Portalb.mk kreu një anketë për problemin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Tetovës, Universitetin Nënë Tereza dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut. Nga 122 persona që u përgjigjën në anketë, 24 u shprehën se kanë përjetuar ngacmim seksual. Studentët nuk i paraqesin rastet sepse kanë frikë dhe mosbesim që rasti i tyre do të do të ketë epilog pozitiv. Universitetet thonë se nuk kanë pranuar asnjë denoncim. Denoncime nuk ka as në polici. Nga shoqëria civile thonë se ky problem mbetet një “sekret publik” dhe se studentëve u kërkohen favore seksuale për nota.
“Profesori më shkruante natën vonë”
Portalb.mk intervistoi një studente e cila para disa viteve është ngacmuar seksualisht online nga një profesor në njërin nga universitetet në Maqedoninë e Veriut. Ajo na kërkoi të mbetet anonime dhe u përgjigj shkurtër për përvojnën e saj.
Studentja rrëfeu se gjithçka filloi kur ajo e kontaktoi përmes emailit profesorin për disa pyetje dhe materiale në lidhje me provimin, ndërsa më pas i njëjti i kishte thënë se nuk i përcjellë emailet dhe se më mirë të kontaktojnë përmes telefonit.
“Prej atij momenti, ai ka keqpërdorur telefoni duke më kontaktuar në orë të vona me mesazhe që nuk kishin të bëjnë me materialin e provimit. Me mesazhe si ku gjendem, të takohemi për kafe, të marr unë me veturë për në provim dhe të ngjashme”, tha ajo.
Kjo i ka shkaktuar asaj frikë, pasi siç tha, nëse ia thoshte profesorit se e kupton qëllimin e tij, ai do t’i bënte problem në provimin të cilin ende nuk e kishte dhënë. Ajo sqaroi se nuk ia ka kthyer më mesazhet profesorit, por që kjo i ka shkaktuar stres dhe presion psikologjik.
“Nuk e kam raportuar sepse kam dëgjuar shumë raste ku çdoherë është akuzuar dhe fajësuar viktima dhe nuk janë marrë masa ndaj kryerësve”, tha ajo.
Megjithatë ajo porositi që çdokush që përjeton ngacmim të tillë të ketë guximin që ajo nuk e pati, ta raportojnë në instancat kompetente, me fakte dhe dëshmi.
Studentët u rrëfyen në anketën anonime të Portalb: Ka ngacmime seksuale
Portalb.mk nga periudha 27 maj deri më 17 qershor 2024 kreu një anketë anonime e cila ishte publike lidhur me ngacmimet seksuale nga profesorët ndaj studentëve në tre universitetet publike në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut: Universitetin e Tetovës (UT), Universitetin Nënë Tereza (UNT) dhe Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) i cili është publiko-privat.
Anketa u plotësua nga 122 studentë dhe ish studentë, edhe atë 32 nga UT, 83 nga UEJL dhe 7 nga UNT.
Nga gjithsej 122, 24 kanë deklaruar se kanë përjetuar ngacmime seksuale në njërin nga këto universitete, 21 prej të cilave janë vajza kurse 3 djem. Edhe atë: 16 në UT (15 vajza, 1 djalë) , 7 në UEJL (5 vajza, 2 djem) dhe 1 vajzë në UNT.
Në lidhje me llojin e ngacmimit seksual 14 janë deklaruar për ngacmim seksual verbal, 8 për fizik dhe 2 për online.
20 nga të anketuarit thanë se kanë përjetuar ngacmim seksual nga një profesor ndërsa 4 të tjerët nga asistent.
Vetëm një nga këto raste e ka raportuar rastin në evaluimin e lëndës që e bëjnë në fund të semestrit në formë anonime, por që nuk e din nëse është marrë ndonjë masë në këtë drejtim.
Ndërkaq 23 të tjerët nuk e kanë paraqitur asnjë rast. 12 kanë thënë se nuk kanë besim në organet kompetente, 7 kanë thënë se do i fajësonin ata, ndërsa 4 për arsye të tjera.
Nga ana tjetër 4 persona të cilët vetë nuk kanë përjetuar ngacmim seksual janë deklaruar se njohin kolegë të tyre që kanë përjetuar ngacmim të tillë. Por edhe asnjë nga ata nuk e ka paraqitur si rast, 3 thanë se nuk kanë besim në organet kompetente ndërsa 1 për arsye tjetër.
Çfarë thonë universitetet?
Pasi morëm rezultatet e anketës, u drejtuam te tre universitetet dhe i pyetëm nëse kanë pasur raste të paraqitura për ngacmime seksuale, nëse janë marrë masa ndaj tyre, cilat janë organet ku studentët mund t’i paraqesin ngacmimet brenda universitetit dhe cila është procedura, a kanë person të posaçëm që merret me këto raste, i pyetëm edhe për rezultatet e anketës së Portalb.mk dhe nëse do merret ndonjë masë ndaj kësaj problematike.
UT: Nuk kemi pranuar asnjë denoncim të kësaj natyre
Sipas anketës së Portalb.mk, nga 32 studentët e UT-së që morën pjesë, 16 deklaruan se kanë përjetuar ngacmim seksual, 15 vajza dhe 1 djalë, asnjëri prej tyre nuk e ka raportuar rastin.
Nga kabineti i rektorit të UT-së thanë se në Rektoratin e Universitetit të Tetovës, nuk kanë pranuar/marrë ndonjë denoncim të kësaj natyre.
“Ne si drejtues të këtij institucioni, i inkurajojmë studentët e të gjitha fakulteteve t’i denoncojnë madje publikisht sjelljet e papranueshme të cilat sanksionohen me Kodin Etik dhe të gjithë rregulloret tjera të punës për realizimin e veprimtarisë së përgjithshme në Universitetin e Tetovës. Edhe njëherë u bëjmë thirrje studentëve dhe jo vetëm, që nëse kanë qenë pre e këtyre rasteve të njëjtat t’i paraqesin para organeve kompetente”, thanë nga Universiteti i Tetovës.
Megjithatë nga ky universitet nuk na njoftuan për pikat tjera të cilat i pyetëm.
UNT: Nuk kemi pasur asnjë rast deri më tani, inkurajojmë studentët t’i paraqesin
Sipas anketës së Portalb, nga 7 studentët e UNT-së që morën pjesë, vetëm 1 vajzë deklaroi se ka përjetuar ngacmim seksual dhe që nuk e ka paraqitur rastin.
Nga Universiteti “Nënë Tereza” thonë se nga themelimi i tij e deri më sot nuk kanë pasur asnjë paraqitje për ngacmime seksuale në mënyrë që të ndërmarrin diçka.
Ata theksojnë se në mënyrë permanente bëjnë anketa me studentët ku ata shkruajnë edhe komente për profesorët.
“Raste të tilla të ngacmimeve nuk ka pasur. Të dhënat nga anketat janë të postuara në këtë link”, thonë nga UNT.
Në lidhje me anketën e Portalb.mk nga UNT thonë se do të japin maksimumin për zbardhjen e rastit dhe se dëshirojnë që çdo student të ndihet i sigurt dhe të mos ndihet i kërcënuar nga askush, posaçërisht nga stafi i universitetit.
“Pasi që na është bërë me dije, sigurisht që do t’i aktivizojmë të gjitha mekanizmat për të hetuar se nga kush, ndaj kujt dhe pse ka pasur rast të këtillë, dhe njëkohësisht ai person do të dënohet me masat më të rrepta nëse ka vepruar në mënyrë jo të pëlqyer dhe të neveritshme ndaj studentit, por edhe do të mundohemi që të shohim se personi që ka denoncuar një gjë të këtillë a është student i yni apo jo. Nëse jo, ky lloj rasti duhet të denoncohet në organet përkatëse për luftimin e këtyre dukurive të neveritshme”, tha rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
Ata theksojnë se universiteti ka rregullore për mbrojtjen e denoncuesve, kështu që studentët nuk duhet të kenë frikë për të denoncuar ngacmimet e çdo lloj natyre.
“Nëpër fakultete por edhe në suaza të Universitetit ka avokat të studentëve i cili edhe ekziston për t’i mbrojtur të drejtat e çdo studenti nga çdo lloj ngacmimi… Kemi edhe zyrën për denoncim të korrupsionit ku edhe probleme të kësaj natyre mund të paraqiten, gjë që personi i autorizuat gjatë mbajtjes së panel diskutimeve me studentët edhe i ka informuar së paku dy herë në vit”, thonë nga UNT.
Ata shtojnë se nëse studentët nuk dinë ku të drejtohen në raste të tilla, ata duhet të paraqiten te kuvendi studentor apo avokati i studentëve si urë lidhëse për t’ua lehtësuar këtë proces. Gjithashtu ata mund t’i paraqesin këto raste edhe përmes ueb faqes së universitetit në këto dy linqe.
UEJL: Nuk kemi asnjë paraqitje, studentët duhet të ndihen të lirë të raportojnë
Sipas anketës së Portalb, nga 83 studentët e UEJL-së që morën pjesë, 5 vajza dhe 2 djem kanë deklaruar se kanë përjetuar ngacmim seksual.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) thonë se deri më tani nuk kanë të paraqitur ndonjë rast të ngacmimit seksual, edhe pse siç thonë vazhdimisht në paraqitjet publike të menaxhmentit u është bërë thirrje dhe janë nxitur studentët, që nëse ka raste të tilla t’i paraqesin në organet kompetente të universitetit.
“Universiteti i Evropës Juglindore, që nga themelimi e deri më tani ka miratuar një sërë rregulloresh dhe ka krijuar procedura, të cilat ua mundësojnë studentëve të paraqesin raste të kësaj natyre, por jo vetëm. Disa nga rregulloret janë: rregullorja për masa disiplinore, rregullorja për mosdiskriminimin dhe trajtimin e barabartë, pastaj kodeksi për sjellje etike të stafit akademik dhe procedura për zgjidhjen e ankesave të studentëve/publikut”, thanë nga UEJL.
Ata theksojnë se studentët kanë disa mundësi të paraqitjes së rastit, edhe atë: ta plotësojë Formularin e ankesës, ose paraqitjes së rastit ( i njëjti mund të merret te administratori i Fakultetit, ose të shkarkohet nga ueb faqja), ose ta paraqes rastin drejtpërdrejtë në Dekanat, Zyra e Burimeve Njerëzore, ose Zyra për Menaxhimin e Cilësisë. Po ashtu, studenti mund ta plotësojë online formularin, i cili është anonim dhe ta adresojë çështjen.
“Siç shihet nuk është vetëm një mundësi, por janë më shumë mundësi që pala e prekur mund t’i shfrytëzojë dhe ta paraqes rastin e ngacmimit seksual. Pas klasifikimit të ankesës e njëjta dërgohet deri te Komisioni Disiplinor (Rregullore për masa disiplinore- mund të shkarkohet nga ueb faqja), i cili e trajton këtë çështje në bazë të nenit 3, paragrafi 1, pika 8, paragrafi 3, pika 8, 9, 10 dhe 16, i heton rastet dhe i propozon masat që kanë të bëjnë me këtë shkelje të rëndë. Komisioni i shqyrton faktet dhe bënë propozimin me shkrim. Vendimi për propozimin me shkrim bëhet me konsensus (neni 10, paragrafi 4 i Rregullores). Vendimi përfshinë edhe masën largim nga puna. Studentët mund të paraqesin rastet edhe te Avokati studentor, i cili kontribuon në ruajtjen e standardeve më të larta të jetës akademike dhe jep mbështetje efektive për studentët në shqyrtimin e pavarur dhe të paanshëm të ankesave të tyre”, thanë nga UEJL.
UEJL nuk ka të caktuar ndonjë person për trajtimin e këtyre rasteve, por thonë se kanë politika the procedura sipas të cilave trajtohen rastet e tilla. Ata inkurajojnë studentët t’i paraqesin rastet e tilla.
“Ju ftojmë dhe i inkurajojmë edhe studentët, të vijnë t’i paraqesin rastet eventuale dhe të njëjtët do të marrin seriozitetit dhe vëmendjen më të madhe të mundshme, natyrisht duke u respektuar procedura dhe rregulloret e miratuara nga organet e Universitetit. Po ashtu, mbështetur në Procedurën për zgjidhjen e ankesave të studentëve/publikut, ankimuesit i garantohet se nuk do të ketë asnjë dëmtim, ose padi si rezultat i paraqitjes së rastit. Sipas kësaj Procedure, respektohet dhe garantohet konfidencialiteti ose privatësia e ankimuesit”, thonë nga UEJL.
FNA: Favoret seksuale kërkohen për këmbim të notave
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) thekson se vazhdimisht monitorojnë parregullsitë në arsimin e lartë, me theks të veçantë korrupsionin.
“Në këtë kontekst, kërkimi i favoreve seksuale në këmbim të notave është padyshim një formë e korrupsionit, e cila sipas raportimeve që vijnë tek ne, është shumë prezentë në vendin tonë, përkundër faktit që kjo s’merret seriozisht nga ana e institucioneve për arsim të lartë në vend, marrë parasysh se asnjëra prej tyre s’ka të përpiluar strategji konkrete se si do ta luftonte këtë dukuri”, tha Blendi Hodai, drejtor i FNA-së.
Ai shtoi se si FNA deri më tani kanë realizuar tre trajnime ku të rinjtë janë njoftuar se në cilat dyer duhet të trokasin në situata të tilla.
“Përpos prokurorisë edhe policisë, rrallë kush e din se universitetet tona obligohen me ligj të kenë oficer zyrtar për antikorrupsion, e ky njeri s’duhet gjithë ditën të pijë kafe por duhet të merret me këto çështje, si në parandalim, ashtu edhe në sanksionim”, thonë nga FNA.
Në Policinë e Tetovës nuk është paraqitur asnjë rast
Me ndryshimet ligjore në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut në shkurt të vitit 2023, ngacmimi tani më paraqet vepër penale.
Nga Policia e Tetovës na thanë se në zonën që mbulon Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, në pesë vitet e fundit nuk janë regjistruar raste të ngacmimeve seksuale nga profesorë ndaj studentëve të Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore.
“Ndërsa, Universiteti “Nënë Tereza” nuk është në zonën e sigurisë së Departamentit të Punëve të Brendshme në Tetovë”, thanë nga SPB Tetovë.
Prokuroria “nuk ka të dhëna”
Nga Prokuroria Publike të pyetur në lidhje me këto tre universitete “prituan të hulumtojnë”, theksuan se Prokuroria Publike mban evidencë për rastet sipas të dhënave personale të të raportuarit, sipas datës dhe prokurorisë në të cilën është dorëzuar kallëzimi, e jo në bazë të aftësisë profesionale apo tjetër të personit të raportuar apo të dëmtuarit.
“Nëse keni informacion në lidhje me raportet e dorëzuara që përputhen me përshkrimin që jepni, ju lutemi na jepni të dhëna më specifike në mënyrë që të mund të identifikojmë subjektin dhe t’ju ofrojmë informacion në lidhje me statusin e procedurës së mundshme”, thanë nga Prokuroria Publike.
Më pas i njoftuam me rezultatet e anketës që realizuam, por përsëri nga Prokuroria nuk na dhanë ndonjë informatë.
“Prokuroria Publike nuk ka mundësi të komentojë rezultatet e anketës, por vetëm të japë informacion për raste të veçanta me interes publik. Të dhënat që na jepni nuk mjaftojnë për të kontrolluar nëse ka apo jo një rast të tillë në prokurori. Kushdo që ka informacion për vepra penale mund t’i paraqesë në prokurorinë kompetente”, thanë nga Prokuroria Publike.
Ngacmimet seksuale të pranishme edhe në UKM
Një hulumtim në vitit 2022 nxori në pah ngacmimet seksuale në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe se studentët nuk dinin ku t’i raportojnë të njëjtat.
Ndërkaq në shtator të vitit 2023, dy profesorë nga Fakulteti Ekonomik në UKM u dënuan me burg pasi u kërkonin para dhe seks studenteve për nota, ndërsa një demonstrues u dënua me dënim me kusht prej 2 vitesh nëse në 5 vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën, pasi ndërmjetësonte mes studenteve dhe profesorëve.
Përndryshe, ngacmimet seksuale në universitete janë problem edhe në Kosovë, ku së fundmi rasti aktual ishte me Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ngacmimi seksual problem mbetet edhe në Serbi, në Universitetin e Beogradit.