Lotët s’kanë fuqi t’ju heqin epitetin ‘burrë’, profesionistët: Mos shprehja e emocioneve shkakton probleme

“Burrat nuk qajnë”, çdo burrë në një moment të jetës së tij thuaj se i ka dëgjuar këto fjalë, sidomos gjatë fëmijërisë. Kjo frazë për shumë prej tyre bëhet pengesë në jetë e cila frenon në shprehjen e emocioneve dhe ndjenjave në jetën e tyre.

Qarja nga ana e burrave dhe djemve në shumë kultura konsiderohet ende si tabu, sepse shoqëria ka krijuar perceptimin se burrat duhet të jenë “të fortë” dhe mos të qajnë sepse kjo paraqet dobësi.

Raporte të ndryshme radhisin disa arsye se pse djemtë dhe burrat mund të kenë vështirësi të flasin për ndjenjat e tyre: mendojnë se nuk është burrërore, ndjejnë presion për të qenë të fortët, mendojnë se problemet e tyre janë të pazgjidhshme, nuk kanë gjuhën për të shprehur atë që ndjejnë, e kanë të vështirë të jenë të hapur me miqtë, përvojat e tyre të fëmijërisë e bëjnë të vështirë, preferojnë të çlirojnë ndjenjat e tyre përmes veprimeve.

Vështirësia në njohjen dhe diskutimin e emocioneve mund të shfaqet në nivele subklinike te burrat që përputhen me normat specifike kulturore të” burrërisë”, siç është besimi se trishtimi është një emocion femëror. Kjo gjendje njihet si aleksitimia normative mashkullore dhe mund të jetë e pranishme në të dy gjinitë.

Kur bëhet fjalë për përpunimin e emocioneve, ka pritshmëri të ndryshme për burrat dhe gratë. Për shkak se gratë shpesh shihen si “të ndjeshme”, është e pranueshme nga shoqëria që ato të shprehin ndjenjat e tyre, si trishtimi ose frika. Por burrat, të cilët shihen si të fortë dhe të patrembur, nuk inkurajohen të shprehin emocionet e tyre nga jashtë.

Këto norma kulturore dhe stereotipe gjinore kanë qarkulluar prej brezash dhe mund të jenë të dëmshme, veçanërisht për burrat. Shtypja emocioneve dhe ndjenjave mund të jetë tepër e dëmshme për shëndetin mendor të një djali apo burri dhe sjell pas një serrë pasojash negative.

Sociologia Drita Memeti thekson se që nga lindja djemtë socializohen për të shmangur shprehjen e emocioneve duke i mësuar ato se shfaqja e po të njëjtave do të përbënte dobësi.

untitled-design-(3)-1711054407.png

“Rrethi social nuk e pranon pozitivisht një burrë të qajë, gëzohet, turpërohet, dashurohet, frikësohet. Djemve dhe burrave u është ngjeshur një barrë e rëndë që duhet ta mbartin mbi supe. Ato me çdo kusht duhet të jenë të fortë sepse në të kundërtën do të gjykohen duke u etiketuar me emërtime nga më të ndryshmet”, tha Memeti.

Ajo shtoi se normat gjinore të përcaktuara kulturalisht ndikojnë në akumulimin dhe shtypjen e emocioneve, të cilat si të pa shfaqura krijojnë stres te djemtë dhe burrat.

“I tërë ky frustrim mund të manifestohet me sjellje agresive, të pakontrolluara dhe shfaqje të dhunës shpesh herë kundrejt gjinisë së kundërt”, tha Memeti.

Shtypja e emocioneve, duke përfshirë fshehjen e lotëve mund të jetë e pashëndetshme dhe të sjellë pasoja. Një studim i vitit 2013 e lidhi shtypjen e emocioneve me një sërë sëmundjesh fiziologjike. E megjithatë, një tjetër përmbledhje e vitit 2018 lidh “frenimin emocional” me depresionin, stresin dhe më shumë, veçanërisht te njerëzit me çrregullime të personalitetit.

Shtypja e emocioneve mund të çojë në depresion, ankth, çrregullim bipolar, skizofreni, ushqim i çrregulluar, ndërsa veçanërisht për burrat mund të rrisë rrezikun e tyre për vetëvrasje. Burrat kanë shumë më tepër gjasa të kryejnë vetëvrasje sesa gratë.

Psikologia Fatime Ziberi thekson se mosshfaqja e emocioneve dhe mos qarja në aspektin psikologjik është e dëmshme pasi mundëson përjetimin adekuat dhe të shëndetshëm emocional te burrat.

untitled-design-(2)-1711054424.png

“Presioni shoqëror i shoqëruar me frustrime personale nga pamundësia e shprehjes së emocioneve shkakton probleme dhe shqetësime psikologjike që në të shumtën e rasteve emocionet që shtypen dhe bllokohen më vonë janë burim i çrregullimeve emocionale dhe fitohet bindja se meshkujt nuk e arrijnë dot pjekurinë dhe inteligjencën emocionale”, tha Ziberi,

Ajo thotë se është më se normale të shprehen emocionet pavarësisht gjinisë.

Sipas Shkollës Mjekësore të Harvardit, e qara konsiderohet e shëndetshme pasi çliron stresin dhe dhimbjen emocionale dhe ju mban mendërisht më të shëndetshëm. Të mos qash do t’ju bëjë të ndiheni të mbytur nga brenda duke ju prekur mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht.

Të qarit sipas AADAR tregon se të dyja gjinitë janë të barabarta, jep shembull të shkëlqyer për të rinjtë, është joshëse të shprehësh një anë më të lehtë, ndihmon në lehtësimin e ankthit dhe të qash të bën më të fortë.

Ekspertët sugjerojnë që shfaqja e emocioneve duhet të normalizohet si dhe vizitat te psikologët nuk duhet të jenë më tabu.

Të tjera