11 persona keqpërdorën seksualisht të miturën në Maqedoninë e Veriut

Një fëmijë i moshës së mitur në Maqedoninë e Veriut është keqpërdorur seksualisht për përfitime monetare nga 11 persona nga Tetova dhe Gostivari. Pas një aksioni nga ana e institucioneve, dhe pas urdhrit të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, në Tetovë dhe Gostivar u krye bastisje ku u arrestuan dhjetë nga të dyshuarit, i njëmbëdhjeti është jashtë shtetit.

Nga Prokuroria Themelore Publike sqaruan se në verën e vitit 2020, i dyshuari i parë ka pranuar në shtëpi fëmijën 14 vjeçare (viktimë), më pas edhe motrën e saj 10 vjeçare dhe vëllain 7 vjeç nën angazhimin për tu kujdesur ndaj tyre për shkak të raporteve të cenuara në familjen e tyre.

Duke përfituar nga gjendja e pafuqisë dhe vulnerabilitetit të fëmijës-viktimës, duke e kërcënuar dhe duke aplikuar forma të tjera, ka filluar ta shtyjë fëmijën të kryejë akte seksuale me disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë për shumë të caktuar monetare. Shpesh, kërcënimet ndaj fëmijës viktimë ishin të lidhura me vëllain dhe motrën e saj, se nëse ajo nuk pranonte aktivitetet seksuale do t’ia kthente nënës së tyre.

Prokuroria Themelore Publike

Ministria e Punëve të Brendshme dha më shumë detaje për kryerësit e veprës.

Nga viti 2020 deri në shtator 2021, G.Sh., duke përfituar nga pafuqia dhe vulnerabiliteti i fëmijës, në një marrëveshje të mëparshme me S.S., A.P. dhe K.H., e kanë kryer veprën duke e detyruar për të kryer akte seksuale dhe duke e përdorur në forma të tjera të shfrytëzimit seksual me të denoncuarit R.A., I.Z., I.E., A.M., Q.Q., F.A. dhe A.Sh., për kompensim monetar në shumën prej 50 deri në 200 euro.

Ministria e Punëve të Brendshme

Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka bërë kallëzim penal ndaj 11 personave në lidhje me veprën penale “trafikim me fëmijë”.

Kryerësit mund të dënohen nga tetë deri në dhjetë vite burg për veprat me të cilat akuzohen.

Njësia Kombëtare për Ndalimin e Kontrabandës së Emigrantëve dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore, siç bëjnë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike, ka ndjekur këtë rast disa muaj për shkak të ekzistimit të dyshimeve për veprën penale “trafikim i fëmijëve”.

Përndryshe, numri i pedofilëve të regjistruar në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut aktualisht është 311. Ky regjistër, edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën vazhdimisht has në probleme dhe bie herë pas here, madje i njëjti është vetëm në gjuhën maqedonase.

Të tjera