Merita Abazi e cila ka qenë mësimdhënëse për katërdhjetë vite në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup në emisionin “Llafe grash” tregon për rolin e bashkëshortit të saj në familje dhe ndarjet e punëve të shtëpisë. Ajo pranon që meqë të dy kanë qenë të punësuar, ndarja e punëve të shtëpisë mes dy parterëve ka qenë e barabartë.
“Një herë ka lindur bashkëshorti im, dhe nuk mund të ketë ashtu tjetër. Ai shumë më ka ndihmuar, tepër. Kur vinin te unë më thonin: “ju të dy si kunata punoni”. Nuk më ka lënë asnjëherë të bëj një punë vetëm. Të dy ishim në punë, kur ktheheshim, njëri në kuzhinë, tjetri në banjo. Krejt punët i bënim bashkë. Më pas uleshim, pinim kafe, çaj, lexonim gazeta e mbushnim fjalëkryqe. Nuk ka pasur punë që bashkëshorti im nuk ka marrë në dorë: edhe gjilpërën e ka marrë, edhe perdet i ka varur. I shkonte çdo gjë. Ai ishte mjeshtër në shtëpi”, thekson ajo në “Llafe Grash”.
Ajo thekson se rolet gjinore nuk kanë qenë asnjëherë prezente në familjen e saj dhe se fëmijët kanë marrë shembull nga kjo.
“Unë nuk e kam parë në atë aspektin, burri të vi, të rrijë, të flejë apo të kërkojë diçka. Jo, edhe fëmijët e mi kanë marrë shembull sepse babain e shihnin që punon: si unë, si ai. Jo që unë rrija, unë një punë, ai një punë. Ai thoshte: “kur do të punojmë të dy do të punojmë, kur të ulemi të dy do të ulemi. Nuk ka vetëm ti të rrish në këmbë””, thotë Abazi.