Arta Mero në “Tregime Pjeshkash”: A jam unë motra e keqe?

Jam rritur në një familje të emancipuar dhe shumë fisnike. Personazhët familjarë që kanë ndikuar në ndërtimin e karakterit tim dhe filozofisë jetësore i numëroj me shumë krenari: gjyshet e mia, babi dhe mami, nga të cilët në mesin tonë kam vetëm mamin. Mami, një grua super e mençur, çdoherë shprehej si për anëtarët e familjes, poashtu edhe për gjërat materiale në shumës – fëmijët tanë, shtëpia jonë, nënat tona (për gjyshet). Çdo gjë që kishim konsiderohej e përbashkët, kështu që me atë narrativ jemi rritur unë dhe vëllau: nuk dinim për ndarësi dhe nuk vepronim me individualizëm. Nuk kam parë asnjëherë nga prindërit e mi t’i ndanin gjërat dhe punët. Në shtëpinë tonë nuk kishte ndarësi të punëve sipas gjinisë. Mbaj mend që edhe lojrat me vëllaun i kishim të përbashkëta. Çdo gjë funksiononte në rregull dhe nuk kishte konflikte, mbase sepse prindërit na mbronin nga çdo krizë dhe çdo problem eventual. Babi dhe mami shpeshherë shpreheshin: çdo gjë për çka punojmë, e bëjmë që ju të dy t’i gëzoni bashkërisht. Ëndrra ime jetësore ishte që gjithë jetën të jem e lumtur me jetën, veten dhe punën. Nuk e mendoja ndonjëherë krizën materiale, sepse prindërit na kishin mbrojtur nga këto momente.

Pas vdekjes së babit tim Mero, humbi dhe një pjesë e lumturisë sime. Më 2 tetor të vitit 2017 ishte dita më e kobshme në jetën time, ishte dita kur kuptova se më parë nuk kisha përjetuar asnjë moment të keq në jetën time. Meqë prindërit kanë krijuar pasuri në Kroaci, me thirrje zyrtare nga Gjykata themelore duhej që në janar të vitit 2018 të paraqitemi për zhvillimin e procedurës trashëgimore. Në vitin 2019 inicuam procedurë trashëgimore edhe për pasurinë në Maqedoninë e Veriut. Me vëllaun dhe mamin as që e diskutuam çështjen e ndarjes, sepse ishte temë tanimë e vendosuar nga prindërit se çdo gjë do të ndahet në pjesë të barabarta: duhej vetëm formalisht te realizohet e njëjta.

Megjithatë, nuk isha përgatitur për atë që vinte pas. Pas ndarjes së pasurisë, u përballa me një mori të shara dhe kritika si nga familjarët, kolegët poashtu edhe nga miqtë, madje edhe nga disa studentë (meqë ligjëroj lëndën e të drejtës trashëgimore dhe shpesh marr veten si shembull kur flasim për ndarjen e pjesëve në rendet ligjore të trashëgimisë). Akuzat ishin të nivelit shumë të ulët: “Nëse ma bën motra ime mua këtë, ja mbylli derën”; “E ke gllabëru hisen e vëllaut, ja ke dërgu burrit”; “Paske qenë një motër katile”; “Si e pranoi vëllau yt, a vazhdoni të jeni në raporte të mira”; “Nuk ke për ta gëzuar kurrë”; “A të flet vëllau?”;  “Unë asnjëherë nuk do të ja kisha bërë këtë vëllaut”; “Të shofim si do ndjehesh ti kur do merr hise motra e burrit tënd”; “Si të la burri ta bësh këtë budallaki”; “A nuk të vjen rëndë dhe turp nga vëllau”; “Unë nënën time nuk do ta kisha lënë dajallarëve t’ua bëje këtë”; “Vajza që merr hise, meriton të lihet si qeni pas dere”, deri tek: “Unë ja kisha shkul flokët motrës sime”, dhe shumë e shumë kritika dhe akuza të tjera. Edhe atyre që ju pëlqente ky veprim i imi, nuk e deklaronin dot shprehimisht, se mos po ju ngelet hatri vëllezërve, prindërve. Mirëpo nga gjithë këto akuza dhe mallkime, në asnjë moment nuk përmendnin mamin tim, sepse normal sipas  “vlerave” tona zakonore pas vdekjes së burrit të shtëpisë, masën pasurore e merr djali: as nëna e assesi motra.

Nëse më pyesni a jam ndjerë keq? Jam ndjerë keq për faktin që tek të rinjët dhe tek juristët ende sundon mendimi patriarkal në aspektin e pronësisë. A jam ndjerë keq që “ia kam përgjysmuar” pasurinë vëllaut? Shpesh kur ja tregoj vëllaut këto linçime, ai qeshet dhe më thotë: “Arta, ne jemi shumë të privilegjuar që prindërit tanë kanë punuar gjithë jetën që ne të dy të mund t’i ruajmë dhe kultivojmë këto të mira”.

Një gjë është shumë evidente: ne gratë si gjini jemi shumë tolerante, ua lejojmë të gjithëve të shprehen me shumë guxim dhe t’i japin vetes të drejtë të na tregojnë si të vendosim për të drejtat tona, të na kritikojnë kur të duan dhe për çka të duan. Një diçka më dhemb shumë – ende vazhdojnë nënat t’i edukojnë bijat e tyre që ata nuk duhet të marrin hisen që ju takon, ajo është dhe do të mbetet e vëllaut. Andaj dua me të gjitha vajzat dhe studentet e mia të ndaj storjen time të trashëgimisë, që asgjë e keqe nuk do të ju ndodh nëse e marrin atë që ju takon nga prindërit. Nëse vëllau juaj ju respekton vetëm pse do të ja leni pjesën trashëgimore, nuk ju duhet ai respekt. Në aspekt të ligjit por edhe para Zotit të gjithë jemi të barabartë. Nuk besoj, dhe nuk dua ta mendoj që ka prindër që ndajnë fëmijët e tyre, atëherë pse fëmijët të ndahen në mes veti. Mos vendosni veten në pozicionin e të nënshtruarës, as si bijë e dikujt, as si nënë, e as si bashkëshorte. Sa respekt do të tregoni fillimisht ju për veten, në atë nivel do të ju respektojnë edhe të tjerët. Një nga pankartat më të veçanta në marshin e sivjetshëm për 8 Marsin ishte ajo që mbajti vajza ime: “Hisja jote s’ka pse e idhnon vllaun”.

KY TEKST ËSHTË SHKRUAR NË KUADËR TË EDICIONIT TË NJËMBËDHJETË TË “TREGIME PJESHKASH” ME TEMË “NJË FAQE NGA DITARI IM”.

Друго