Kanarina është emri artistik që do të përdorim për një vajzë me aftësi ndryshe. Ajo jeton e varur nga karroca e saj dhe kjo e pengon ta shijojë jetën siç e shijojmë ne tjerët të pavarur për nevoja elementare si, të dalim, të ecim, të shëtisim.
Ajo e ka një peng: shkollimin. Ka në fakt shumë më shumë dëshira të parealizuara por ka gjetur një deriçkë prej nga ka shpëtuar, ajo është letërsia, bota e librave, poezia.
Kanarina e ndjen se dikush ia ka marrë këngën, ajo e di se të tjerët nuk kanë faj, pasi ky është fati i saj, por të tjerët duke filluar nga njerëzit më të afërt nuk i kanë krijuar një mjedis mbështetës. Ajo nuk ankohet shumë, flet me optimizëm pasi vetëm një vajzë si ajo ka forcën të përballoj fatin që i ka rënë.
– Kanarinë kur e kuptove se je ndryshe ?
– Që e vogël e kam kuptuar që unë jam ndryshe nga reagimet e njerëzve… e ke parasysh, ato reagimet e njerëzve “u për gjynah”, mentaliteti i fshatit ku jam rritur.
Është një ndjesi që nuk mund të thuhet me fjalë, janë ato shikimet e njerëzve që më lëndojnë shumë, sikur shohin një marsiane.
– Mos vallë je edhe ti që ndihesh ndryshe?
– Më përpara në fëmijëri edhe të tjerët më shihnin ndryshe por edhe ndihesha e tillë mbase dhe nga ndikimi i rrethit ndërsa sot nuk ndihem ndryshe pavarësisht se si më shohin të tjerët!
– Nga çka ndihesh e privuar?
– Jam privuar nga shumë gjëra, por ndër të tjera është ajo që unë nuk dal shumë sidomos me shoqërinë nuk dal thuajse fare.
– Ndihesh e bullizuar?
– Nuk mund të them se jam bullizuar drejtpërdrejt apo verbalisht, por ato fjalët pas shpine kanë qenë dhe janë forma më e shpeshtë e bullizimit.
– Po në shkollë si të kanë trajtuar?
– Në shkollë kam qenë shumë pak megjithatë në atë kohë nga mësuesit jam pritur shumë mirë po edhe nga fëmijët nuk ishte e vështirë të përshtatemi se në fshat njihemi të gjithë si familje, megjithatë ishte ajo kureshtja e fëmijës që më bënin pyetje të ndryshme, sikur vija nga një planet tjetër.
– Çfarë të prek më shumë?
– Më shumë prekem kur më nënvlerësojnë pasi më shikojnë vetëm fizikisht dhe mendojnë që jam komplet e paaftë.
Ka raste që jam prekur shumë por dy janë rastet që do t’i mbaj mend sa të jem gjallë.
Isha e vogël, shkonim në dasmë me nënën dhe njëra nga njerëzit më të afërt i tha nënës time “ku e dërgon këtë, atje ka shumë njerëz”?!
Këtë nuk do ta harroj asnjëherë po edhe rasti tjetër që më ka ndodhur, më duket si dje, është që doja të shkoja të shoh shfaqje dhe ishte një fjali: “nga do hysh ti atje”
Pra, e kuptoni? Nuk kishte dyer për mua. Këtë e kam ende plagë të hapur nuk besoj që do më shërohet ndonjëherë.
– Çfarë do doje të ishte ndryshe?
– Do të doja mentaliteti ynë të ishte ndryshe që njerëzit me aftësi ndryshe të mos shihen si për gjynah apo të paaftë nga shumica e shoqërisë, ndërsa sa i përket jetës time me realitetin që jetoj, do të doja të kisha pak më shumë liri!…
– Si e mbush vetminë tënde?
– Vetminë e mbush duke lexuar libra, shkruaj ndonjë varg poezi apo çfarë më vjen në mendje varet nga momenti, por edhe
duke dëgjuar muzikë.
– Po ditët e trishtuara?
– Përdersa kam libra dhe muzikë s’ka ditë të trishtuara (qesh).
– Të vizitojnë shoqet?
– Ato vinë më vizitojnë kur munden dhe mbajmë kontakte online. Rroftë interneti, tani miqtë të gjithë janë bërë virtualë.(qesh)
– Pse nuk pavarësohesh, të marrësh një karrocë elektrike, të mos varesh nga askush ?
– Kam frikë.
– Nga kush?
– Nga njerëzit.