Ndihma financiare për viktimat e dhunës me bazë gjinore: A mjaftojnë 15 mijë denarë?

Maqedonia e Veriut sipas Ligjit për Mbrojtje Sociale u mundëson viktimave të dhunës në familje të marrin ndihmë të njëhershme financiare në shumë prej 15.000 denarë. Kjo ndihmë sipas Elena Dimushevskës nga Rrjeti Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, nuk ka qenë e mjaftueshme as në vitin 2015 e jo më sot, në 2025-tën kur çmimet kanë arritur stratosferën, duke përfshirë këtu edhe çmimet e gjërave elementare. Në situatë ku as 15.000 den nuk janë të mjaftueshme, Elena thotë se jo të gjitha grave u miratohet kjo shumë parash.

“Shuma prej 15.000 den është shuma maksimale të cilën viktimat mund ta marrin, por cili është kriteri në bazë të të cilit Qendra për Punë Sociale vendos se cila viktimë do të marrë 6.000, 9.000 apo 15.000 denarë është e panjohur për ne, por nga marrëset e kësaj ndihme të cilat janë në qendrat tona, dimë që marrin shuma të ndryshme dhe rallë vendoset që të jepen 15.000 den, më shpesh ndahen nga 9.000-12.000 den. Edhe nëse viktimës i janë miratuar 15.000 den ajo me këto mjete nuk mund të mbulojë as qiranë dhe faturat. Është e pamundur të gjendet banesë më e lirë se 10.000-12.000 denarë, shtojini këtu faturat e rrymës, ujit, ngrohjes. Kjo ndihmë është shumë e vogël.”

Ligji për Mbrojtje Sociale në nenin 62 ndër ndihmat tjera financiare, parasheh edhe ndihmën e njëhershme financiare për viktimat e dhunës në familje në lartësi prej 15.000 den me qëllim të sigurimit të mbrojtjes urgjente dhe përkujdesjes. Sipas këtij ligji secila viktimë e dhunës në familje ka të drejtë në këtë ndihmë financiare pa dallim statusit ekonomik të saj. Por, sipas Elenës gratë të cilat më së shpeshti e kërkojnë këtë ndihmë janë ato që gjenden në situatë të palakmueshme financiare apo që nuk janë në marrëdhënie pune.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rini ky është numri i viktimave të cilat janë përfituese të ndihmës së një hershme financiare:

Viktimat e dhunës në familje shpesh si mundësi të vetme kanë strehimin në strehimore në mënyrë që të largohen nga ambienti i dhunës dhe dhunuesi, por të qëndruarit në strehimore paraqet pengesë për të marrë ndihmën e njëhershme financiare pasi që konsiderohet se viktimave të strehuara u sigurohet çdo nevojë elementare dhe ato mund të aplikojnë për këtë ndihmë vetëm pasi që janë larguar nga strehimorja. Por, nga momenti që viktima aplikon e deri në marrjen e ndihmës financiare çfarë ndodh me viktimën? Dimushevska thotë se ato lihen të gjenden vet në këtë periudhë kohore.

“Viktima duhet fillimisht ta raportojë dhunën në QPS që të mund të aplikojë për këtë masë. Përafërsisht periudha e pritjes nga momenti i aplikimit është rreth një muaj deri sa të paguhen mjetet por ajo që është e rëndësishme është se gratë të cilat janë të akomoduara në strehimoret me të cilat udhëheq Ministria për Politikë Sociale nuk munden që derisa janë të akomoduara në strehimore të aplikojnë për këtë ndihmë sepse konsiderohet se me vet akomodimin në strehimore, aty kanë të siguruara ushqim, mjete higjienike, medikamente dhe çdo gjë që kanë nevojë. Ato duhet të presin që të ju përfundojë qëndrimi në strehimore si dhe të largohen edhe fizikisht nga strehimorja dhe atëherë të aplikojë për ndihmën e njëhershme financiare, e që paraqet problem të madh. Kjo pasi që nëse duhen 30 ditë që të miratohen mjetet, kurse viktima ka dalë nga strehimorja, çfarë do të bëjë ajo për ato 30 ditë nëse nuk ka ku të shkojë apo nuk ka para që të blejë ushqim për fëmijët, nëse është e papunë.”

Viktimat e dhunës në familje rrezikojnë të ngelin të pastreha pasi që të largohen nga ambienti i dhunshëm dhe ndihma që shteti e parasheh nuk është e mjaftueshme që atyre të ju jep shpresë që ka dritë në fund të tunelit.

“Gratë viktima të dhunës në familje të cilat vendosin që të largohen nga partneri i dhunshën në fakt ato vendosin të largohen nga shtëpia, dhe janë në rrezik të ngelin të pastreha sepse shumica nga to nuk kanë pronë në emër të tyre. Kur e merr ndihmën prej 10.000 den sa mundet kjo shumë të ju kryej punë realisht, as qiranë nuk mund ta paguajë për një muaj. Kur ajo këto para do t’i jep për qira, ngrihet pyetja tjetër, si do t’i ushqejë fëmijët, prandaj ndjenja e pa shpresës në këto raste është shumë e fuqishme dhe zgjatë një kohë të gjatë.”

Rrjeti Nacional Kundër Dhunës ndaj grave dhe Dhunës në Familje ofron ndihmë për të gjitha viktimat e dhunës në familje të cilat drejtohen te ta dhe atyre që janë në rrezik të mbeten të pa strehë. 

“Viktimat të cilat drejtohen te ne për mbështetje përmes qendrave të grave u mundësojmë bisedë me punëtorë social ku të gjitha karakteristikat mbulohen, respektivisht analizohen nevojat individuale të viktimës dhe nga këtu fillojmë me ndihmën psikologjike për të dhe për fëmijët, bisedë me psikoterapist, ndihmë juridike falas. Gjatë bisedës të cilën e bën punëtori social nëse shohim se ka rrezik që viktima të mbeett e pastrehë atëherë i mbështesim përmes programit tonë për strehim dhe për një periudhë kohore ua paguajme qiranë, shpenzimet mujore, u japim vauçer për të blerë ushqim në markete me të cilat kemi bashkëpunim kështu ajo mund të blej ato gjëra për të cilat ka nevojë dhe gjatë tërë këtij procesi ajo e ka mbështetjen nga të gjithë, psikologja, psikoterapistja, këshilltarja për karrierë i janë në dispozicion kurdo që i nevojiten.”

Procesi i largimit nga dhuna në familje është proces i rëndë, por dhuna e çfarë do forme nuk duhet duruar dhe duhet raportuar. Prandaj Elena i inkrajon të gjitha viktimat që ta raportojnë dhunën dhe të drejtohen te Rrjeti për të marrë mbështetje si në drejtim të strehimit, ndihmës psikologjike, juridike por edhe aftësim në karrierë.

"Овој материјал е целосно или делумно финансиран од UK International Development и Фондацијата Kvinna till Kvinna, кои не мора да се согласуваат со мислењата изразени во него. За содржината е одговорен авторот."

Më poshtë janë të shënuara kontaktet nga Qendrat e Grave të Rrjetit Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje të cilat funksionojnë në qytete të ndryshme.

Për më shumë informacione vizitoni web-faqen: https://glasprotivnasilstvo.org.mk/zhenski-tsentri-za-poddrshka/

Друго