Gratë dhe viti 2023 në Maqedoninë e Veriut: Dhunë, gjuhë e urrejtjes, pabarazi dhe diskriminim

Protesta të ndryshme, dhunë, vrasje, kërcënime, gjuhë e urrejtjes, pabarazi ekonomike, zbatim jo i mjaftueshëm i ligjeve dhe një sërë sfidash të pa kapërcyera. Me pak fjalë këto ishin vetëm disa nga pikat që shënuan vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut për sa i përket pa (barazisë) gjinore.

Analiza është realizuar nga Portalb.mk.

Një sërë problemesh

Që gratë ende ballafaqohen me shumë probleme në vend, u theksua edhe në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me 8 Marsi edhe vitin 2023 me anë të protestës nga aktivistët e të drejtave të grave dhe për mundësi të barabarta midis gjinive. “Nuk duam tavë, duam të drejta”, ishte vetëm një nga shumë mesazhe të protestës.

Diku nga mesi i vitit mësuam se vitin e kaluar (2022) nga gjithsej 1.117 krime të regjistruara në fushën e dhunës në familje, 942 ishin gra, bashkëshorte, nëna ose vajza dhe nga totali i kryerësve të raportuar, 1061 ishin burra.

Kur jemi te dhuna, gjithashtu mësuam se deri në 350 thirrje në muaj bëhen në linjën SOS falas 141 700, dedikuar për ndihmë viktimave të dhunës në familje.

Në këtë drejtim, mediat në Maqedoni të Veriut nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e temave të dhunës në familje. Punonjësit në media thonë se problematike mbetet mungesa e një politike të vazhdueshme redaktuese, për sa i përket raportimeve të dhunës mbi bazë gjinore. Ky konstatim doli nga hulumtimi që ka realizuar Instituti për Studime të Komunikimit.

Propozim-ligjet për Gjendjen Civile dhe Barazinë Gjinore të cilat bëjnë diferencimin si “seksi, gjinia dhe identiteti gjinor” ishin të papranueshme për krerët e KOM – PO (Kishës Ortodokse Maqedonase – Peshkopatës së Ohrit), BFI-së (Bashkësisë Fetare Islame), KK (Kishës Katolike), KMU (Kishës Metodiste Ungjillore) dhe KH (Komunitetit Hebraik). Në këtë drejtim u mbajt edhe protestë me pamje pro-ruse.

protesta-kemi-detyre-nga-kisha-ortodokse-maqedonase--kryepeshkopata-e-ohrit-kom-ko-foto-nga-meta.mk-3.webp
Vrasja e Vanjës tmerroi të gjithë vendin

Vrasja e 14- vjeçares Vanja Gjorgjevska ishte një nga ngjarjet më tragjike të vendit. Ajo u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë. I dyshuar për përfshirje në vrasjen e saj ishte dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.

pe0.webp
Pabarazi ekonomike

Një nga analizat ekonomike të Portalb.mk për muajin korrik nxori në pah pa (barazinë) gjinore, gratë në krahasim me burrat sipas parave, fuqisë, dijes. Gratë në Maqedoninë e Veriut fitojnë më pak dhe janë më të rrezikuara nga varfëria krahasuar me burrat. Të ardhurat më të ulëta, jeta më e shkurtër e punës dhe pasiviteti i lartë në tregun e punës kontribuojnë për një rrezik më të lartë nga varfëria, për një pasiguri më të madhe ekonomike dhe përkeqësim të perspektivës financiare për gratë në çdo fazë të jetës së tyre.

Nuk sanksionohet gjuha e urrejtjes në internet, posaçërisht ndaj grave

Analiza e detajuar e Portalbit tregoi se në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, si dhe pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+. Nga ana tjetër, institucionet nuk po bëjnë aq sa duhet në këtë drejtim, shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare vazhduan të alarmojnë.

Kishim edhe skandalin mediatik të Dragan Pavloviq – Llatas dhe Stefan Llazarov të cilët përmes një podcasti përhapën tallje me dhunën seksuale ndaj grave.

Edhe gjatë vitit 2023 vazhduan kërcënimet ndaj gazetareve.

“Shuplakat” e BE-së

Nevoja e miratimit të Ligjit për Barazi Gjinore, sfida e zbatimit të Konventës së Stambollit, dhuna ndaj grave, mungesa e grave në tregun e punës, diskriminimi në paga, promovimi i barazisë gjinore në media, ngecjet në punën e institucioneve ishin vetëm disa nga pikat ku Komisioni Evropian “ia ngreh veshin” RMV-së në Raportin për vitin 2023 mbi në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Raporti mes shumë të tjerave theksoi lëvizjen në rritje kundër gjinisë në mbarë vendin. fushatat antigjinore, ndonjëherë të mbështetura nga zyrtarë të pushtetit vendor, udhëheqës fetarë dhe politikë të cilat ngrenë shqetësim serioz.

Pak progres në pozitat e larta

Në fillim të vitit, Qeveria e miratoi Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë Nacionale për barazi dhe mos diskriminim 2022-26.

Në muajin shkurt, Qeveria gjithashtu miratoi vendimin me të cilin për herë të parë gratë fermere të marrin pushim me pagesë të lindjes.

Në shkurt u miratuan edhe disa ndryshime të Kodit Penal të cilat rregullojnë veprat e dhunës me bazë gjinore.

Me rikonstruimin e Qeverisë në fillim të vitit, pati një farë ndryshimi të vogël pozitiv të përfaqësimit të grave në postet e ministrave dhe zëvendësve.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 27 shkurt votoi katër ministra të rinj, me çka numri i ministreve në qeveri u rrit nga katër në pesë. Ndërkaq më 2 mars, Kuvendi votoi edhe pesë zëvendës ministra të rinj, tre nga ta ishin gra dhe me këtë, numri i grave zëvendës ministre shkoi në pesë, pasi vetëm dy ishin paraprakisht në këtë funksion.

Me 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbajti seancën e parë kushtuar ekskluzivisht promovimit të barazisë gjinore.

Në muajin shtator, Kuvendi përfundimisht i votoi ndryshimet për Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar përmes së cilës planifikohet zbritja prej 18 % në 5 % për produktet e higjienës menstruale, ashtu që do të ulet çmimi i shitjes

Janë mbajtur një sërë konferencash, debatesh, diskutime , tubime , panele dhe organizime të ndryshme në drejtim të rritjes së vetëdijes për barazinë gjinore dhe një sërë temash që lidhen me të, si nga organizatat vendase po ashtu edhe ata ndërkombëtare.

Çfarë në 2024?

Viti 2024 nuk do të jetë i lehtë për Maqedoninë e Veriut në këtë fushë pasi vendi ka shumë detyra për të bërë. Vendi duhet të punojë shumë në fushën e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave, duhet të sigurohen më shumë fonde dhe zbatim më i madh i Konventës së Stambollit. Duhet të përforcohen shërbimet për viktimat e dhunës në familje. Gjyqtarët dhe prokurorëve duhet tu ofrohet trajnim i vazhdueshëm i zhvillimit profesional për çështje si dhuna me bazë gjinore ndaj grave. RMV-ja duhet të punojë në zvogëlimin e hendekut gjinor në tregun e punës dhe në paga. Barazia gjinore duhet të promovohet më shumë në media. Me që viti 2024 do të jetë edhe vit i dy pale zgjedhjeve, do të dëgjojmë shumë nga politikanët për përfaqësimin e grave në vendimmarrje dhe të ngjashme sikur çdo cikël zgjedhor. Por, sa do të ketë rezultat, kjo mbetet të shihet.

Të tjera