Kush nuk ka bërë asnjë mëkat…? Soditje para bredhit të Vitit të Ri

Sa herë stoliset bredhi i Vitit të Ri mendoj për mëkatet njerëzore, më saktë mëkatin femëror që kjo pemë e stolisur të kujton, duke u bazuar në shpjegimet për njerëzit e parë të dëbuar nga kopshti i Edenit. Mëkatin e parë e bëri gruaja e parë dhe ne të gjithë vuajmë shkaku i mosbindjes së saj. Thuhet se ka qenë Eva/ Hava që Adamin/ Ademin e futi në telashe me guximin e saj për të shkelur ligjet e vëna në parajsë.

Molla e mëkatit është një simbol me rrënjë të thella në mitologji, religjion, letërsi dhe kulturë. Edhe pse në Bibël nuk përmendet emri i frutit, nuk dihet nëse ka qenë vërtetë një mollë, por ajo që dihet me siguri është se, një grua pa mend ngatërroi gjithçka.

Në letërsi dhe art, molla e mëkatit është përdorur shpesh si metaforë për tundimin dhe dëshirën e papërmbajtur, shfaqet si simbol i gjërave të ndaluara apo të paarritshme. Brenda narrativës biblike, Eva shpesh portretizohet si figura që tundon Adamin, duke mbartur më vete imazhin e “fajit” dhe të tundueses, çka në kontekste moderne shihet si kritikë ndaj stereotipizimit gjinor.

Në krijimtari artistike dhe kulturore, molla nuk mbetet thjesht një simbol negativ, por shpesh shndërrohet në një metaforë për lirinë e zgjedhjes, rebelimin ndaj kufizimeve dhe vetëdijen njerëzore.

Gratë mëkatare në librat e shenjtë shpesh përshkruhen si figura komplekse që simbolizojnë tundimin, dobësinë njerëzore, por edhe pendimin, shpresën dhe transformimin moral.

Vetëm profetët janë konsideruar të pamëkatë, ndërsa gratë e tyre të marra në përkujdes jo rrallë, janë të përmbytura në to. Në Kuran gratë nuk përmenden me emër, e vetmja grua që përmendet me emër është nëna e Isait, Mejremja,ose nëna e Jezu Krishtit Shën Maria. Njëra nga gratë e profetit Muhamed, Ajshja, mendohet se gjatë një pelegrinazhi ka ndaluar dhe ka folur me njërin nga shokët e Muhamedit dhe prej këtu është akuzuar për aferë dashurie dhe imoralitet. Profeti Muhamed e merr nën mbrojtje por fjala “faishe” (në kontekstin e përdalë ) në popull nuk arriti të ndalohej, ajo aq larg u dëgjua sa në Malësinë e Sharrit përdoret edhe sot e kësaj dite. Maria Magdalena ishte jo një prostitutë, por një e penduar që gjeti paqen krah Isait/ Jezusit. Ajo u afrua te Jezusi për të shpëtuar nga mëkati dhe u bë një nga pasueset e tij më të përkushtuara.

Në Ungjillin sipas Gjonit, një grua kapet në akt tradhtie dhe sillet përpara Jezusit për t’u dënuar. Jezusi përgjigjet me fjalët e famshme: “Kush prej jush është pa asnjë mëkat, le të gjuaj i pari gurin mbi të.”

Është fraza më çarmatosëse ndaj mëkatarëve. Poetja Rita Petro ka një poezi të mbindërtuar mbi këtë varg ku e paraqet Krishtin i cili pyet veten në fund : “po unë si nuk po gjej një gur”.

Edhe sot e kësaj dite mëkati ngelet damkë turpi thuajse gjithnjë për gratë. E shoh bredhin e stolisur dhe zbukurimet e kuqe  që asocojnë me mollën e ndaluar dhe mendoj për gjithë këto shembuj. Profetët dhe gratë “e përdala” krahas tyre që u shpëtuan nga gjykimi dhe turmat e egra nga vetë ata burra “pa mëkate” që nuk po gjenin gurë për të gjuajtur.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera