Gratë në zonat rurale të Maqedonisë së V. ballafaqohen me shumë sfida, ekspertet alarmojn

Gratë shqiptare në Maqedoninë e Veriut në zonat rurale ende janë të diskriminuara dhe ballafaqohen me sfida të mëdha si arsimimi, prona, papunësia, shërbimet shëndetësore, shërbimet sociale dhe të sfidat më të reja si ajo e digjitalizimit.

Profesoresha Universitare Gjylimsere Kasapi duke folur për gratë shqiptare në jetën shoqërore dhe vendimmarrje theksoi se përvoja e saj jetësore i ka sjellë fatin të jetë edhe grua edhe burrë dhe që nuk ka qenë aq e lehtë.

“Gruaja përsoset vetëm përmes arsimimit dhe edukimit. Imagjinoni që në gjeneratën time vetëm 3% kemi qenë vajza nga shtatë paralele, kjo më ka nxitur që të luftoj dhe të doktoroj në temën arsimimi i vajzës shqiptare. Mendoj se ende kemi nevojë të arsimohemi, ende kemi nevojë për cilësi në arsim, për animimin e vajzave nga vendet rurale”, tha Gjylimsere Kasapi.

Ajo theksoi se shumë pak është punuar që prona tu takojë edhe vajzave dhe grave.

“Shoqëria jonë ende nuk e konsideron vajzën si trashëgimtare, por vetëm djemtë. Ky botëkuptim edhe sot interpretohet nga gjeneratat e reja. Nuk mundet gruaja rurale pa e pasur tokën të aplikojë për ndonjë projekt. Përveç pronës duhet të jetë e trajnuar në bujqësi apo ngjashëm”, tha Gjylimsere Kasapi.

Kryetarja e Rrjetit të Grave në Shkencë Elisabeta Bajrami Ollgu nënvizoi se temat gjinore shpesh trajtohen në nivele tjera dhe harrohen shpesh problematikat e grave rurale. Duke folur për shfrytëzimin e shërbimeve sociale të grave nga zonat rurale ajo theksoi se RMV-ja është shtet social dhe ka shumë ligje që rregullojnë këtë pjesë me theks të veçantë për Ligjin për mbrojtje sociale. Ajo tha se ka pak praktika pozitive nga të cilat gratë janë përfituese të ndihmave që ofron shteti.

“Gratë rurale janë gjysma e fuqisë punëtore, punojnë sa burrat ndoshta më shumë se burrat, por janë të papaguara. Problem tjetër i shërbimeve sociale është largësia që gratë në zonat rurale kanë nga qendrat për punë sociale. Ata kanë qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore të grave”, tha mes tjerash Elisabeta Bajrami Ollgu.

Ajo shtoi se vendit i mungojnë politikat që rrisin kapacitetet prodhuese të grave rurale në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë me burrat. Gjithashtu, ajo tha se niveli i informimit është shumë i ulët.

Kryetarja e këshillit ekzekutiv të organizatës “Antiko” Gjynere Nebiu duke folur për gratë në zonat rurale dhe aktivizmin tha se vendi ende çalon në këtë pjesë, pasi nuk punohet mjaftueshëm në këtë drejtim. Ajo tha se organizatat joqeveritare kanë fuqinë dhe mund të punojnë në këtë drejtim për fuqizimin më të madh të tyre.

“Në politikë trajtohen tema të mëdha, por gratë rurale shpesh lihen anash. Mungojnë organizatat aktive në terren në zonat rurale. Ka mungesë të organizatave edhe në zonat urbane”, tha mes tjerash Gjynere Nebiu.

Psikologia Edlira Destani nga organizata “Dua Ylberin” duke elaboruar mbi rolin prindëror të gruas në familjet e zonave rurale tha se kjo nuk është aspak e lehtë.

“Ne e kemi shumë të lehtë në zonat urbane të themi ta bëjnë këtë dhe atë, por është një zinxhir më i komplikuar. Duhet t’i zgjojmë gratë rurale që të shfrytëzojnë kapacitetet e tyre duke dhënë shembuj pozitiv”, tha Edlira Destani.

Ekspertja e menaxhimit të projekteve Mjellma Mehmeti përmendi mundësitë për fuqizim dhe strategjitë për përmirësimin e pozitës së gruas tha se gratë në BE dhe në RMV trajtohen njëlloj dhe diskriminohen në të njëjtën mënyrë, posaçërisht kur flasim për gratë në zonat rurale, sipas saj mundësitë dallojnë, por se sfidat mbeten të njëjta.

“Në një dokument për zhvillimin e sistemit bujqësor në RMV fjala grua përmendet vetëm dy herë…Jeta rurale nëse diversifikohet edhe puna e grave do të jetë më e dukshme, më e vlerësuar dhe e regjistruar. Nëse diversifikohet tregu i punës në zonat rurale ku gratë do vetëdijesohen do të mundet të arrihet të përmirësohet pozita e saj në shoqëri aty ku jeton”, tha Mjellma Mehmeti.

Ekspertja e shkencave të menaxhimit të sistemeve të informatikës Venera Gudaçi tha se sot duke folur për zhvillim të jashtëzakonshëm digjital, duhet të shfrytëzohen mundësitë që ky zhvillim ofron edhe për gratë e zonave rurale.

“Dallimi i qasjes në internet nga gratë rurale në BE dhe në RMV është shumë i madh. Duhen strategji në këtë drejtim. Sfidë tjetër është edhe mungesa e infrastrukturës, të gjithë flasim për internet, por sa nga gratë rurale posedojnë laptop për ta shfrytëzuar për biznesin e tyre. Biznesi digjital është mundësi shumë e mirë. Duhet trajnim adekuat i grave rurale në këtë drejtim”, tha Venera Gudaçi.

Këto u thanë në panelin e diskutimit “Pozita dhe roli i gruas shqiptare në zonat rurale: mundësitë dhe sfidat” që u mbajt sot nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Gazetareske “Mediat Inovative – Shkup” në kuadër të së cilës udhëhiqet Portalb.mk.

Kryeredaktorja e Portalb.mk Elida Zylbeari theksoi se ideja dhe qëllimi i këtij paneli ishte që të mblidhen ide dhe propozime konkrete se si mund që ekspertët me idetë e tyre të kontribuojnë për një mjedis më të mirë për gratë dhe të njëjtat të zbatohen në praktikë.

“Secila grua është e suksesshme. Problemi qëndron te ata të cilët kanë pushtetin dhe nuk u japin mundësi grave”, përfundoi Zylbeari.

Të tjera