E rrethuar gjithmonë me ngjyra, pëlhura dhe piktura nga babai i saj piktor, Drenusha Palloshi nuk kishte se si të mos binte në dashuri me artin. Që e vogël ajo ishte e rrethuar me art, andaj dhe u rrit duke kultivuar dashuri dhe pasion jo vetëm për pikturën, por edhe për muzikën. Për të ngërthyer dy dashuritë e mëdha të vetat, për t’u rikthyer në fëmijëri e për t’u ndjerë sërish një fëmijë që po mëson pianon, duke përdorur ngjyrat, Drenusha ka pikturuar autobiografinë e saj në një cikël të ri pikturash. Këtë autobiografi ajo e ka titulluar “Simfoni ngjyrash në pentagram” dhe e ka varur në muret e Galerisë Kombëtare në Shkup.
Pentagramet tek pikturat e Drenushes paraqiten si shtyllë mbajtëse e mbrojtëse të koloritit dhe fraksioneve të nuancave të përfituara, shkruan profesoresha e artit, Enesa Memeti. Duke palosur ngjyrat në një rend të caktuar, thotë ajo, krijohet një melodi që nuk është e komplikuar kompozicionalisht, por e cila qartësohet vizualisht duke nxjerë në pah aftësitë interpretuese të muzikalitetit dhe dashurisë për muzikën. Ngjyrat janë si notat, vazhdon Enesa, ata janë fikse për nga numri, ajo që i bënë më produktive në aspektin kreativ janë kombinimi i tyre mes veti, aftësia tjetër kjo, e shpalosur në pëlhurën melodike të piktores ku çdo ngjyrë e hudhur rastëstësisht jep ndjesinë e notave që dalin nga pijanoja, e cila është edhe elementi kryesorë duke krijuar baraspeshën në formimin e melodisë e cila shijohet vizualisht po që përjetohet në brendinë e vëzhguesit e duke ja dhënë lirinë për të formuar një ritëm melodik individual. Sipas saj, loja brenda pikturave është e këndshme dhe shumë origjinale ngase përcillen nga nostalgjia fëmirore e mbështjellur me dashurinë dhe kujtime për orët e pijanos.
“Unë jam rritur në frymë arti, jam rritur në ateljenë e babait tim. Arti ka qenë gjithmonë prezent në jetën time, qoftë ai muzikor apo ky figurativ, mirëpo profesionalisht unë merrem me artin figurativ, me pikturë. Ndërsa, muzika është nostalgjia ime, që kur kam qenë nxënëse në Shkollën e Mesme të Muzikës. Këto dy arte të bukura, edhe pse kanë qenë gjithmonë të ngërthyera, mendoja se jam unë ajo që mund t’i lidhja bashkë”, thotë Drenusha.
Muzikën Drenusha e ka pikturar në pëlhurë në teknikën e akrilit, ndonëse ajo pikturon edhe në letër. Sipas saj, akrili të mundëson ekspresivitet, tharje të shpejtë të ngjyrave, gjë që i ka mundësuar asaj të tregojë më shpejtë muzikalitetin në piktura. Për Drenushën teknika e vajit është pak më e ngadalshme në tharje dhe ekspresivitetet nuk mund të realizohen në një periudhë më të shpejtë. Akrili është më intensiv për të, andaj dhe ajo e gjen veten në këtë teknikë.
Sipas profesoreshës së artit, Nora Halimi, nëse Drenusha e ka një armë të fuqishme, ajo është njohja e paletës së ngjyrave. Jo vetëm ngjyrën si ngjyrë por edhe raportet që krijojnë ato me njëra tjetrën.
“E shohim nëpër piktura se Drenusha na vjen tamam si një drenushë që lundron me ngjyra në pentagrame, në partitura muzikore. Piktura dhe muzika janë habitati ku Drenusha ndjehet vetvetja, ndjehet komod për të përcjellur te ne ato vlimet e saj shpirtërore po pse jo edhe karakteriale. Në këto piktura të ciklit të fundit shohim një dramë të vërtetë ngjyrash, një shpërthim emocional por edhe një neps të theksuar artistik”, thekson Nora Halimi.
Nga ana tjetër, profesoresha e artit, Jelldez Asani, thekson se Drenusha ka arritur të bëjë një lloj harmonizimi të paletës së ngjyrave.
Ngjyrat të gjitha janë të ngrohta, thotë Asani, janë intenzive e të përcjellura me penelata të ndryshme. Në disa momente ajo ka përdorur penelata të holla, të qeta. Në disa raste për ta theksuar atë vibrimin e pikturave penelatat i ka më të vrullshme dhe më të shpejta.
“Në këtë cikël të punimeve kuptohet se Drenusha është mjaft e sigurtë në vetvete, për arsye se janë kyçur shqisa të ndryshme të cilat ajo i ka bashkuar në një vepër. Ajo në këtë cikël ka shfrytëzuar disa instrumente muzikore, të cilat i ka paraqitur në mënyrë ekspresive, me një lepesë shumë të pasur të ngjyrave…sikur krijojnë një simfoni muzikore, ku bashkohen ngjyrat, format e instrumenteve dhe ky është një kompozicion i përbërë nga të gjitha elementet figurative”, thotë Asani.
Drenusha inspirohet kur ka pozitivitet gjatë ditës, pozitivitet prej njerëzve që e rrethojnë, kur ndjehet mirë dhe sheh gjëra të bukura. Edhe nga muzika, normalisht.
“Pikturat e mia të vitit 2015 janë realizim i një cikli pikturash ku ka filluar ajo lidhshmëria ime, që të shpalos unë muzikalitetin në pikturë. Kur kthehem prapa dhe i shoh këto piktura, më japin një emocion ndryshe. E shoh që aty pak më ndryshe e kam treguar ekspresivitetin në pikturë, kurse pikturat e vitit të fundit janë më konkrete. Më qartë shihet pianoja, pentagrami…direkt shihet që ka të bëjë diçka me muzikën. Kurse pikturat tjera janë pak më metaforike, më filozofike, e kanë temën e tyre të veçantë”
Drenusha Palloshi
Rolin e madh që luan edukimi përmes kulturës e shohim qartas të pasqyruar te Drenusha. Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të RMV-së, Dita Starova Qerimi, thekson se çdo ekspozitë për një artist është edhe shfaqje e interesit të brendshëm, mendimeve të brendshme të cilat zhvillohen në vetë artistin, dhe vijnë pastaj nëpërmjet pikturave në syrin kritik të vizitorëve.
“Në Galerinë Kombëtare u hap një ekspozitë e një vajze të dalluar e cila për theks e ka artin figurativ në elementet e ekspresionit të ngjyrave dhe komponimit të muzikës, ngaqë e ka artin që në brezat më të lashta të familjes së saj. Babai i saj është artisti i shquar Miftar Memeti. Mund ta shohim edukimin përmes kulturës, se si ndikon në zhvillimin e një artisteje. Drenusha me muzikën e saj na shfaq emocione të ndryshme, me këngë të lashta shqiptare, dhe na lë të shohim dimensionin e saj artistik”, thekson Dita Starova Qerimi.
Për Drenushën, pandemia ka qenë një periudhë shumë e rëndë, si për të gjithë botën. Zakonisht veprat e artit gjatë kohës së pandemisë kanë qenë një e diçka shumë e largët, na tregon ajo, meqë nuk e dinim nëse do të arrijmë të dalim në skenë, apo të vijnë njerëz nëpër ekspozita. Gjithsesi, Drenusha ka arritur që të mbledhë forcat dhe të përdorë ngjyrat për të sjellë ndjenjat dhe emocionet e saj në pikturat e shfaqura në muret e Galerisë Kombëtare.
“Unë jam profesoreshë e artit figurativ. Unë çdo ditë jetoj me artin, çdo ditë jetoj me pikturën, me vizatimin. Kështu që, inspirimin e gjej çdo ditë dhe gjithkund”
Drenusha Palloshi
Ky vit ka qenë i suksesshëm për Drenushën, pikturat e të cilës kanë “shëtitur” edhe në Turqi. Kurse për vitin e ardhshëm Drenusha ka në plan që ta përfshijë muzikën edhe konkretisht në projektet e saj. Ndoshta, një koncert dhe ekspozitë.