Maqedonia e V: Më shumë se 3 mijë gra humbën jetën nga kanceri i gjirit në dekadën e fundit, 346 vitin e kaluar

Vitin e kaluar 346 gra humbën jetën nga kanceri i gjirit në Maqedoninë e Veriut.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje te gratë në periudhën 2010-2023 është kanceri i gjirit.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut vihet re tendencë e rritjes së numrit të rasteve të vdekjes së gravë me kancer të gjirit.

Kanceri i gjirit është në vendin e parë për nga numri i rasteve të reja të neoplazmave malinje te gratë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudhën 2017-2021.

Në vitin 2017 janë regjistruar 808 rraste ndërsa në vitin 2021 u regjistruan 806 raste. Në periudhën e analizuar numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit te gratë ndryshon.

Muaji tetor në botë njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ky muaj zakonisht shënohet me fushata vetëdijësuese dhe sensibilizuese për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjes.

Mesazhi kryesor që përcillet gjatë gjithë tetorit nga ekspertët dhe jo vetëm është se: Kontrollet e hershme parandalojnë dhe shpëtojnë jetë.

Një nga shenjat e para që mund të vërehet është ndryshimi në formën apo madhësinë e gjinjve, si ënjta, rënia, asimetri të papritura, gunga në gji ose në zonën e sqetullave. Rekomandohet konsultimi me mjekët sa më herët.

Onkologët rekomandojnë që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 dy herë në vit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të zakonshme te gratë në mbarë botën, në vitin 2022 kishte 2.3 milionë gra diagnostikuara me kancer të gjirit dhe 670 mijë vdekje në mbarë botën

Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit prek edhe burrat.

Të tjera