Maqedonia e Veriut: U promovua ueb faqja ku mund të aplikojnë viktimat e dhunës për kompensim financiar

Me qëllim të qasjes më të lehtë dhe transparencës në punën e Komisionit, me ndihmën dhe mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, është krijuar ueb faqe, e cila do të shërbejë si bazë për promovimin e të drejtës për kompensim mes viktimave, institucioneve dhe opinionit.

Nga ministria e Drejtësisë, në Maqedoninë e Veriut, njoftojnë se ueb faqja e Komisionit për kompensim në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë është në këtë link: www.komisijazanadomestoknazrtvi.mk.

“Komisioni për kompensim në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë, është subjekt juridik i pavarur i posa formuar, i cili vendos për të drejtën në kompensim në të holla dhe për përcaktimin e llojit dhe lartësisë së kompensimit në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë. Është formuar në përputhje me Ligjin për pagesën e kompensimit në të holla të viktimave nga vepra penale me dhunë, qëllimi i të cilit është që viktimave t`ju sigurojë kompensim në të holla, si ndihmë nga shteti, në përputhje me parimin e solidaritetit shoqëror dhe të parandalohet viktimizimi sekondar si vuajtje shtesë që viktimat mund ta pësojnë nga raporti me organet kompetente”, thuhet në njoftimin e MD.

Gjatë periudhës së kaluar, Komisioni ka arritur një përparim të rëndësishëm, duke përfshirë edhe legjitimitetin juridik për të vepruar si trup i pavarur, duke miratuar Rregulloren e punës dhe procedurën për parashtrimin e kërkesave për kompensim në të holla, që paraqet një hap të rëndësishëm për lehtësimin e qasjes në drejtësi për viktimat nga vepra penale me dhunë.

Kujtojmë se gjetjet e fundit të hulumtimit: “Perceptimet, qëndrimet dhe sfidat e të rinjve në Maqedoninë e Veriut” nga Misioni i OSBE-së në Shkup, thonë se 18% e të rinjve kanë përjetuar dhe/ose qenë dëshmitarë të dhunës, ndërkohë që këto shifra janë shumë më të larta te të rinjtë në shkollat fillore dhe të mesme.

Artikulli fillimisht është publikuar në Portalb.mk.

Të tjera