën e dhunës ndaj grave dhe pa vendosur tolerancë zero ndaj dhunës ndaj grave, pavarësisht formave dhe kontekstit në të cilin ndodh dhuna.
Çdo vend ka nevojë për ndryshime në modelet sociale dhe kulturore të sjelljes së grave dhe burrave me qëllim të zhdukjes së paragjykimeve, zakoneve, traditave dhe praktikave të tjera që bazohen në idenë e inferioritetit të grave, pra në rolet stereotipike të grave dhe burrave.
“Duhet të zbatohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe gjyqësori duhet të ketë vendin e vet brenda sistemit. Parandalimi efektiv i femicidit nuk është i mundur pa burime të mjaftueshme për të zbatuar ligjet, politikat dhe procedurat për parandalimin dhe ndjekjen penale të femicideve dhe akteve të tjera të dhunës me bazë gjinore. Gjyqësori duhet të tregojë më shumë thellësi në analizën dhe kuptimin e këtij lloji të krimit, gjë që do të çonte në procese gjyqësore më të drejta dhe, në fund, në dënime më të përshtatshme për autorët”, thuhet mes tjerash në raport.
Disa nga rekomandimet tjera përfshijnë:
- Parashikimi i femicidit si vepër penale,
- Krijimi i një sistemi kombëtar për mbledhjen e të dhënave dhe përmirësimi i bazave të të dhënave gjyqësore,
- Hartimi i udhëzimeve për trajtimin e çështjeve të femicideve,
- Trajnimi vazhdues për gjyqësorin,
- Krijimi i një mekanizmi monitorimi për femicidin në çdo shtet dhe krijimi i një mekanizmi rajonal monitorimi për femicidin,
- Shkëmbimet e njohurive dhe praktikave gjyqësore midis vendeve të rajonit.
Përndryshe, në nivel global, në vitin 2021, rreth 45,000 gra dhe vajza u vranë nga partnerët e tyre intimë ose anëtarë të tjerë të familjes, që është më shumë se pesë gra ose vajza të vrara çdo orë.