Zgjohem në mëngjes, i vesh fëmijët, i rregulloj dhe dal të lyp për të blerë ushqim.” Kështu fillon dita e Meritës, 30 vjeçare, një grua dhe nënë rome. Në fakt, ajo është një ndër shumë gratë që, me fëmijë në krah, bredhin rrugëve të Strugës dhe zgjasin dorën për lëmoshë. Lypja, një fenomen i shëmtuar që dominohet nga gratë dhe fëmijët, ka filluar të duket si diçka normale në rrugët e qyteteve tona. Ndonëse ka studime që tregojnë se lypja është shndërruar në biznes në RMV, Merita thotë se të jesh grua në komunitetin rom nuk është aspak e lehtë dhe se nevoja për bukë e detyron atë të bredhë rrugëve bashkë me fëmijët.
“Ndonjëherë më duhet të bredh rrugëve tërë ditën. Por ka dhe ditë të mira që, deri nga ora 11-12, mbledh pak para për ushqim dhe kthehem në shtëpi, sepse aq më duhet mua,” thotë Merita. “Burri është i sëmurë, po punon, mbledh hekur dhe shishe plastike nëpër kanta, dhe me paratë që fiton ai, arrijmë të paguajmë qiranë e dhomës ku jetojmë, që kushton 4000 denarë në muaj.”
Merita ka 5 fëmijë. Ajo thotë se është martuar me dashuri në moshën 16 vjeçare dhe kishte vetëm 17 vjeç kur u bë nënë për herë të parë. “U dashurova dhe u martova, por pastaj ish-burri mori grua tjetër dhe unë ika. Vajzën e mori nëna ime për ta kujdesur, sepse isha shumë e re dhe nuk dija ta mbaja. Në 18 vjet u martova prapë dhe tani kam edhe 4 fëmijë të tjerë. Te burri i parë e kisha më mirë jetën dhe nuk dilja të lypja, por tani, nëse nuk dal në rrugë, nuk kam ushqim për fëmijët.”
Merita nuk ka shkuar asnjë ditë në shkollë. Ajo nuk di të shkruajë e as të lexojë dhe, sipas saj, ky është problemi kryesor që assesi nuk mund të gjejë një vend pune të mirë. Gjatë bashkëbisedimit tonë, ajo heziton të përgjigjet nëse ka pasur ose ka dhunë fizike ndaj saj, njëjtë siç heziton të përgjigjet se përse vetëm gratë me fëmijë në duar dalin në rrugë të kërkojnë lëmoshë dhe jo burrat.
Përcaktimi i roleve gjinore bënë që gratë të ekspozohen më shumë në fenomenin e lypjes
Rolet shoqërore, që shpesh i caktohen grave në shoqërinë rome dhe më gjerë, i bëjnë ato më të prira të kërkojnë lëmoshë, duke qenë se shpesh ato janë të përjashtuara nga mundësitë e punës dhe mbështetjeve ekonomike. Për më tepër, përgjegjësitë e shumta familjare, si kujdesi për fëmijët, i lënë gratë në një pozitë të pafavorshme, ku kërkimi i lëmoshës shndërrohet në një mundësi për mbijetesë.
Arsyet se ky fenomen dominohet nga gratë janë të ndryshme, qofshin ato sociale, ekonomike apo kulturore. Në shumë shoqëri, gratë janë më të ndjeshme ndaj varfërisë dhe margjinalizimit, për shkak të roleve tradicionale që u janë caktuar atyre. Në shumë raste, gratë kanë më pak mundësi për të marrë pjesë në tregun e punës, për shkak të diskriminimit gjinor, mungesës së mundësive për edukim ose aftësive profesionale, ose shpesh janë të mbingarkuara me përgjegjësi familjare (kujdesi për fëmijët, pleqtë, etj.). Gratë janë më të prirura të jenë viktima të dhunës në familje dhe abuzimit, që mund t’i detyrojë ato të braktisin shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë mbijetesë përmes lypjes. Shpesh, ato mund të ndihen të pafuqishme për të siguruar mbështetje nga institucionet shtetërore, duke e bërë kërkimin e lëmoshës një mënyrë të mundshme për mbijetesë. Në shumë raste, gratë që përjetojnë varfëri të thellë shpesh nuk kanë mbështetje të mjaftueshme sociale, si strehim apo mbështetje financiare. Për më tepër, shërbimet sociale për gratë mund të jenë të pamjaftueshme ose të pa aksesueshme, duke e bërë kërkimin e lëmoshës një mundësi për mbijetesë.
Jo më pak të rëndësishëm janë dhe faktorët psikologjikë dhe emocional si dhe perceptimi social dhe stigma.
Merita, si shumë gra të tjera, është e detyruar të marrë një hap të tillë për të mbajtur familjen, duke e jetuar një realitet të vështirë dhe të pasigurtë, i cili tregon pasigurinë e thellë sociale dhe ekonomike që përjeton shumëkush në shoqëritë tona. Por ajo që e bënë edhe më shqetësues këtë realitet është se çdo ditë e më shumë në kërkim të lëmoshës bredhin dhe fëmijë, herë të shoqëruar nga nëna e herë jo.
“Megjashi”: Fëmijët e ekspozuar në rrugë janë dhe pre e shfrytëzimit seksual dhe trafikimit të organeve
Keqpërdorimi i fëmijëve për lypje dhe ekspozimi i tyre në rrugë përbën shqetësim të madh dhe për Ambasadën e Fëmijëve “Megjashi”, nga ky theksojnë se ky fenomen është shumë i thellë dhe i rrezikshëm. Nga ky institucion thonë për Mollekuqja.mk se lypja shpesh mund të jetë fatale për këto fëmijë të cilët shumë lehtë mund të përfundojnë në tregun e zi, që nënkupton që kjo kategori mund të detyrohet të lyp jashtë vendit ndërkohë që ekziston mundësia e shfrytëzimit seksual dhe kyçjes së tyre në prostitucion. Lista e shqetësimeve vazhdon me faktin se këto fëmijë shumë lehtë madje mundet të përfundojnë në duart e trafikantëve të shitjes së organeve.
“Megjashi, si organizatë që mbron fëmijët, ka bërë hulumtime për të drejtat e fëmijëve të rrugës në territorin e qytetit të Shkupit. Sipas Analizës së situatës me fëmijët në rrugë (qershor – shtator 2022), u vu re se fëmijët që vijnë nga familje të varfëra, familje me status të ulët social dhe familje në rrezik social janë më shpesh viktima të shfrytëzimit të punës së fëmijëve, lypja, trafikimit me njerëz si dhe shfrytëzimi seksual i tyre“, deklarojnë nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”.
Nga “Megjashi” theksojnë se fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve lidhet me nivelin e lartë të varfërisë në vend dhe mungesën e një sistemi të mirfilltë edukativo-arsmior. Sipas tyre, duke punësuar të paktën një anëtar të familjeve në rrezik social, duke siguruar një çati mbi kokë dhe përfshirjen e hershme të fëmijëve në kopshte, mundet të ndryshohet realiteti aktual dhe të zvogëlohet rreziku i abuzimit të fëmijëve.
“Edhe pse në vitin 2002, Maqedonia ratifikoi Konventën nr. 182 për parandalimin urgjent të formave më të këqija të shfrytëzimit të fëmijëve, situata nuk është parandaluar, përkundrazi ky fenomen është shumë alarmant dhe lidhet drejtpërdrejt me varfërinë dhe mospërfshirjen e fëmijëve në një proces të rregullt arsimor. Të gjitha politikat dhe mekanizmat për parandalimin dhe shtypjen e keqpërdorimit të fëmijëve duhet të miratohen dhe zbatohen sipas interesit më të mirë të fëmijës, dhe pjesëmarrja e fëmijëve duhet të jetë pjesë integrale e tyre. E drejta e fëmijëve për t’u arsimuar është e drejta parësore e çdo njeriu. Ky është një faktor veçanërisht i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve të rrugës. Nëse shteti siguron arsim të detyrueshëm falas dhe cilësor për çdo fëmijë, Maqedonia do të mund të thyejë rrethin vicioz të analfabetizmit dhe varfërisë, por edhe të merret me parandalimin e shfrytëzimit dhe abuzimit të fëmijëve. Fatkeqësisht, fëmijët e rrugës jo vetëm që nuk i kanë këto të drejta, por përveç kësaj këta fëmijë ndodhen shpesh në një situatë ku janë të ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të policisë, sulmeve nga qytetarët e rritur por edhe nga fëmijët, madje edhe pas ndërhyrjes së autoriteteve, një numër i madh numri i tyre nëse nuk marrin mbështetjen e duhur (që shpesh ndodh), ata kthehen në jetë dhe punojnë në rrugë”, thonë nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”.
“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”