RMV: Gratë edhe një herë u lanë jashtë vendimmarrjes, vetëm dy gra u zgjodhën zëvendësministre

Maqedonia e Veriut nuk po i ndryshon zakonet e vjetra për sa i përket përparimit në rrugën drejt barazisë gjinore, kjo u dëshmua mbrëmë kur u votuan zëvendësministrat e qeverisë së re, ku nga gjashtëmbëdhjetë poste vetëm dy do të udhëhiqen nga gratë, shkruan Mollëkuqja.mk.

Fjalët e partive politike për sa i përket barazisë gjinore në politikë dhe vendimmarrje vazhdojnë të ngelin vetëm deklarative, sepse në realitet veprimet janë si lëvizjet e breshkës, dhe argumenti më i madh për këtë është përzgjedhja e sapoformuar e Qeverisë së re, dhe zgjedhja e zëvendësministrave mbrëmë.

Në mesin e gjashtëmbëdhjetë zëvendësministrave, vetëm dy janë gra një shqiptare dhe një maqedone.

Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri nuk zgjodhi asnjë grua në këtë pozicion, kështu të gjithë ministrat dhe zëvendësit nga radhët e kësaj partie janë burra, në të njëjtin pozicion është edhe partia Alternativa.

Vetëm dy ministri do të kenë gra si zëvendësministre:

·         Ministria e Punëve të Jashtme- Fatmire Isaku (PDSH)

·         Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor- Hristina Oxhaklieska (LSDM)

Vetëm 10% e pozicioneve të zëvendësministrave udhëhiqen nga gratë apo thënë ndryshe 1 në 8 zëvendësministra është grua. Ndërkaq në postet e ministrave ky raport është 1 me 5.

Gratë janë ende të nën-përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetë fakti që ekziston një kuotë prej 40% e përfaqësimit të grave në listat e partive politike, respektivisht çdo e treta në listë duhet të jetë grua e bën diskriminimin të jetë ligjor.

Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituuar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 43 gra deputete nga gjithsej 120 deputetë. Që nga pavarësia, asnjëherë funksioni i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit nuk i ka takuar një gruaje.

Përfaqësimi gjinor në Kuvend mbrohet edhe me ligj, por kjo nuk vlen për postin e kryetarit të Kuvendit.

Ndryshe, në vitin 1946 gratë në Maqedoninë e Veriut fituan të drejtën e votës si dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike. Pjesëmarrja e grave në politikë është e njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.

Të tjera