Ligji i Irakut që lejon martesat e fëmijëve shkakton reagime të ashpra

Parlamenti i Irakut ka miratuar një ligj i cili lejon fëmijët nëntë vjeç të martohen. Grupet e të drejtave të njeriut dhe disa deputetë të Irakut kanë reaguar ashpër ndaj këtij ligji dhe kanë argumentuar se ky ligj legalizon pedofilinë dhe përdhunimin e fëmijëve.

Ligji i ri u jep autoriteteve fetare kompetenca për të vendosur për çështjet familjare, duke përfshirë martesën, divorcin dhe kujdesin e fëmijëve. Ai shfuqizon ndalesën e martesave për fëmijët nën moshën 18 vjeçare që ishte në fuqi që nga vitet 1950.

“Ne kemi arritur fundin e të drejtave të grave dhe fundin e të drejtave të fëmijëve në Irak,” tha avokati Mohammed Juma, një nga kundërshtarët më të zëshëm të ligjit.

Martesa e fëmijëve ka qenë fenomen i shpeshtë në Irak, ku 28% e vajzave janë martuar para se të mbushnin 18 vjeç, sipas një studim të OKB-së në vitin 2023.

Në vend që të shtrëngojë ligjet kundër martesave të të miturve dhe të ndihmojë vajzat me prejardhje më të varfër për tu arsimuar, ligji i ri lejon martesën e të miturve sipas sektit fetar sipas të cilit lidhet kontrata martesore, shkruan The Guardian.

Për myslimanët shiitë, të cilët përbëjnë shumicën në Irak, mosha më e ulët e martesës për vajzat do të jetë nëntë vjeç, ndërsa për sunitët, mosha zyrtare do të jetë 15 vjeç.

Gazetarja nga Iraku Saja Hashim tha: “Fakti që klerikët kanë dorën e sipërme në vendosjen e fatit të grave është i tmerrshëm. Si grua, kam frikë nga gjithçka që do të vijë në jetën time.”

Aktivistët thanë se kishin frikë se ligji tani do të zbatohej gjithashtu në mënyrë retroaktive edhe për rastet e paraqitura në gjykata përpara se të hynte në fuqi, duke prekur të drejtat për ushqim dhe kujdestari.

Raya Faiq, zëdhënëse e grupit feminist Koalicioni 188, tha: “Ne pranuam një audio regjistrim të një gruaje që qante për shkak të miratimit të këtij ligji, derisa burri i saj e kërcënonte se do t’ia merrte vajzën nëse ajo nuk heq dorë nga të drejtat e saj për mbështetje financiare.”

Alia Nassif, një anëtare e komisionit ligjor të parlamentit, tha në një postim në internet se votimi u zhvillua pa praninë e numrit minimal të deputetëve të nevojshëm për miratimin e një ligji dhe se ajo dhe kundërshtarët e tjerë të ligjit do ta dërgojnë të njëjtin në Gjykatën Federale të Irakut.

Друго