Pas lajmit se në Maqedoninë e Veriut shkalla e shtatëzanive të padëshiruara tek adoleshentët është një ndër më të lartat në Evropë e cila padyshim përkon me mospasjen e edukimit seksual referon një tjetër polemikë sociale: abortin. Jo njëjtë si në Poloni e shumë shtete të tjera që është një pengesë ligjore, aborti në Maqedoninë e Veriut dhe në rrethinën e tij paraqitet si problem moral dhe etik. Gruaja e dytë gjyqtare e Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara Ruth Bader Ginsburg, e cila vazhdimisht punoi për t’i dhënë fund diskriminimit seksual dhe gjinor në ligjin amerikan e veçanërisht për pagë të barabartë, në lidhje me abortin thotë se “Vendimi nëse do të lindësh apo jo një fëmijë është thelbësor për jetën e një gruaje, për mirëqenien dhe dinjitetin e saj. Është një vendim që ajo duhet ta marrë për vete.” Këtë, jo me fjalë por me njëzetë e katër fotografi në sekondë e shprehë “ulërimshëm” edhe Audrey Diwan në filmin e dytë me metrazh të gjatë të saj të titulluar “L’Evenement” (Happening).
Happening është adoptuar nga libri i Annie Ernaux me po të njëjtin titullë. Autorja tregon storien e saj, më saktë të një vajze 23 vjeçare, të palidhur, storien e një studenteje ambicioze të letërsisë që përpiqet të shpëtoj nga një shtatëzani e padëshiruar në vitet e 60-ta kur në Francë aborti ishte I jashtëligjshëm. Ashtu si libri edhe filmi përshkruan historinë e një vajze që sapo ka filluar të eksplorojë dhe kuptoj trupin e vetë që detyrohet t’a lëndojë këtë të fundit për ardhmërinë e saj. E veçanta e filmit është se thuajse fare nuk interesohemi për babain e fëmijës, e vetmja gjë që ne arrijmë të preceptojmë është se ky është trupi i saj dhe vendimi i saj. Njëkohësisht e vetëdijshme se kjo shtatëzani e padëshiruar do të qojë atë dhe familjen e saj në një dështim shoqëror Anne përdorë metoda nga më të ndyshme, nga më pak deri në ato që rrezikojnë jetën e saj për të larguar embionin që javë pas jave po rritej në barkun e saj. Filmi në asnjë mënyrë nuk ofron një çasje romantike por mbronë kauzën e një vajze të brishtë dhe të pambrojtur që lufton kohën, traditat dhe ligjet detyrimisht me trupin e saj.
L’Evenement u vlerësua me Luanin e Artë në Festivalin e 78-të të Filmit në Venecia. E padiskutueshme është merita e aktores kryesore Anamaria Vartolomei, të cilës kamera vazhdimisht i rri shumë afër dhe qoftë karshi, profil apo nga pas në heshtjen dhe fytyrën statike të saj ndjenë frikën, lodhjen, tronditje dhe guximin e karakterit të saj. Me plane shumë të afërta dhe përndjekje të vazhdueshme me kamerë ne mishërohemi me Anne dhe të duam që ajo të shpëtojë. E rëndësishme për t’a theksuar është se në film Helene, një nga shoqet e Anna, luhet nga aktorja dhe regjizorja kosovare Luana Bajrami. Në raportin Anne dhe shoqet e ngushta të saj ndjehet fuqishëm frika për të treguar ose edhe vetëm për të qarë hallin e shtatëzanisë së padëshiruar. Mes shumë skenash ku Anne torturon trupin e saj tragjikisht për të liruar veten nga kafazi i ashtuquajtur shtatëzani e padëshiruar, skena ku Brigitte iu tregon Helene dhe Anne masturbimin me jastëk tregon haptazi mosdijenin, nevojën, dëshirën dhe kërshërinë për marrëdhënie. Kjo skenë aq sa duket e thjeshtë aq është dhe epike.
Filmi proteston haptazi ligjet shtetërore dhe kanunet shoqërore kundër abortit. Ai nuk lodhet duke kundërshtuar pandërprerë doktorin që mashtron Anne dhe i jep ilaq që ndihmon në ngjizjen e fetusit dhe assesi nuk trishtohet duke treguar shokun e saj që në këmbim kërkon marrëdhënie seksuale për ta ndihmuar Anne. Anne e quan sëmundje gjendjen e saj, një sëmundje që vetëm gratë e kuptojnë dhe ilaçin e kësaj sëmundjeje mundohet t’a gjejë vetë pasi që çdo fjalë e akumuluar mund të qonte në rrezik reputacionin e saj në të ardhmen. E vetëdijshme që me lindjen e një fëmije jeta e saj do merrte fund, Anne nuk frikohet nga vdekja. Mirëpo filmi dhe vet historia e Annie Ernaux asnjëherë nuk përshkruan një Anne që do të bëhet nënë por që koha nuk ia lejon, të dyja këto përshkruajnë një Anne tjetër, një nga ata që shumë e vetëdijshme për atë që do tani dhe më tej në jetë. Anne në asnjë moment nuk dyshon në vendimin për abort
Kjo traumë e shekullit XX që ndjehet shumë edhe në shekullin XXI, kjo histori fatkeqësisht e pakohë dhe tragjike në forma të ndryshme ndjehet shumë edhe në historitë e grave të sotme në Maqedoninë e Veriut. Asgjë më shumë se vetëdijësimi mbi edukimin seksual, arritja e marrjes më të lehtë të mjeteve kontraceptive dhe aftësimi i të kuptuarit se aborti nuk është vrasje e një jete por shpeshherë është shpëtimi i dy të tillave do të lehtësojë mbrojtjen nga shtatëzanitë e padëshiruara. Le të luftojmë që gruas të mos i cënohet e drejta të vendosë në do apo jo të jetë nënë, mos të lëmë që padituria, shoqëria apo ligjet të luajnë rolin vendimmarrës.