“Ngacmuesit kanë emra dhe duhen dënuar”, me këtë mesazh Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” mbajti “Ekspozitën pa emër” në tre qytete: Shkup, Tetovë dhe Gostivar.
Qëllimi i kësaj ekspozite ishte që përmes ilustrimeve nga artisti “Rehatlliku” të theksohen ngacmimet me të cilat ballafaqohen vajzat në rrjetet sociale, pasi sot interneti ka krijuar një hapësirë “të sigurtë” për ngacmuesit, të cilët zgjedhin ndonjëherë edhe të ngelin anonim apo të ngacmojnë me profile të rrejshme.
Për këtë nga “Mollëkuqja” thonë se vajzat dhe gratë më së shpeshti janë viktima të ngacmimeve të tilla, por që nuk duhet të heshtin kundrejt tyre.
Me anë të kësaj ekspozite kemi për qëllim të ironizojmë me situatën reale duke bartur mesazhin nëpërmjet artit deri te ngacmuesit, institucionet shtetërore por edhe vetë vajzat dhe gratë. Ne kemi parë se sa joseriozisht policia në vendin tonë i trajton raportimet e vajzave për ngacmimet në rrjetet sociale. Shumë shpesh atyre ju thuhet se nuk do të njoftohen për emrin e ngacmuesit edhe nëse ai gjendet ose ju jepen informacione të gabuara. Vajzat duhet të kuptojnë që fajtori gjithmonë është ngacmuesi dhe jo viktima. Qëllimi jonë është fuqizimi i grave dhe vajzave për të raportuar ngacmimet në rrjete sociale
Rita Behadini, kryetare e “Mollëkuqja”
“Mollëkuqja” për një vit rresht përmes aktiviteteve të tyre punon në nxitjen e grave dhe vajzave që të raportojnë ngacmimet në rrjete sociale.
Profesoresha e Fakultetit Juridik në UEJL, Arta Selmani-Bakiu shprehet se pavarësisht se ekziston mosbesim në institucione, vajzat përsëri duhet t’i paraqesin rastet e ngacmimeve.
Dera e parë ku vajzat duhet të drejtohen në situata të ngacmimeve seksuale dhe ngacmimeve tjera është Ministria e Punëve të Brendshme. Është e vërtetë se ka mosbesim ku institucionet nuk kryejnë punën e tyre për të cilën ata edhe janë. Duhet të punohet shumë në këtë drejtim që vajzat fillimisht të mos frikësohen por t’i paraqesin këto raste. Duhet të ketë vepër konkrete penale që do të mbrohen nga ngacmimet seksuale në rrjet
Arta Selmani-Bakiu
Mollëkuqja” ka realizuar edhe një hulumtim me 208 vajza nga Tetova dhe Gostivari, ku si rezultat 65.8% e vajzave të anketuara thanë se kanë marrë mesazhe nga djem ose burra që përmbajnë forma të ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe ofendime. 32.2% e tyre pranojnë se nuk kanë marrë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale. 1.9% preferuan mos ta thonë. Për të parë rezultatet e plota të anketës, klikoni KËTU.
Ky aktivitet u realizua si pjesë e fushatës “SEEN”, në kuadër të projektit “Young Cities”, mbështetur nga Institute for Strategic Dialogue – ISD në bashkëpunim me Democracy Lab dhe Youth and Community Center – Gostivar.