Katalin Novak u zgjodh presidentja e parë grua e Hungarisë, me 137 vota për dhe 51 kundër nga parlamenti hungarez.
Novak, e cila së fundmi shërbeu si ministre për politikën familjare, e portretizoi triumfin e saj si një fitore të grave.
Novak përpara se të zgjidhej presidente u shpreh: “Ne gratë rritim fëmijë, kujdesemi për të sëmurët, gatuajmë, bëjmë punën e dy njerëzve nëse është e nevojshme, fitojmë para, mësojmë, fitojmë çmime Nobel, pastrojmë dritaret”. Ajo tha se e gratë e dinë fuqinë e fjalëve, por mund të heshtin dhe të dëgjojnë nëse duhet, “të mbrojmë familjet tona”.
“Dua të jem një presidente e mirë e Hungarisë”, u shpreh Novak pas fitores.
Shtete të ndryshme po ecin përpara në avancimin e gruas në pozita vendimmarrëse në politikë. Kohë më parë Islanda u bë vendi i parë në Evropë që zgjodhi më shumë gra se burra në parlament, ndërkohë Tunizia emëroi një grua për kryeministre, me çka theu tabutë në botën arabe.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut që nga pavarësia nuk ka pasur asnjëherë të zgjedhur grua në postet e presidentit ,kryeministrit apo kryetarit të Kuvendit, dy gra kanë qenë ushtruese detyre për dy funksionet e fundit edhe atë më pak se një muaj.