Big Brother Vip Kosova dhe Klan Kosova do të duhet të paguajë 30 mijë euro gjobë për shkak të ‘promovimit të dhunës psikologjike ndaj një viktime të dhunës në familje’ si dhe për faktin që ka lejuar gjuhë denigruese dhe përdorim të fjalorit vulgar. Vendimi është marrë nga Komisioni për Media ndërkaq është bërë i ditur në ‘Fejsbuk’ nga avokatja e këtij rasti, Flutura Kusari.
Kusari thotë se bëhet fjalë për një vendim historik.
“E fituam rastin kundër Big Brother dhe Klan Kosova. 30,000 euro gjobë për Klan Kosova që përmes Big Brother promovoi dhunë psikologjike ndaj një viktime të dhunës, lejoi gjuhë denigruese dhe lejoi përdorim të fjalorit vulgar pankodim për t’i mbrojtur fëmijët. Ky është një vendim historik i KPM-së, bazuar në tetë ankesa, që tregon se në Kosovë nuk kalon promovimi i dhunës ndaj grave, denigrimi i komuniteteve dhe dëmtimi i fëmijëve përmes përmbajtjes televizive.” shkruan Kusari në ‘Fejsbuk’.
Sipas Kusarit, ky emision tashmë ka marrë epitetin si një emision që promovon dhunën ndaj grave. Kusari bën thirrje për reflektim.
“Big Brother tani ka marrë epitetin e emisionit që promovon dhunën ndaj grave. A do të ndryshoj qasjen Klan Kosova apo do të vazhdoj avazin e njëjtë? Bravo KPM! Ky është një hap i madh për shoqërinë tonë! Modeli i Shqipërisë për rritje të shikueshmërisë përmes dhunës nuk kalon në Kosovë. Pikë.” shkruan Kusari.
- Klikoni KËTU për të lexuar postimin e plotë të Flutura Kusarit.
Rikujtojmë që disa javë më herët ‘Big Brother Vip Kosova’ konsideroi që është ide e mirë të përfshijë në këtë emision një person të akuzuar për dhunë kundër një banore e cila veçse ishte pjesë e këtij formati. Viktima, që në këtë rast është Drenusha Latifi, u detyrua që për disa ditë të qëndrojë në të njëjtën shtëpi me personin që e kishte akuzuar për dhunë në familje.
Latifi më herët kishte publikuar edhe fotografi nga mavijosja dhe shenjat tjera të dhunës nga ky person. Por përkundër kësaj, arsyetimi i ‘Klan Kosovës’ ishte që qëllimi i tyre ka qenë i mirë, përkatësisht që të arrijnë të ketë mirëkuptim mes ish-çiftit. Kjo nuk është detyrë e medies ndërsa ‘Mollëkuqja’ ka mbështetur protestat dhe reagimet e shoqërisë civile në shtetin fqinj, Kosovë.